S’ka më zhurmë natën në Ulqin
Ulqin:Zbavitja e natës e turistëve kosovarë të cilët kanë zgjedhur Ulqinin për ti kaluar pushimet e tyre verore duket se këtë vit do të jetë më e varfër dhe më e shkurtër sesa viteve të kaluara kur deri në orët e mëngjesit është emetuar muzikë me zë të lartë. Netët e zhurmshme verore ulqinake në zonat e banuara tashmë kanë marrë fund.
Veçmas çmimeve relativisht të larta riviera e Ulqinit ka edhe disa surpriza jo fortë të këndshme për turistin kosovar i cili në Ulqin është mësuar të pushoj “lirë dhe mirë”.
Dëfrimi i natës viteve të kaluara ka zgjatur deri vonë ndërsa këtë vit muzika me zë të lartë në zonat e banuara të Ulqinit do të lejohet vetëm për tre orë nga ora 21:00 deri në 00:00.
Këtë vit komuna e Ulqinit është e vendosur ti mbrojë veshët e ulqinakëve dhe turistëve nga muzika me zë të lartë të Medës, Gjystes, Danit, Xenit. Nuk kanë mbetur anash as lokalet që njihen për lëshimin e muzikës rave, techno dhe rok. Kësaj vere të gjithëve do u ulet ndjeshëm zëri.
Policia komunale e Ulqinit duket se e ka marrë seriozisht punën e saj këtë duke mbyllur disa lokale nate të cilat e kanë tejkaluar nivelin e lejuar të muzikës në Ranë. Fatin e keq për tu mbyllur i pari e ka pasur lokali i natës “Fama” pronari i të cilit nuk ka pasur leje për lëshim të muzikës elektronike, zhurma e së cilës muzikë e ka kaluar edhe nivelin e lejuar nga komuna e qytetit bregdetar të Ulqinit.
Mbylljen e këtij lokali dhe përgatitjen për mbylljen e lokaleve të tjera të natës e ka konfirmuar për gazetën malaziase “Vijesti”Rifat Hajdinaga koordinator komunal i inspeksionit komunal.
Hajdinaga ka theksuar se i njëjti fat i zi do i gjejë edhe lokalet e tjera të natës pronarët e të cilëve nuk do pajisen me lejet e duhura nga sekretariati komunal.
Lokalet të cilat ndodhen në listën e zezë janë: “Belveder” “Divlji nar” “Royal”, “Sebastian”, “Milenium”, “Vivi”, “Galera”, “Capitan Hook”, “Kruna, “Taverna” dhe “Buddha bar”.
Burimi / Telegrafi