Shpata në vend të peshores

May 24, 2008   | Anketë / Anketa, Shtypi / Mediji

DREJTSI Ne qenkemi në gjendje të vrasim për të ruajtur postin, të shpifemi apo edhe t’i bëjmë shantazh ndokuj, thjesht sepse, sipas nesh, ne paskemi vulën e pastërtisë dhe të drejtës.
Atëherë, simbol i drejtësisë nuk duhet të jetë peshorja por shpata, sepse ne me shpatë i zgjidhim më së miri gjërat, përndryshe organet tona tani janë klimatizuar me vrazhdësi dhe butësia e toleranca do të ishin të papërballueshme për to.
Maqedonia e arsyeton më së miri thënien e vjetër latine “Hannibal ante portas”, apo përkthyer më lirshëm: mbani kokën se po vijnë politikanët dhe kjo ndodhë mu në fushatën parazgjedhore, kur kryhet atentat mbi njërin nga liderët shqiptarë në Maqedoni.
Kaq për tolerancën, kurse për përmbushjen e rregullave të demokracisë, as të mos flasim.
Ne shqiptarët qenkemi popull i veçantë, sepse qenkan dy lloje shqiptarësh, ata që kanë të drejtë dhe ata që nuk kanë dhe, sipas mendimit që ne paskemi krijuar, duhet të eliminohet çdo herë njëra palë.
Shkollë të gjatë patëm komunizmin, nga i cili mjerisht nuk ndahemi.
Eliminimi, mënyrë bizantine e heqjes qafe të rivalit, është pjesë përbërëse e gjenit tonë dhe deri sa të mos e çrrënjosim këtë nuk duhet të shtiremi si një popull perëndimor.
Politikani i Ballkanit qenka më i devotshëm dhe më dashamirës i kombit dhe vendit të vet sesa politikanët e vendeve të tjera, prandaj edhe iu dhënka mundësia që në bazë të gjykimit të vet, të ekzekutojë.
Por a bëhet kjo thjesht për politikë apo për pozitë, dhe a ia vlejnë pozitat tmerrin që ata po krijojnë.
Ne qenkemi në gjendje të vrasim për të ruajtur postin, të shpifemi apo edhe t’i bëjmë shantazh ndokuj, thjesht sepse, sipas nesh, ne paskemi vulën e pastërtisë dhe të drejtës.
Atëherë, simbol i drejtësisë nuk duhet të jetë peshorja por shpata, sepse ne me shpatë i zgjidhim më së miri gjërat, përndryshe organet tona tani janë klimatizuar me vrazhdësi dhe butësia e toleranca do të ishin të paperballueshme për to.
Shqiptarët në Maqedoni i dhuruan kombit një Nënë Tereze, kjo thjesht të shpien të nënkuptosh se një grua e përmasave botërore nuk kishte mundësi të dalë nga një vend apo komb ku nuk ka tolerancë.
Po ku është toleranca në mesin e shqiptarëve dhe në cilën shkallë është ajo?
Unë dyshoj se mungesa e tolerancës e ka burimin te populli, ai mund të animohet, largohet, polarizohet, por një komb me një gjuhë dhe me çdo gjë të përbashkët të vijë deri në këtë shkallë, duhet të ekzistojë një arsye e stërmadhe, ose një gjë aq evidente saqë nuk ka nevojë të arsyetohet.TOLERANCE
A mos lojen e djallit këtu e kryejnë politikanët për kapriçon e prestigjit të tyre partiak.
Kaq me rëndësi qenka vendi i një deputeti saqë populli duhet të kacafytet, apo më mirë çka bënë ata deputetë për kaq vite që të implementohet Marrëveshja e Ohrit të pranohet Kosova, ose të ulet sadopak papunësia, të rritet standardi që të jetë kaq i lakmueshem.
A mos kollaret e kryepolitikanëve dhe ngjyrat e tyre, që ata t`i ndryshojnë çdo ditë, qenkan kaq të rëndësishme saqë një komb mes vetes të bëjë atentate.
Politikanët duan që çdo gjë, siç duket, të vënë në shërbim të interesave të veta. Të paaftë për të prodhuar mirëqenie, ata prodhojnë konflikte.
Jam i mendimit se populli i një të dituri, siç është Arbër Xhaferri, nuk duhet të hedhë mbi veten ngarkesën e atyre që nuk janë të aftë të përmbushin premtimet e veta dhe kjo nuk vlen veç për shqiptarët e atjeshëm, por kudo.
Partitë politike nuk janë substrat i konflikteve të shtresave, por ekstrakt i organizimit të kategorive rreth programeve të veçanta.
Ndoshta ne shqiptarët në Malin e Zi nuk jemi shembulli më i mirë se si duhet të sjellen politikanët, por gjithsesi edhe nga kjo largësi dhembin atentatet në Tetovë.
Më mirë asnjë ulëse në parlament, sesa kjo që dëgjohet. Kush na ka helmuar kaq rëndë, saqë sot të shndërrohemi në atentatorë me njëritjetrin?
SHAKTRIMI I SHQIPAREVE Nëse politikanët nuk janë të aftë ta zgjidhin një hall, aty nuk ka pretekste dhe arsyetime, thjesht duhet t`ia kalojnë fjalën dikuj tjetër.
Por kjo nuk arrihet derisa politikanët nga radhët e veta gjejnë ithtarë të tillë që janë të gatshëm që të kryejnë atentat mbi dikë, ose të fyejnë, ose edhe të shikojnë shtrembër.
Dhe vërtet, nëse dikush insiston aq shumë për të marrë një post, ai që kryen këso punësh duhet të identifikohet dhe thjesht të largohet, sepse aty nuk qëndrojnë interesat e masës, por të individëve, kurse individët kanë interesa aq të çuditshme nganjëherë saqë vështirë identifikohen. Dhe nuk është edhe aq fisnike të insistosh të jesh në shërbim të popullit, fisnikëria qëndron kur populli të lutë të bëhesh bari i tyre dhe kur nuk i imponohesh me turlilloj mjetesh.
Robert Camaj
KOHA JAVORE