Shqiptarët në Mal të Zi nuk i bashkon as këshilli nacional

May 14, 2008   | Shoqëria / Društvo, Shtypi / Mediji

Shaban PerajRavgimi i pashmangshëm optik i syve të shpirtit
Para fillimit të një pune siç ishte rasti me themelimin e Këshillit Nacional të shqiptarëve në Mal të Zi është dashur të bëhet çdo lloj këshillimi i nevojshëm e të merren të gjitha masat në mënyrë që pastaj të mos bihet në pozita të tilla si fajësimi i të tjerëve dhe kritika ndaj fatit, gjë që e vështirëson fatkeqësinë.
Duke iu përmbajtur deklaratave të disa udhëheqësve politikë shqiptarë në Mal të Zi lidhur me formimin e Këshillit Nacional, është për të vënë në dukje se nuk është temë diskutimi se cila palë ka të drejtë për reagime, por sheshazi është e qartë se njërit krah i paska mbetur merak dështimi i zgjedhjes së anëtarëve të tyre në këtë Këshill, apo pse nuk u bë zgjedhja sipas dëshirës së tyre. Ata që vazhdimisht thërrasin e bërtasin përreth gjoja se këtu paska pasur shkelje të rregullores e se kjo paska ndodhur në kundërshtim me dëshirën e tyre, harrojnë se kështu i humbin miqtë e i gëzojnë armiqtë, e duke sulmuar lartë e poshtë, e kthejnë këtë fuqi kundër vetes! Thëniet se në këtë Këshill: “Nuk paska përfaqësues të OJQ-ve, të gjinisë femërore apo intelektualë të pavarur” (se kush janë këta të pavarur një zot e di!), nuk mund të provojnë se të njëjtit nuk u përkasin subjekteve politike, bile janë shumë aktiv edhe atje ku nuk u takon. Në të kundërtën të njëjtit paralajmërojnë se nëse kjo nuk zgjidhet sipas tyre, ose nëse ka pasur shkelje ligjore, do të provojnë që këtë të drejtë ta realizojnë përmes gjykatës. Shkaku i mirëfilltë i këtij gabimi (nëse mund të quhet kështu) është ravgimi i pashmangshëm optik i syve të shpirtit, si pasojë e së cilës jeta për shqiptarët në Mal të Zi, vëzhguar nga kreu duket se nuk ka fund, ndërsa e riparë nga fundi i rrugës rezulton mjaft e shkurtër. Shikuar nga ky aspekt, një iluzion i tillë ka të mirat e veta, meqë përndryshe me shumë vështirësi do të fillonim të bënim diçka të madhe. Në këtë kuptim duken të paarsyeshme përpjekjet e disave për të zgjidhur gërçin nga provokimi që i bëhet krahut tjetër. Duken të paarsyeshme reagimet e tyre edhe për faktin se të njëjtit kanë qenë të lirë të konkurrojnë për të aderuar në këtë Këshill, ku çdo gjë mund të vihet nën kontroll dhe jo për shkak të turbullirave gjithkënd e gjithçka ta shohim të turbullt. Po qe se të tillët kanë vendosur të jenë shtyllë e mirë për kombin e vet, siç deklarojnë, atëherë duhet ti harrojnë interesat e veta ndërkohë që edhe interesin më të vogël që ka të bëjë me kombin, nuk duhet ta nxjerrin qoftë edhe për një çast nga mendja.
Nuk është koha dhe momenti që të njëjtit të abuzojnë me opinionin, por të gjejnë kurajon për të marrë pjesë në zgjedhjen e strukturave udhëheqëse të këtij këshilli nga ku secili anëtar i këtij organi do të duhej të japë llogari në mënyrë individuale për punën dhe angazhimin e vet kundrejt misionit që duhet realizuar. Kjo edhe për faktin se pozita jonë nuk është aq e lakmueshme pasi shumë procese dhe reforma kanë mbetur të ngrira, duke u përballur me probleme të shumta në fushën sociale, arsimore, kulturore e politike. Për të tashmen vlen mendimi i Senekës: “Çdo gjë e re është si një jetë e re”. Të këqijat e ardhshme, që janë krejtësisht të sigurta kanë të drejtë të na turbullojnë, por, për momentin politikanët duhet të kënaqin popullin nga ku ka shumë rëndësi që populli të thotë “politikani im”dhe pandeh se kjo është ajo që kërkohet gjithmonë. Në çdo gjë ka politikë, ndërkaq politika e atyre që përgatisin ligjet e rregullat e lojës duhet të jetë politikë e masës, ndaj nuk kemi arsye të dyshojmë se hartuesve të rregullave u ka dalur nga dora mënyra e propozimit dhe e zgjedhjes së anëtarëve të këtij Këshilli sa të na bëjnë të mendojmë se kjo qenka bërë me ndonjë qëllim të caktuar.
Shaban Peraj
KOHA JAVORE