Alternativa shqiptare kërkon mandate të garantuara për pakica në parlamentin e Malit të Zi

May 26, 2008   | Politika, Shtypi / Mediji

Vasel Sinishtaj_tuzTë ruhen të drejtat e arritura
Podgoricë – Alternativa Shqiptare (ASH) kërkon që përfaqësimi i pakicave në Parlamentin e Malit të Zi të zgjidhet përmes garantimit të një numri të caktuar të mandateve.
Sipas saj, për këto mandate mund të konkurrojnë edhe partitë qytetare.
“Edhe partitë qytetare mund të konkurrojnë për këto mandate, por me kusht që në listat e tyre të jenë përfaqësues nga radhët e pakicave.” Nëse ata fitojnë numrin më të madh të votave, atëherë ata mund të thonë se janë përfaqësues të pakicave”, ka thënë deputeti i ASH-së, Vasel Sinishtaj.
Ai ka thënë se përmes marrëveshjes mund të zgjidhet se sa përfaqësues do të fitonte secila pakicë, ndërsa shqiptarët duhet të ruajnë pesë mandate sa kanë aktualisht.
“Shqiptarët kanë përvojë në këtë drejtim sepse që nga fillimi kanë njësinë e vet zgjedhore. Për pakicat e tjera numri i mandateve mund të jetë çështje e diskutimit”, ka thënë Sinishtaj.
Ai ka theksuar se nuk është ithtar i të ashtuquajturës votë e dyfishtë, sipas së cilës pakicave do tzu garantohej një mandat, kurse tjetri do të fitohej në “lojën zgjedhore”.
“Qëndrimi im dhe i Alternativës Shqiptare është se nuk do të pranojmë asnjë zgjidhje nën nivelin e asaj që quhet e drejtë e arritur, gjë që do të duhej të ishte e garantuar edhe me Kushtetutë, kurse nga ana tjetër kjo e drejtë përcaktohet edhe me standardet ndërkombëtare”, ka nënvizuar Sinishtaj.
(Kohapress)