Vërejtjet në Projekt Planin hapësinorë i Malit te zi deri me 2020

March 31, 2008   | Anketë / Anketa

Duke çmuar rëndësinë dhe nevojën për miratimin e Planit hapësinorë të Republikës së Malit të Zi deri më vitin 2020, Forca e re demokratike FORCA ka formuar komision të posaçëm i cili ka pasur për detyrë ta analizojë Projekt planin e propozuar dhe të përgatisë propozimet eventuale për plotësimin e këtij dokumenti në mënyrë që ky të jetë më I kompletuar dhe më kualitativ. Shqyrtimi publik ka filluar në Ulqin dhe është konstatuar që përpunuesit kanë shfrytëzuar të dhëna të vjetra bile edhe asi të vjetra mbi 20 vjetësh, ashtu që edhe vlerësimet për zhvillimin e regjioneve të caktuara janë të gabuara dhe kërkojnë përpunim të përsëritur. Poashtu mund të konstatohet që ekspertët kanë punuar kryesisht në formë kabineti pa shfrytëzimin e të dhënave bazike nga komunat e caktuara dhe nuk kanë inkuadruar konsulentë nga administratat lokale. Në shqyrtimin publik në Ulqin i cili është mbajtur më 30.05.2007 janë vënë shumë pyetje dhe mjerisht askush nga ana e përpunuesve nuk ka qenë i gatshëm të jap përgjigje. Pas tribunave të mbajtura me qytetarët e Ulqinit ,të shqyrtimeve publike, të sugjerimeve të qytetarëve dhe të ekspertëve kompetent nga fushat e ndryshme, janë vërejt mungesa të shumta. Do të përmendim vetëm disa shembuj të cilët vërtetojnë joseriozitetin në përpunimin e këtij dokumenti: Për lokalitetin e Shtojit, ku veç janë të ndërtuara mbi 3000 objekte (rreth 30.000 shtretër) me plan janë të parapara sipërfaqet bujqësore; prodhimi i kripës së detit në Ulqin kryhet gjoja në stabilimentin me termokompresion, i cili ka kohë që është shkrirë në Hekuranën e Nikshiqit; kooperativë bujqësore nuk ekziston në Ulqin tash më shumë se 30 vite etj. Kulminacioni i joseriozitetit në projektimet afatgjate paraqesin të dhënat për kapacitetet akomoduese deri më vitin 2020. Me Projekt plan parashihet që në regjionin e Ulqinit deri më vitin 2020 në akomodimin individual gjegjësisht atë komplementarë të ketë 15.000 shtretër. Normalisht kjo e dhënë është përdorur edhe për përpunimin e elementëve tjerë infrastrukturorë, çka me siguri ka prurë deri te qëndrimi përfundimtarë që Ulqini duhet të jetë regjion i kategorisë së tretë gjegjësisht qendër e rëndësisë komunale. Veç për të përkujtuar çka është e njohur nga të gjithë,Ulqini momentalisht ka mbi 100.000 shtretër. Duke marrë parasysh vetëm kapacitetet e ndërtuara në akomodimin individual është e paevitueshme t’i qaset ripërpunimit të këtij Plani, pasi që nuk është e njëjtë të bëhen vlerësimet e zhvillimit të një regjioni për 15.000 apo për 100.000 shtretër. Duke u nisur nga fakti që Ulqini është i pasur me resurset natyrore,ka një pozitë shumë të rëndësishme gjeografike,posedon bregdetin më të gjatë, lumin Buna me dy grykë,ujdhesën e Adës, Liqenin e Shasit me qytetin e vjetër historik Svaçin, Plazhin më të bukur me rërë në Evropë, gjire të shumta, tokë të madhe bujqësore, potenciale të mëdha në zhvillimin e blegtorisë, kompleksin më të madh të ullishtave të vjetra, disa burime të ujit të pishëm, të ujit shërues, të baltës shëruese, lokalitete të gjuetisë,Qytetin e vjetër historik (Kalanë), pra siç shihet Ulqini në Planin hapësinorë të RMZ duhet të trajtohet si qendër regjionale e jo si qendër e rëndësisë lokale. Pas analizës së gjithanshme të projektit të propozuar të PHRMZ, Forca e re demokratike Forca jep VËREJTJET

1. Që komuna e Ulqinit të trajtohet si Qendër regjionale sikur Tivari, Budva, Kotori dhe Herceg Novi,
2. T’i qaset vlerësimit të ri afatgjatë për ndërtimin e të gjithë kapaciteteve akomoduese turistike,
3. Që territori i të Mirave detare i cili në kundërshtim me kushtetutën e RMZ është përpunuar në Planin e dedikimeve të veçanta të të Mirave detare, të përpunohet në Planin hapësinorë të RMZ. Me nenin 81 të Kushtetutës së Malit të Zi është e paraparë që Republika bien planin hapësinorë të RMZ, e jo edhe plane tjera. Me këtë do të mundësohej që Komuna e Ulqinit territorin e përfshirë në të Mirat detare ta përpunojë në dokumentet e veta të planeve.
4. Të parashihet mbrojtja e ullishtës së Ulqinit dhe at minimum si është e paraparë për Budvën dhe Tivarin në faqen 161 të projektit të propozuar të planit hapsinorë.
5. Që në mënyrë të veçantë të mbrohet ullishta e Valdanosit, prona t’i kthehet pronarëve të mëparshëm gjegjësisht të eliminohet shitja si opsion siç është e paraparë me plan në faqen 124,të mbrohet gjiri i Valdanosit nga çfarëdo ndërtimi dhe të ruhet për gjeneratat e ardhshme.
6. Që në këtë Plan hapësinorë të shënohen dukshëm dhe të parashihen minimum dy marina dhe atë njëra në lokalitetin e Limanit dhe tjetra në lokalitetin e Port-Milenës.
7. Të parashihen dhe të ndërtohen rrugët e karakterit modern të cilët do të lidhin Ulqinin me destinimet tjera në regjion.
8. Që rruga e shpejtë Tivar – Sukobin të bëhet prioritet i Planit.
9. Që në regjionin e Ulqinit në pjesën tekstuale të këtij Plani të sigurohen kushtet për hapjen e institucioneve të shkollave të larta dhe superiore,sidomos pasi që komuna e Ulqinit është një mjedis shumnacional me shumicë të popullatës shqiptare, të cilës duhet t’i sigurohen kushtet për arsimim të lartë dhe superiorë.
10. Të parashihet furnizimi adekuat të këtij regjioni me energji elektrike me planifikimin e lidhjeve të reja hyrëse dhe të trafostacioneve të cilat do të siguronin përfshirjen e kapaciteteve të parapara në periudhën e ardhshme.
11. Të lehet hapësirë e mjaftueshme për planifikim për gjeneratat e ardhshme të këtij regjioni dhe të Republikës së Malit të Zi.

Për shkak të vërejtjeve të lartpërmendura si dhe të atyre të shumta që nuk janë përmendë për Projekt Planin Hapësinorë të RMZ Forca e re demokratike propozon: Që Projekt Plani Hapësinorë i RMZ deri në vitin 2020 t’i kthehet përpunuesit në ripërpunim dhe në plotësim, të inkuadrohen ekspertët nga fushat e ndryshme nga Ulqini në ekipin e gjerë për përpunimin dhe sintetizimin e planit dhe në Komisionin për vlerësimin profesional të PHRMZ Kryetari, Nazif Cungu.