BE :Zgjedhjet ne Mal te Zi ishin te drejta e te lira

April 8, 2008   | Shtypi / Mediji

Presidenca e Bashkimit Evropian përgëzoi Filip Vujanoviçin për rizgjedhjen e tij në krye të presidencës malazeze, duke vlerësuar se zgjedhjet ishin “të lira dhe të drejta” për të gjithë, dhe rikonfirmoi perspektivën evropiane të vendit. “Presidenca shpreh kënaqësinë për nivelin e pjesëmarrjes në këto zgjedhje, që sipas një vlerësimi paraprak ishin të lira dhe të drejta”, nënvizon ajo në një komunikatë. Sllovenia rikonfirmon në këtë kontekst se Mali i Zi ka vokacionin për t’u pranuar me kohë në Bashkimin Evropian dhe u bëri thirrje të gjitha forcave politike të vendit të punojnë për këtë qëllim. Mali i Zi nënshkroi vitin e shkuar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në, që përbën hapin e parë drejt integrimit në bllokun evropian. Ai shpreson të depozitojë kërkesën zyrtare të pranimit gjatë presidencës sllovene, ose deri në fund të gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Statusi zyrtar i kandidatit është etapa e fundit për një vend drejt hapjes së negociatave zyrtare të pranimit. Sipas rezultateve paraprake zyrtare të komisionit zgjedhor, të bëra publike sot, presidenti i deritanishëm Filip Vujanoviç u rizgjodh me 51,89 për qind të votave. Mali i Zi u nda nga Serbia në qershor 2006, pas një referendumi gjatë të cilit 55,5 % e zgjedhësve votuan pro pavarësisë.
AFP