U mbajt turneu i IX Ndërkombëtar i Karatesë “Ulqini Open 2008”

April 10, 2008   | Sporti / Sport

ulqini open 2008Më 5 prill 2008 në Ulqin u mbajt Turneu i IX ndërkombëtar i karatesë “Ulqini open 2008”. Në këtë turne, i cili tashmë u bë tradicional dhe u organizua me rastin e Ditës së Ulqinit morën pjesë 38 klube të karatesë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Bosna, Kroacia, Serbia dhe klubet vendase të Malit të Zi me gjithsej 830 garues. Po ashtu i pranishëm ishte edhe z. Nezir Rama, kryetar i Federatës së Karatesë së Kosovës.
Organizatorë të këtij turneu ishin Klubet e Karatesë “Ulqini” dhe “Albulena” në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit dhe Federatën e Karatesë së Malit të Zi.
Të gjithë klubet morën pjesë me garues të njohur, çka bëri që konkurrenca të jetë shumë e fortë. Më të mirët e turneut ishin klubet e karatesë “Ulqini” dhe “Albulena”, të cilët grumbulluan 198 pikë, mirëpo ata si organizatorë që më parë kishin sjellë vendimin që të mos konkurrojnë për shpërblimet e plasmanit gjeneral dhe këtë mundësi ta kenë klubet mysafire.
Në plasmanin gjeneral tre klubet më të mira u shpërblyen me kupa dhe me të holla dhe këta ishin:
1.vendi i parë i takoi K. K. “Buduqnost” nga Podgorica me 184 pikë,

2.vendi i dytë K. K. “Gorshtak” nga Kollashini me 82 pikë dhe

3. K. K. “Dardania” nga Gjilani u rendit në vendin e tretë me 62 pikë.
Poashtu u shpall edhe garuesja më e mirë e turneut, e cila ishte Sllagjana Rajkoviq e klubit të karatesë “Gorshtak” nga Kollashini, ndërsa garuesi më i mirë ishte Liridon Fejzullahu i klubit të karatesë “Dardania” nga Gjilani.
Në kategorinë open të grupmoshës 1991/1992 punuan shum garues të njohur, të cilët u shpërblyen me kupa dhe me të holla. Në këtë kategori vendi i parë i takoi garuesit Danillo Lluçiq i K.K.”Onogosht” nga Nikshiqi, vendi i dytë Viktor Curoviq i K. K. “Ulqini Dhe Albulena” dhe dy vendet e treta i takuan garuesve Liridon Elezoviq i K. K. “Ulqini Dhe Albulena” dhe Fatmir Bunjaku i K. K. “Dardania” nga Gjilani.
Në kategorinë open e grupmoshës 1990 e më të vjetër renditja ishte si vijon: vendi i parë – Jasmin Hot i K. K. “Ulqini Dhe Albulena”, vendi i dytë – Kreshnik Tahiri i K. K. “Ulqini Dhe Albulena” ndërsa në dy vende të treta u renditën: Simo Lluçiq i K. K.”Onogosht” nga Nikshiqi dhe Qëndrim Shaqiri i K. K. “Sharri” nga Ferizaji.