Studiuesit tanë në revista ndërkombëtare

April 18, 2008   | Kulturë / Kultura

Basri Çapriqi_ulqinDisa autorë (shqiptarë) nga Mali i Zi në fushën e artit dhe të shkencë tani më janë të njohur në përmasa kombëtare. Mirëpo, ata gjithnjë e më shpesh botojnë edhe në periodikun ndërkombëtar. Kështu, para disa javësh revista e njohur “Sarajevske sveske” (Fletoret e Sarajevës) që del në kryeqytetin e Bosnjes e Hercegovinës me mbështetjen e shumë institucioneve dhe vendeve europiane, gjegjësisht në numrin 17/2007, ndër të tjera sjell edhe kontributet studimore të poetit dhe studiuesit të njohur nga Ulqini, (tani jeton dhe punon, si ligjërues universiteti, në Prishtinë) Basri Çapriqit me titullin “Kadare – ndërtues i toposeve ballkanike” dhe të poetit e studiuesit nga Tuzi (edhe ky jeton dhe punon, si profesor universiteti, në Prishtinë) Anton Berishaj me titullin “Në kërkim të… teorisë – fragmente mbi skenën teorike bashkëkohore në Kosovë”. Përveç tyre, në këtë numër të revistës në fjalë botohen edhe studimet e dy autorëve të tjerë shqiptarë, gjithashtu profesorë nga Universiteti i Prishtinës. Agim Vinca është autor i shkrimit me titull “Kritika letrare shqiptare në qendrën e re kulturore” dhe Rexhep Murtez Shala boton shkrimin “Kultura e sjelljes si kategori e komunikimit”.
Ndërkaq, matematikani David Kalaj, profesor në Universitetin e Podgoricës (njëkohësisht kryen detyrën e dekanit të studimeve të mësuesisë në gjuhën shqipe në Podgoricë), në revistën finlandeze “Annales Academiae Scientiarium fenicae” – Helsinki 2008) botoi, në gjuhën angleze, studimin “On harmonic quasiconformall self-mappings of the unit ball” (Mbi pasqyrimet kuazikonformale harmonike të topit në vetvete). David Kalaj është ndër matematikanët më prodhues në lëmën e shkencës, në rajon, dhe punimet shkencore të tij (mbi 23) janë botuar në shumë revista autoritative ndërkombëtare (p.sh. Journal D`Analyse Math, Israel Journal of Math, Mathematische Zeitschrift etj.etj.).

(Kohapress)