Dëshmi e historisë së lavdishme

May 20, 2008   | Kulturë / Kultura, Shtypi / Mediji

hajro ulqinakuDetaria ka përbërë në të kaluarën degën kryesore të jetesës për qytetarët e Ulqinit. Historia flet se Ulqini në të kaluarën, jo fort të largët, ka pasur një flotë të fuqishme, e cila është krahasuar me flotat më të njohura në rajon, kurse detarët ulqinakë kanë qenë të njohur dhe me zë jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. Për fat të keq, shumëçka nga kjo pjesë e historisë së lavdishme të këtij qyteti ka mbetur e pashkruar, e padokumentuar, dhe si e tillë është harruar. Bile edhe ato pak libra që janë shkruar mbi detarinë e Ulqinit, pra historinë e tij, në të shumtën e rasteve janë shkruar nga joshqiptarët, shpesh duke i keqinterpretuar gjërat, qoftë për interesa të kohës apo për interesa të tjera.
Vetëm viteve të fundit vërehet një përpjekje e shtuar e studiuesve për tzu marrë me këtë pjesë të pashkruar të historisë së detarisë së Ulqinit. Në këtë mes një rol të veçantë zë Hajro Ulqinaku. Pas dy librave paraprakë “Deti, detaria e Ulqinit” dhe “Detarë, peshkatarë ulqinakë”, ai i ka shtuar së fundi këtij cikli mbi detarinë librin “Detaria, detarë, dokumente”.
Ky libër përbën vazhdimin e përpjekjeve të këtij autori për të dëshmuar mbi një pjesë të historisë së lavdishme të detarisë së Ulqinit. Në libër janë prezantuar një varg i detarëve të njohur ulqinakë që nga kohët më të lashta e deri në ditët e sotme, të cilët edhe e kanë shënuar historinë e detarisë së këtij qyteti. Autori e ka ndërtuar librin mbi bazën e të dhënave dhe dëshmive të trashëgimtarëve të detarëve, të dhëna dhe dëshmi që janë përcjellur e bartur deri në ditët e sotme. Shumë nga këto të dhëna janë shkruar pa u ndryshuar dhe pa ndërhyrë fare në to apo siç thotë vetë autori, “i ka qit në letër, në libër, ashtu siç ia kanë kallëzuar”.hajro ulqinaku1
Por përveç këtyre të dhënave, Ulqinaku në librin e tij është mbështetur edhe në dokumentet autentike të së kaluarës, si matrikulla të detarëve, libreza detarie, diploma, tapi, kontrata për shitblerjen e anijeve, leje lundrimi, çertifikata, dekrete etj., një pjesë e të cilave të publikuara për herë të parë, gjë që ia rrisin vlerën këtij libri. Për fat të keq, shumë nga këto dokumente, të cilat përbëjnë bazën e studimeve mbi detarinë e Ulqinit, janë humbur, qoftë nga pakujdesia apo nga rrethana të tjera objektive.
Libri “Detaria, detarë, dokumente” përbën një kontribut të çmueshëm për dokumentimin e historisë së Ulqinit, por edhe një ndihmesë për studimet e ardhshme mbi detarinë e këtij qyteti.
Ismet Kallaba
Koha Javore

KTO JAN VIDEO TË ULQINIT TË LASHT JAN PËR TU SHIQUAR SE KAN VLER HISTORIKE

YouTube Preview Image