Intervistë me Prof.Dr.Bozhidar Shekullarac, drejtor i institutit të historisë së Malit të Zi

bozhidar shekullaracHistoria e Malit të Zi nuk është e vendosur ende në themelet e duhura
Koha javore: Z. Shekullarac, cili është statusi i Institutit të Historisë së Malit të Zi dhe me çfarë merret ai?
B. Shekullarac: Instituti i Historisë së Malit të Zi është njësi universitare dhe këtë vit kremton 60-vjetorin e themelimit të tij. Pra, ky është institucioni i parë me rëndësi kombëtare dhe shtetërore, i cili merret me studimin e historisë së Malit të Zi. E nënvizoj me historinë e Malit të Zi, që do të thotë të gjitha kombeve dhe në përgjithësi tërë territorit gjeografik të Malit të Zi.
Në kuadër të Institutit të Historisë së Malit të Zi deri tani kanë dalë një numër i madh i studimeve, monografive, kurse në këtë moment Instituti i Historisë po punon në veprën shumëvëllimëshe të historisë së Malit të Zi.
Më duhet të them se gjatë historisë së tij 60-vjeçare, ky institucion ka pësuar sadisfaksionin dhe afirmimin e tij të plotë sepse janë botuar me mijëra njësi lidhur me të gjithë problematikën e historisë në Mal të Zi. Siç e dimë, çdo gjë e ka historinë e vet, kështu që kemi historinë ushtarake, shtetërore, gjuhësore, historinë e popujve, etj. Pra, Instituti është institucion i hapur që merret jo vetëm me historinë ushtarake, por në përgjithësi me historinë e të gjithë popujve, me historinë e çdo gjëje që ka fillimin dhe kohëzgjatjen e vet.

Koha javore: Çfarë bën konkretisht Instituti i Historisë lidhur me historinë e shqiptarëve në Mal të Zi?
B. Shekullarac: Deri para dy viteve kemi pasur një shqiptar i cili ka punuar në Institutin e Historisë. Bëhet fjalë për profesorin Mark Camaj, i cili ka punuar përreth njëzet vjet në Institutin e Historisë, duke u marrë me problematikën e shqiptarëve dhe në të njëjtën kohë ka marrë pjesë edhe në projektet e tjera të Institutit Historik.
Së dyti, drejtori i mëparshëm i Institutit të Historisë, prof. Dr. Gjorgje Borozan, është njohës shumë i mirë i marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave.
Sa i përket ndonjë plani për të ardhmen të Institutit lidhur me historinë e popujve pakicë, konkretisht të shqiptarëve, unë në këtë moment nuk mund të them diçka më tepër, përveçse që ka njerëz që tani janë në studimet postdiplomike në Fakultetin Filozofik në Nikshiq, në mesin e të cilëve edhe shqiptarë, dhe unë besoj se nga këta kuadro do të gjendet dikush që do të gjejë vend në Institutin e Historisë për tzu marrë me këtë çështje.
Më duhet të potencoj edhe një gjë. Unë jam iniciator dhe jam angazhuar që në Mal të Zi të hapen studimet në gjuhën shqipe. Në atë kohë kam qenë ndihmësministër i Arsimit, i ngarkuar me shkencën dhe për këtë ide kam marrë pëlqimin e ministrit të atëhershëm të Arsimit, Dragan Kujoviq. Sot jam shumë i kënaqur dhe i gëzuar që kjo ide është jetësuar dhe që ne sot në Universitetin e Malit të Zi kemi studimet në gjuhën shqipe. Sepse mendoj që shqiptarët duhet të shkollohen në vendin e tyre dhe në gjuhën e tyre.

Koha javore: Përfaqësuesit e shqiptarëve në Mal të Zi ankohen vazhdimisht për programet e lëndës së historisë në shkolla duke theksuar se nxënësit shqiptarë gjatë shkollimit të tyre mësojnë më shumë rreth historisë së popujve të tjerë sesa për historinë e vet. Çfarë mendoni Ju për këtë?
B. Shekullarac: Këtu duhet të kemi parasysh dy gjëra. Së pari, deri para 10-12 vjetëve, jo vetëm nxënësit shqiptarë, por edhe malazezët kanë mësuar kryesisht historinë e cila ka qenë në programe. Ja një e dhënë.
Kur para dhjetë viteve kemi kryer analizën e teksteve dhe programeve, kemi pasur rastin që populli malazez ka qenë i përfaqësuar në to 3-5 për qind e të mos flas për shqiptarët.
Unë, për hir të rastit, kam qenë udhëheqës i projektit për hartimin e programit dhe teksteve në bazë të disa kritereve dhe lëvizjeve të reja. Ne kemi arritur që me angazhimin e 30 personave të hartojmë programet dhe tekstet. Tani kemi një situatë krejt të ndryshme ku historia e Malit të Zi është e përfaqësuar prej 30-50 për qind në programet dhe tekstet mësimore.
Ndërsa sa u përket shqiptarëve, deri para dhjetë viteve unë nuk e di nëse është përmendur fare populli shqiptar në programet dhe tekstet e historisë. Ne tani, në bazë të kritereve të reja mbi studimin, mënyrës së re të hartimit të programeve dhe teksteve, kemi rastin që shqiptarët janë të përfaqësuar në programe dhe në tekste me rreth pesë për qind. Për herë të parë të gjithë nxënësit në Mal të Zi duhet të mësojnë edhe historinë e shqiptarëve në një përqindje diku rreth pesë për qind.
Nga ana tjetër, në shkollat me mësim në gjuhën shqipe është lejuar përqindje shtesë e mësimit të historisë së shqiptarëve.

Koha javore: Sa kanë dijeni nxënësit malazezë, më saktësisht malazezët për historinë e shqiptarëve duke marrë parasysh edhe faktin se kemi të bëjmë me dy popuj fqinjë?
B. Shekullarac: Së pari, unë nuk mendoj se ne jemi fqinjë. Ne jetojmë bashkë. Pra, populli shqiptar është pjesë përbërëse edhe e Malit të Zi. Në këtë kontekst, unë jam ithtar i madh i zhvillimit të bashkëjetesës në këto hapësira. Prandaj, në këtë kontekst duhet shikuar edhe programet dhe tekstet. Siç thashë edhe më parë, unë jam angazhuar që të gjithë nxënësit në Mal të Zi të kenë informacion dhe të dinë kush janë fqinjët e tij.
Ndër të tjera, edhe në një promovim me rastin e jubileut të shkollës në Tuz, e kam mësuar një fjali përmendësh dhe e kam thënë në gjuhën shqipe, duke dëshiruar në këtë mënyrë të them se unë dua që fqinjin tim ta përshëndes në gjuhën e tij. Kjo do të thotë që edhe fëmijët e mi duhet të kenë informacion për shqiptarët dhe ashtu siç e mësojnë shqiptarët në Mal të Zi historinë e popullit malazez, edhe malazezët duhet të mësojnë historinë e shqiptarëve si fqinjë të tyre. Ne duhet ta respektojmë njëri tjetrin sepse vetëm kështu mund të ecim përpara.

Koha javore: Gojëdhënat popullore flasin për origjinën e përbashkët të fiseve shqiptare dhe malazeze. Si e trajton historia këtë çështje?
B. Shekullarac: Për fat të keq, tërë historia e Malit të Zi nuk është e vendosur ende në themelet e duhura. Viteve të fundit kanë dalë shumë monografi, të cilat e korrigjojnë këtë padrejtësi historike. Fëmijët tanë kanë mësuar historinë njëkahëshe për një kohë të gjatë. Tani ka ardhur koha dhe kemi shumë monografi të cilat historinë e Malit të Zi e vendosin në themele të duhura.
Nga ajo që unë di, mendoj se keni absolutisht të drejtë që ka shumëçka të përbashkët edhe në origjinën e shqiptarëve dhe malazezëve, ndër të tjera edhe kur bëhet fjalë për fiset.
Do të vë në pah vetëm një shembull. Vlladika Vasilije Petroviq kur ka kërkuar mbështetjen e Mbretëreshës ruse për Malin e Zi, ajo i është përgjigjur: Duam, por së pari duhet të thuash se cili është ai shtet dhe cilët janë ata popuj që jetojnë në këtë shtet? Ndër të tjera, Vasilije Petroviqi numëron fiset që janë nën ingjerencat e tij. Dhe numëron ndër të tjera Kuçin, Hotin, Shkrelin. Pra, ai nuk i ndan popujt, por i konsideron me origjinë të përbashkët. Prandaj, ky është një rrëfim që do të mund të zinte vend kur bëhet fjalë për gjenealogjinë e përbashkët të fiseve shqiptare dhe malazeze, që për hir të së vërtetës, nuk është studiuar aq shumë.
Me sa di unë, ne kemi vetëm dy njerëz që janë marrë deri tani me gjenealogjinë e fiseve malazeze. Këta janë Branisllav Gjurgjev dhe Gligor Stanojeviq. Por këtu ka hapësirë të mjaftueshme që kjo çështje të hapet dhe që në të ardhmen të punohen programe të përbashkëta dhe që njerëzit të punojnë bashkë në këto programe.

Koha javore: A duhet të rishikohet historia e Malit të Zi? Çfarë bën Instituti i Historisë në këtë drejtim?
B. Shekullarac: Kohës së fundit ne po bëjmë çdo gjë që tzi mbulojmë të gjitha periudhat historike, duke filluar që nga antikiteti e deri te periudha bashkëkohore. Po mundohemi ta zgjidhim këtë me angazhimin e kuadrove për të gjitha këto fusha. Për fat të keq, në Mal të Zi ka shumë pak kuadro që merren me histori, por unë shpresoj që në të ardhmen do të shfaqen më tepër njerëz të interesuar për shkencën.
Unë shpresoj po ashtu se do të paraqitet edhe personi që është doktor i shkencave historike për historinë e shqiptarëve. Nëse ekziston ndonjë i tillë, unë e ftoj publikisht që të lajmërohet. Do të mundohemi që tzi gjejmë vend për ta angazhuar në Institutin e Historisë që të merret me historinë e shqiptarëve në kontekstin e të mirës së përgjithshme dhe historisë së Malit të Zi.

Bisedoi: I. Kallaba
KOHA JAVORE