Nesër në Mal të Zi do të zhvillohen zgjedhjet presidenciale, të parat që nga pavarësimi

April 5, 2008   | Lajmet / Vijesti, Politika

Komisioni shtetëror i zgjedhjeve në Malit të Zi, ka bërë të ditur se të drejtë vote në zgjedhjet për kryetar kanë 490 mijë votues, rreth 6 mijë më shumë sesa në zgjedhjet parlamentare të 2006-s. Kryetar i Malit të Zi do të zgjidhet kandidati që do të marrë më shumë se gjysmën e votave të vlefshme të zgjedhësve. Në qoftë se asnjëri nga 4 kandidatët, sa janë në garën presidenciale, nuk do të sigurojë numrin e duhur të votave, pas 2 javësh zhvillohet rrethi i dytë midis dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota. Në garë për kryetar janë 4 kandidatë: Nebojshaa Medojeviq i Lëvizjes për Ndryshime, Andria Mandiq, kandidat i Listës Serbe, Sergjan Miliq, nga Partia Popullore Socialiste dhe Filip Vujanoviq, kandidat i Koalicionit Qeveritar. Unioni Demokratik i Shqiptarëve ka ftuar anëtarët e tij që të përkrahin kryetarin aktual malazias, Filip Vujanoviq, ndërsa Forca dhe Alternativa shqiptare përkrahin Nebojsha Medojeviqin. Ndërsa Lidhja Demokratike, Partia e Prosperitetit Demokratik dhe Bashkimi Demokratik kanë porositur elektoratin që të veprojnë sipas dëshirës së tyre. Kështu elektorati shqiptar është i ndarë. Në referendum të majit 2006, vota e shqiptarëve, sidomos e bashkatdhetarëve, ishte vendimtare për arritjen e përqindjes për pavarësimin e Malit të Zi.

Koha Vizion