Ulqinin e pret zhvillim i hovshëm ekonomik

April 16, 2008   | Kulturë / Kultura, Shtypi / Mediji

Gzim hajdinaga_Ferhat dinoshaKryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, në fjalën përshëndetëse tha se “Ulqinin e pret një zhvillim i hovshëm ekonomik, veçmas në valorizmin e zonave turistike më atraktive të qytetit, siç janë Plazhi i Madh, Ada, Valdanosi dhe Shasi”.
Ai tha se investitorë të fuqishëm kanë shprehur dhe vazhdojnë të shprehin interesim për resurset e Ulqinit. Hajdinaga theksoi se prioritet i tij në të ardhmen do të jetë turizmi.
Dita e Komunës së Ulqinit, e shtuna e parë e muajit prill, u kremtua me manifestime të shumta.
Aktivitetet për nder të kësaj feste filluan të enjten me pranimin e klerikëve të tri feve nga kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, e më pas vendosjen e gurthemelimit të Xhamisë së Detarëve në Ranë.
Ceremonitë vazhduan me përurimin e fazës së dytë të ndriçimit publik në aksin rrugor nga pika e karburantit Eco e deri te kryqëzimi që të çon për Valdanos.
Po të njëjtën ditë në stadiumin “Olympic” në Plazhin e Madh u mbajt turneu ndërkombëtar në futboll, kurse në mbrëmje, në Shkollën e Muzikës u shfaq koncerti nga nxënësit e kësaj shkolle.
Të premten në Shtoj u bë përurimi i aparaturave të Shoqatës CINS për përmirësimin e prodhimit të agrumeve, kurse në mbrëmje, në Qendrën e Kulturës u ndanë mirënjohjet dhe shpërblimet për nxënësit dhe studentin më të mirë të qytetit.
Programi i së shtunës filloi me Turneun IX Ndërkombëtar në Karate “Ulqini Open 2008”, i cili u mbajt në Shkollën fillore “Mareshali Tito”. Më pas në Qendrën e Kulturës u mbajt Kuvendi solemn dhe Akademia solemne.ulqini-open2008
Në këtë ceremoni morën pjesë personalitete të shumta, në mesin e të cilëve nënkryetari i Qeverisë së Malit të Zi, Vujica Llazoviq, ministri për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Fuad Nimani, deputetë të Parlamentit të Malit të Zi dhe atij shqiptar, përfaqësues të ambasadave të ndryshme dhe disa institucioneve ndërkombëtare në Mal të Zi, kryetarët e disa partive, kryetarët e Njësisë 21 të Vjenës, i Bashkisë dhe i Prefekturës së Shkodrës, dhe të disa komunave në Mal të Zi, etj.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe ish presidentët e Shqipërisë, prof. dr. Rexhep Mejdani dhe Alfred Moisiu.
Në fjalën përshëndetëse, kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, bëri një retrospektivë të punës së pushtetit lokal, foli për situatën aktuale në Komunën e Ulqinit dhe të ardhmen e saj.
Ai tha se buxheti i sivjetshëm i planifikuar i Komunës së Ulqinit do të jetë pak më shumë se 11 milionë euro, që krahasuar me atë të vitit 2006 është 4.5 herë më i lartë.
Hajdinaga vlerësoi punën në fushën e urbanistikës, ku sipas tij, situata nuk ka qenë e volitshme.
“Kishte më se dy dekada që nuk ishin punuar plane urbanistike që janë parakusht për zhvillimin e çdo qyteti. Të ndodhur në një situatë të tillë menjëherë i jemi përveshur punës për ndryshimin e Planit të Përgjithshëm Urbanistik, që do të gjendet së shpejti për miratim para këshilltarëve të Kuvendit të Komunës së Ulqinit. Hartimi i planeve urbanistike ishte kërkesë për zhvillimin e Ulqinit”, tha ai.
Ndër arritjet e tjera, kryetari i Komunës së Ulqinit nënvizoi asfaltimin e rrugëve në qytet, ndriçimin publik, sensibilizimin e çështjes së ndryshimit të Ligjit për të Mirat Detare, që sipas tij, do të ketë për pasojë “ridefinimin e vijës kufitare dhe kthimin e saj në suazën ligjore konform përvojës europiane”.
Ndërkaq duke folur për të ardhmen, kryetari Hajdinaga tha se “Ulqinin e pret një zhvillim i hovshëm ekonomik, veçmas në valorizmin e zonave turistike më atraktive të qytetit, siç janë Plazhi i Madh, Ada, Valdanosi dhe Shasi”.
Ai tha se investitorë të fuqishëm kanë shprehur dhe vazhdojnë të shprehin interesim për resurset e Ulqinit.
Kryetari i Komunës së Ulqinit theksoi se prioritet i tij në të ardhmen do të jetë turizmi.
“Parashikojmë që viti 2008 do t`i tejkalojë shifrat e vitit 2007”, tha ai duke i bërë thirrje për të investuar diasporës shqiptare.
Hajdinaga vlerësoi punën e Parlamentit lokal, gjë që sipas tij ka bërë që “në Kuvendin e Komunës së Ulqinit të miratohen një sërë vendimesh në të mirë të qytetarëve”.
Ndërsa kryetari i Kuvendit të Komunës së Ulqinit, Muhamet Nika, tha se përbërjes aktuale të këtij kuvendi i “mbetet të bëjë një punë të madhe për të evituar çdo padrejtësi të së kaluarës përmes miratimit të vendimeve në pajtim me ligjet e vendit dhe standardet europiane”.
Më pas për të pranishmit u dha një program artistik ku morën pjesë orkestra e harqeve e Akademisë së Arteve në Tiranë, nën drejtimin e dirigjentit Ermir Dizdari, tenori Kastriot Tusha, mezzosopranoja Manjola Nallbani, sopranoja Sara Vujosheviq, si dhe koreografi venda Musa Hoxha.
Në vazhdim të ceremonive, në ambientet e kompanisë “Hollegro” u mbajt Panairi i prodhimeve ushqimore.
Në mbrëmje në sallën e Qendrës së Kulturës u shfaq koncerti me këngë të vjetra qytetare i tenorit Kastriot Tusha dhe mezzosopranos Manjola Nallbani, kurse në Ranë u shfaq koncerti i Ansamblit nga Tirana dhe grupit “Plevalski Tamburashi”.
Ceremonitë përfunduan me performancën me fishekzjarre në Ranë.
I. Kallaba
KOHA JAVORE