Për shkak të rrahjeve brutale, babai im vuajti 13 muaj

August 5, 2008   | Lajmet / Vijesti, Shtypi / Mediji

Dëshimitarja në gjykimin për shkak të tejkalimit të autorizimeve në aksionin “Fluturimi i Shqiponjës”
Podgoricë – Me dëshminë e Paulina Nikprelaj, më 29 korrik 2008 para gjyqtares Isada Jashareviq në Gjykatën Themelore në Podgoricë vazhdoi procesi gjyqësor kundër pesë pjesëtarëve të njësisë speciale antiterroriste për shkak të tejkalimit të autorizimeve me rastin e arrestimit në aksionin policor “Fluturimi i Shqiponjës”. Vazhdimi i gjykimit u shty për datën 11 shtator, ngase dëshmitari Anton Sinishtaj kërkoi përjashtimin e prokurorit. Gjyqtarja tha se shkresat e lëndës do t`ia dërgojë Prokurorit themelor të shtetit që të vendosë lidhur me propozimin e tij.
Në fillim të dëshmisë së vet, Paulina Nikprelaj, e bija e të ndjerit Pjetër Sinishtaj, të cilin sipas thënieve të prokurorisë, policët e kanë rrahur, tha se qëndron pas deklaratës së dhënë në procesin hetimor. Ajo filloi të lexojë tekstin e përgatitur, mirëpo gjyqtarja e ndërpreu, ngase sipas ligjit, një gjë e tillë nuk i lejohet dëshmitarit, e pastaj vazhdoi polemika midis gjyqtares dhe dëshmitares.
“Babai im tashmë i ndjerë la pas vetes të vërtetën lidhur me atë që ka ndodhur më 9 shtator 2006. Ai atë ditë u vra, por vazhdoi për t`u munduar edhe 13 muaj të tjerë. Ai iu rrëfye Filip Vujanoviqit, presidentit të këtij shteti, në praninë e familjeve të të arrestuarve dhe të deputetit të Alternativës Shqiptare” – deklaroi dëshmitarja. Ajo theksoi se nuk ishte pjesëmarrëse e ngjarjes, por transmetoi atë që i kishte treguar i ati.
Autor / Koha Javore