Ceremoni të shumta për nder të ditës së ulqinit
Ulqin – Dita e Ulqinit, e shtuna e parë e muajit prill, do të kremtohet sivjet me një sërë aktivitetesh dhe veprimtarish.
Në kuadër të programit, sot kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, do të presë përfaqësuesit e feve. Më pas do të bëhet përurimi i fazës së dytë të elektrifikimit të aksit rrugor nga pika e karburantit “Eco” deri te rruga që të çon për Valdanos, do të zhvillohet Turneu Ndërkombëtar në futboll, kurse në mbrëmje në Shkollën e Muzikës në Ulqin do të shfaqet koncert nga nxënësit e kësaj shkolle.
Nesër është parashikuar të bëhet inaugurimi i aparaturave të Shoqatës italiane CINS në Shtoj si dhe ndarja e mirënjohjeve për nxënësit dhe studentët më të dalluar të komunës së Ulqinit.
Ndërkaq të shtunën ceremonitë do të fillojnë me Turneun Ndërkombëtar në Karate, i cili do të zhvillohet në palestrën e Shkollës Fillore “Mareshali Tito”. Më pas në sallën e Pallatit të Kulturës do të mbahet Kuvendi solemn dhe akademia solemne. Programi i aktiviteteve do të vazhdojë me hapjen e Panairit të prodhimeve ushqimore në restorantin “Hollegro” dhe ekspozitën e fotografive të fotografit Isuf Gjoni.
Në mbrëmje në Pallatin e Kulturës do të mbahet koncerti me këngë të vjetra qytetare që do të interpretohen nga Kastriot Tusha dhe Manjola Nallbanit, kurse më pas në Ranë do të mbahet koncerti i Ansamblit nga Tirana dhe grupit “Plevaljski Tamburashi”.
Ceremonitë për nder të Ditës së Ulqinit do të përfundojnë me performancën me fishekzjarre në Ranë.
I.K
koha javore





