Mali i Zi së shpejti do ta njohë Kosovën, thotë deputeti Sinshtaj

vasel sinishtaj01Deputeti i Alternativës Shqiptare Vesel Sinishtaj ka deklaruar se Mali i Zi së shpeji do ta njohë Kosovën. Duke u mbështetur në burimet ndërkombëtare Sinishtaj ka thënë për një TV malazez se njohja mund të ndodhë në gjysmën e parë të gushtit. “Nuk duam të përzihemi në punët e qeverisë apo ajo që i përket qeverisë rreth njohjes së pavarësisë së Kosovës, mirëpo burimet tona dhe ajo që kemi nga komuniteti ndërkombëtar, mendojnë se më së miri është që kjo të jetë nga 5 deri më 15 gusht”, ka thënë Sinishtaj. Nga ana tjetër ai shtron çështjen nëse do të ketë revoltë ose reaksion të partive proserbe siç kanë paralajmëruar liderët e tyre. Sinishtaj ka porositur ato parti se nuk duhet luajtur me emocionet e qytetarëve të cilët mendojnë ndryshe, duke shtuar se nëse shtetet e fuqishme ndërkombëtare e kanë njohur Kosovën, nuk ka arsye që edhe Mali i Zi të mos e bëjë këtë. Ndërkaq lideri i Partisë Popullore Serbe Andrija Mandiq ka parajmëruar autoritetet malazeze që të mendojnë seriozisht për rrezikun e njojhes së mundshme të pavarësisë së Kosovës për stabilitetin e këtij vendi shumetnik. Ai ka thënë se Malin e Zi e presin protesta masive nëse qeveria e njeh pavarësinë e Kosovës dhe se partia e tij “do të marrë përgjegjësinë si të kanalizojë pakënaqësinë popullore”. Por menjeherë ka ardhur reagimi i Partisë Demokratike të Socialistëve në pushtet nga drejtori i saj politik Pedrag Sekuliq, i cili ka thënë se lideri i Partisë Popullore Serbe dhe partia e tij ka kohë që nuk paraqesin ndonjë forcë serioze politike dhe se kërcënimet e tij me protesta masive nuk duhet të merren seriozisht. Në anën tjetër lideri i Partisë Demokratike Serbe Ranko Kadiq ka thënë se frika e regjimit malazez nga reagimet e popullit është faktori më i rëndësishëm, i cili e shtyn njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Burimi / Qik