Mali i Zi:Bomba ekologjike në shtetin ekologjik
Problemet ekologjike në Ulqin pritet t’ju vije fundi. Këshilltari i ekologjisë në këtë komunë, Abedin Avdiu, deklaroi për Telegrafin se në bashkëpunim me homologët dhe qeverinë sllovake është përgatitur një pilot projekt që do të zgjidhte problemin shumëvjeçar të Kanalit të Braticës.
Vlera e ofruar nga partnerët sllovakë, prej 200 mijë eurove, si dhe 30% i kësaj vlere nga pushteti lokal, do stopojë njërin nga bartësit e katastrofës ekologjike në Ulqin.
Ekologu Avdiu shton se me zgjidhjen e problemit të Kanalit të Braticës zgjidhet edhe një pjesë e mirë e problemit të Port Milenës.
Dy emrat e lartë përmendur tashmë janë bërë të njohur në tërë rajonin si pika të zeza ekologjike, deklaron ekologu, duke cekur se për Kanalin e Bratices fati po troket në derë.
Port Milena dikur vend atraktiv për shumë turistë të huaj, i shndërruar dekadave të fundit në “Bombë ekologjike” është në pritje të fatit.
Ekologu Avdiu deklaron se për zgjidhjen e problemit të Port Milenës duhet edhe ndërhyrja e shtetit sepse kostoja është marramendëse.
Ligjet e reja të aprovuara kohëve të fundit për taksën ekologjike rikthejnë shpresën e humbur për zgjidhjen e këtij problemi dhe mënjanimin e “Bombës ekologjike” nga shteti ekologjik.
Autor / Gëzim Ibroçi / Telegrafi