Ferhat Dinosha konteston zgjedhjen në këshill nacional,gazetarin Musa Gjoka

May 13, 2008   | Politika, Shtypi / Mediji

Musa Gjoka E çuditshme vërejtja Juaj ndaj hyrjes së gazetarit në këshillin nacional të shqiptarëve!
(Reagim ndaj deklaratës së Ferhat Dinoshës, publikuar në artikullin mbi konstituimin e Këshillit Nacional të shqiptarëve në Mal të Zi, në gazetën “Koha javore” nr. 319)

Reagimi liderit të UDSH-së, z. Ferhat Dinoshës, në lidhje me punën e kuvendit të elektorëve, i cili, mes tjerash, konteston zgjedhjen në këshill nacional të gazetarëve, vërtet më ka befasuar. Meqë unë jam i vetmi gazetar që është zgjedhur anëtar i këtij trupi, nuk është vështirë të supozohet se për kë e ka fjalën z. Dinosha, andaj e kam vlerësuar të nevojshme dhe të arsyeshme që të reagoj me pak fjalë. Vërejtjet që u drejtohen atyre(funksionarëve partiak), të cilët e kanë shfrytëzuar zbrazësinë ligjore dhe janë kandiduar në kuvendin e elektorëve, deri diku mund të kuptohen, por çudit konstatimi i zotit Dinosha se gazetari nuk do të duhej të gjendej në këtë trup mbipartiak! Këshillin Nacional të Shqiptarëve e shoh si një mozaik, në të cilin çdo anëtar me profesione të ndryshme do të paraqiste pasuri për të gjithë, natyrisht duke shpresuar se ai, mes tjerash, do të merret edhe me çështjen e informimit të shqiptarëve në Mal të Zi. Duke ushtruar profesionin e gazetarit, i njoh nga afër problemet me të cilat përballen mjetet e informimit shqip në Mal të Zi, andaj edhe roli im (ose i çdo gazetari tjetër) në këshill do të jetë në drejtim të zgjidhjes së tyre. Për mua, zgjedhja në këtë trup kaq të rëndësishëm për shqiptarët në Mal të Zi, është nder, por po aq dhe ndoshta edhe më shumë – edhe obligim e përgjegjësi! Vlerësoj se angazhimi im, edhe pse pa ndonjë forcë politike, do të kontribuojë që Këshilli të jetë një ombrellë, nën të cilën do të bashkohen të gjitha subjektet, qofshin politike, qofshin joqeveritare, rreth një qëllimi, në mënyrë që ta avancojmë, në mënyrë të koordinuar, realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi.ferhat dinosha_2
Zoti Dinosha, më ka befasuar konstatimi Juaj se në Këshill, në kuotën e paraparë për sektorin civil, kanë hyrë funksionarë të një partie, kurse në anën tjetër harroni, apo e fshihni me qëllim të vërtetën se pikërisht në kuvend, në rolin e elektorëve, kanë marrë pjesë anëtarë e funksionarë të lartë të UDSH-së, të cilët nuk ishin në gjendje të fitojnë përkrahjen e duhur të elektorëve. Ç` faj kam unë për këtë, apo ndoshta, për hir të tyre, është dashur të tërhiqet gazetari (Musa Gjoka)? Po edhe një pyetje tjetër: Si mund ta kritikoni ligjin me të cilin jeni mburrur, madje edhe në fushatën e fundit presidenciale si edhe një sukses të madh të partisë në krye të së cilës jeni!? E kritikoni ligjin që e ka përgatitur Ministria e Pakicave në krye të së cilës është funksionari i lartë i UDSH-së!? Për t`Ju përkujtuar se në këtë ministri këshilltar juridik po ashtu është anëtari e funksionari i UDSH-s. Zoti Dinosha, nuk ndihem i lumtur që në këtë organizëm, përveç atyre që anëtarësimin e kanë siguruar përmes funksionit, gjenden edhe funksionarë të një partie e që janë zgjedhur në kuvendin elektoral. Jam skeptik për punën e Këshillit, sepse kam frikë që fryma e animozitetit që mbretëron në skenën politike shqiptare në Mal të Zi në mes dy partive, e jo vetëm atyre, do të reflektohet edhe në Këshillin Nacional Shqiptar. Në një konstatim dua të pajtohem me Ju! Sikurse të kishte ndodhur e kundërta, që në Këshill të kishin hyrë persona jopartiak, intelektualë të pavarur apo aktivistë të sektorit civil, edhe atmosfera besoj se do të kishte qenë më konstruktive. Bojkotimi eventual i Këshillit nga partia Juaj do të ketë pasojë në punën e tij, andaj Ju bëj apel që të vini në mbledhjen e radhës ku pritet të zgjedhen organet e Këshillit dhe me veprime konkrete t`i jepni frymë demokratike këtij organizmi, kreatore e të cilit është partia që e drejtoni Ju.
Musa Gjoka
gazetar i RTMZ dhe anëtar i Këshillit Nacional të Shqiptarëve.
KOHA JAVORE