Këshilli Nacional i pakicës shqiptare në Malin e Zi dhe sfidat që e presin

May 15, 2008   | Politika, Shtypi / Mediji

demokraciDetyrë parësore dhe moto të veprimtarisë së vet Këshilli Nacional duhet të ketë aktualizimin e çështjes shqiptare në instancat më të larta shtetërore dhe ndërkombëtare, në nivelin që i takon dhe paraqitjen e situatës reale të pozitës së shqiptarëve në Malin e Zi. Probleme ka mjaft, por varet sa do jemi ne në gjendje t’i evidentojmë ato dhe t’i paraqesim si të tilla.
Më në fund edhe shqiptarët në Malin e Zi arritën që, në bazë të ligjit, ta kenë Këshillin e vet Nacional. Të themi të drejtën ishim mjaft dyshues dhe të pa vendosur për ta marrë këtë iniciativë çka tregon vetë fakti se ishim pakica e fundit që bëri konstituimin e Këshillit të vet Nacional dhe për këtë u desh iniciativa direkte e Ministrisë përkatëse dhe afatizimi kohor, sepse përndryshe ndoshta akoma do të ishim në hamendje dhe dilema.
Pyes, pse ndodhi kështu? A thua shqiptarët, që dikur ishin të etshëm ta thonë fjalën e vet dhe mjaft këmbëngulës në kërkesa, humbën diçka nga vetja e tyre në rrugën e gjatë dhe mjaft të vështirë parlamentare?!
Përgjigja shtrihet nga mendimi më skeptik i cili që në fillim bën thirje për bojkot e heqje dorë nga ky projekt e deri te qasja më pozitive dhe vlerësimi maksimal që mund t’i atribuohet ekzistimit të Këshillit nacional.Unë që në fillim do të thoja se të parët e kanë gabim, ndërsa të dytët kanë tepër vetëbesim. E vërteta e ka vendin e vet dhe qëndron diku tjetër.
Siç e dimë të gjithë, Mali i Zi është një shtet i cili tenton të ndjekë rrugën e integrimeve euroatlantike sikurse edhe shtetet tjera fqinje. Së paku kështu deklarohet dhe na vjen mirë sidomos edhe kur shohim ndonjë iniciativë direkte në atë drejtim.Mirëpo kur kemi të bëjmë me politikën shtetërore ndaj pakicave ajo është konstante dhe e patjetërsueshme që shkon vijës ideologjike e cila shprehimisht mund të kuptohet në këtë mënyrë:
-,,Sa të mundesh freno, pastaj kur është nevoja pak lësho dhe në maksimum përfito”.
Kjo është një maksimë mjaft frytdhënëse dhe me rezultat absolut në dobi të shumicës, e shfrytëzuar deri tani.Këtë e vërteton edhe hulumtuesi i shkeljes së të drejtave dhe lirive të njeriut z. Aleksandar Sasha Zekoviq i cili, duke u bazuar në të dhëna konkrete,në një rast shprehet qartë: -,,Mali i Zi ka pakicat më të durueshme në rajon”.
Kjo për mua është tepër serioze dhe alarmante aq më tepër kur vërejmë simptomat e parë të evoluimit të durimit në vetëkënaqësi e kjo s`është kurrgjë tjetër përveç se mazohizëm i vërtetë politik.
Vërtet ka vlerësime nga faktori ndërkombëtarë, se Mali i Zi ka bërë levizje në drejtim të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut si dhe të pakicave, me aprovimin e Kushtëtutes dhe Ligjit për të drejtat dhe liritë e pakicave. Mirëpo,akoma nuk i siguron të gjitha të drejtat dhe liritë e garantuara me konventat e njohura ndërkombëtare. Gjithashtu, duhet marrë parasyshë se në çfarë trysnie politike është marrë vendimi për miratimin e këtyre akteve juridike, ndërsa për implementim as që bëhet fjalë edhe pse është tejkaluar çdo afat kohor, kur është dashur të bëhet harmonizimi i ligjeve ekzistuese me aktin më të lartë juridik siç është Kushtetuta.
Duhet të kujtoj këtu se Ligji për liritë dhe të drejtat e pakicave miratohet vetëm disa ditë para referendumit për pavarësinë e Malit të Zi,si rezultat i një marrëveshtje,aspak transparente dhe gjysmake, në mes partisë në pushtet dhe një subjektit politik nacional.
Si kalohet zalli dhe nuk duhet më kali, Gjykata Kushtetuese hedh poshtë dy nenet më substanciale të këtij ligji, që kanë të bëjnë me mandatet e garantuara për këshilltarë nga radhët e pakicave, pra përfaqësimi autentik, dhe atë në prag të zgjedhjeve paralamentare.A nuk është kjo një lojë teatrale fatkeqësisht e thurur bukur mirë?
Dhe kështu duke nxjerrë mjaft mësime njëri pas tjetrit vijmë deri të formimi i këshillave nacionale të pakicave.Me sa di unë ky është rasti i parë i implementimit në realitet që i bëhet ndonjë neni të ligjit për pakica. Dhe ndoshta kjo është më e rëndësishmja për momentin.
Mirëpo nëse mendojmë se kemi kohë për komoditet gabohemi. Që nga dita e konstituimit dhe në të ardhmen këtë këshillë e presin detyra të rëndësishme dhe mjaft serioze, ndërsa ne si anëtarë të Këshillit nacional të pakicës shqiptare na pret një punë me mjaft përgjegjësi nëse duam të jemi në nivel të detyrës që na është besuar.

Në fillim duhet të konstatojmë se çështja e shqiptarëve në Mal të Zi akoma mbetet e pa zgjidhur dhe ajo as për së afërmi nuk e ka gjetur rrugën e vet. Për këtë një pjesë të përgjegjësisë e mban faktori politik shqiptar në Mal të zi,me krijimin e një numri enorm të partive politike,secila me marketing politik në rritje, por me qëndrim dhe kërkesa në zbritje. Situata gjeopolitike në rajon dhe ngjarjet konfliktuale gjithashtu patën ndikimin e vet, duke bërë që çështja e shqiptarëve në Mal të Zi konstant të qëndrojë në plan të dytë.Nuk dua ti mbetem borxh dhe të lë pa përmendur edhe rolin e pushtetit qëndror i cili më së miri e shfrytëzoi këtë situatë për të mbajtur një qëndrim mjaft destruktiv ndaj pakicave të cilin edhe vazhdon ta ketë, ç’është e vërteta tani në mënyrë më pasive.
Pra si fillim, detyrë parësore dhe moto të veprimtarisë së vet Këshilli Nacional duhet të ketë aktualizimin e çështjes shqiptare, në instancat më të larta shtetërore dhe ndërkombëtare, në nivelin që i takon dhe paraqitjen e situatës reale të pozitës së shqiptarëve në Malin e Zi. Probleme ka mjaft, por varet sa do jemi ne në gjendje t’i evidentojmë ato dhe t’i paraqesim si të tilla.
Sot fëmijët tanë nëpër shkolla mësojnë me programe të cunguara dhe tejet tendencioze, duke përdorur përkthime aspak korrekte dhe në disa raste mjaft keqëdashëse.
Kultura, historia, arti, shkenca paraqiten si vepra të një populli i cili nuk u ka dhënë kurrgjë, apo fare pak, këtyre fushave edhe pse dihet mirë se kontributi i popullit shqiptar është tepër i madh dhe i padiskutueshëm në këtë drejtim.
Informimi në gjuhën shqipe as për së afërmi nuk i plotëson nevojat e këtij populli edhe pse në këtë fushë kemi një potencial kadrovik që do të na kishin lakmi edhe të tjerët.
Lidhjet me shtetin amë janë tepër sporadike dhe do të thoja të nivelit individual.Përfaqësimi autentik si dhe pjesmarrja e shqiptarëve nëpër institucione të ndryshme është në nivelin e ndonjë pakice emigrantësh e jo të një populli autokton me traditë, kulturë e histori mijëravjeçare në këto troje.
Përdorimi i simboleve kombëtare është tepër i ngushtuar dhe lë hapësirë për interpretim.Këto dhe mjaft të tjera janë probleme me të cilat duhet të ballafaqohet Këshilli Nacional i shqiptarëve në Malin e Zi dhe në mënyrë dinjitoze dhe profesionale ta thotë fjalën e vet në cilësinë e një faktori relevant dhe të patjetërsueshëm.
(Autori është anëtar i Këshillit Nacional)
Naser Perashi

KOHA JAVORE