Shqiponja fluturon vetëm e lirë

August 5, 2008   | Politika, Shtypi / Mediji

Një vështrim ndaj asaj që dikush pati guximin ta emëronte “Fluturim i Shqiponjës”
Nëse ndokush nga të arrestuarit do të dënohet, dënimi mund të jetë i bazuar vetëm në “deliktin verbal”, i cili nuk është më në fuqi. Në ëndrra e në biseda të kota nuk mund të bazohet vendimi ndëshkues. Ajo nuk do të guxonte të ndodhë në botën demokratike, për çka e mban veten edhe Mali i Zi, apo, së paku, ku pretendon të futet. Nuk mund të dënohet për ide mbi Shqipërinë etnike, ose për thënie se Tuzi është Shqipëri, e jo më për shpalosjen e qëndrimeve politike për të formuar një regjion mbrenda shtetit të Malit të Zi.
Qe gati dy vite, në skenën e Gjykatës së Lartë të Malit të Zi, në Podgoricë, po luhet tragjikomedia që dikush e quajti “Fluturimi i shqiponjës”. “Pjesa” edhe tutje mban këtë emër, edhe pse një emërtim kaq fisnik, me asnjë element të vetin nuk përkon me imazhin që la mbrapa. Falë ndryshimit të aktakuzës, njëri nga të akuzuarit, në fjalën e vet përfundimtare, tha se deri dje ishte shqiponjë që fluturon e sot është “pulë e çufuritun” dhe nga fjalët e tij nuk kuptohej qartë se a i vinte mirë apo keq për këtë “degradim”, pasi që protagonisët e kësaj tragjikomedie tashmë ishin mësuar me emërtimin shqiponjë e terrorist, siç mësohet njeriu me gradën apo me kromën. E pata thënë edhe një herë më parë se në realitet, dallimi midis heroit e terroristit varet vetëm nga këndi nga i cili vështrohet. Sepse, derisa dikush për dikë është terrorist, për të tjerët mund të jetë hero, patriot…shqiponjë.
Tragjikomedia pati 63 episode dhe në të 64-ën pritet të bien maskat, më falni, të bie perdja, desha të them. Në fund të shfaqjes, varësisht nga epilogu, zakonisht dëgjohen duartrokitje ose fëshkëllime. Në rastin konkret, kjo do të varet nga ajo se çka do të peshojë Justicia malazeze, provat e padëshmuara apo kërkesat e elitës politike,
Ja se çka “dëshmoi” procesi gjyqësor.
63 seanca nuk vërtetuan asgjë tjetër përpos autorësinë e ditarit, i cili si i tillë nuk dëshmon asnjë vepër të kryer por vetëm planifikime që gjoja dikush paska bërë me dikë në lidhje me diçka, ku çdoherë për palën tjetër dëshmon ai që nuk është prezent. Sipas këtyre “planeve” do të duhej akuzuar së paku tri qeveri, pos shërbimeve sekrete e udhëheqësve shtetërorë, nja 130 persona etj. Njëri nga avokatët mbrojtës tha se ditari ishte “produkt i diktimit të ndonjë agjenti të fshehtë”, ndërsa vetë “autori” thotë se askush nuk e dinte se mbante ditar. Megjithatë, policia kur hyri brenda kërkoi vetëm ditarin, çka e dëshmon se i gjithë aksioni ishte lojë dhe kurdisje e shërbimeve sekrete.
Armatimet, që gjoja u gjetën në shpella e që, gjoja, u paskan takuar “shqiponjave”, krejt rastësisht “mbetën” pa ekspertizë. Si duket, autori i tragjikomedisë e ka pasur të njohur pronësinë e tyre, çka do të dëshmonte vetëm ekspertiza. Kjo e vërteton thënien tonë që nga dita e parë e arrestimit se shpellat janë më tepër të tyre sesa tonat, duke aluduar në policinë malazeze.
Bisedat telefonike, të përgjuara nga shërbimet sekrete, nga të cilat priteshin prova më bindëse, të paralajmëruara nga prokurori, i vërtetuan bindjet tona për pafajësinë e të arrestuarve. Aty u dëgjuan biseda familjare, madje edhe sekrete të raporteve bashkëshortore, për publikimin e të cilave do të duhej të jepej llogari, pasi që çdo njeri ka të drejtë në jetë private. Bisedat dëshmuan se ndër të arrestuarit ka njerëz që nuk njihen fare me njëri-tjetrin. Ndër ta ka njerëz që, edhe po të kishte pasur farë planesh a bisedash, qofshin edhe ato biseda të nivelit të deliktit verbal, kanë kundërshtuar çdo tentativë të destabilizimit të Malësisë.
Nga e gjithë kjo del se, edhe nëse ndokush nga të arrestuarit do të dënohet, dënimi mund të jetë i bazuar vetëm në “deliktin verbal”, i cili nuk është më në fuqi. Në ëndrra e në biseda të kota nuk mund të bazohet vendimi ndëshkues. Ajo nuk do të guxonte të ndodhë në botën demokratike, për çka e mban veten edhe Mali i Zi, apo, së paku, ku pretendon të futet. Nuk mund të dënohet për ide mbi Shqipërinë etnike, ose për thënie se Tuzi është Shqipëri, e jo më për shpalosjen e qëndrimeve politike për të formuar një regjion mbrenda shtetit të Malit të Zi. Mali i Zi do të duhej tashmë të mësohet me fjalë që nuk i pëlqejnë dhe, përderisa dikush nuk u është qasur mjeteve jodemokratike për t`i realizuar ato, të mos marrë masa kaq drakonike, siç ishin ato që e përcollën aksionin në fjalë. Dhe sidomos jo me standarde të dyfishta. Nuk di nëse ndokush u muar në pyetje pse klithi: “Këtu është Serbi”! Apo kur në Parlamentin e Malit të Zi, para opinionit të gjerë dikush grisi tekstin e Kushtetutës, duke prezantuar kështu qëndrimin e vet ndaj këtij shteti, apo kur dogjën flamurit shtetëror… Malazezët definitivisht duhet të mësohen me faktin se dikush që vepron për të rrezikuar pushtetin, gjë që është legjitime, nuk rrezikon shtetin. Identifikimi pushtet-shtet, si recidiv komunist, është i rrezikshëm për forcimin e demokracisë, megjithatë shqiptarët po e paguajnë çmimin. Si duket, krimbi komunist, pushtetarët malazez nuk i lejon të dalin nga korniza komuniste e të logjikuarit dhe në çdo shqiptar që mendon apo flet ndryshe, shohin armikun e pushtetit, gjegjësisht shtetit…
Në fund të këtij procesi maratonik e të kurdisur politik, njëlloj sikur edhe në rastin me boshnjakët, në vitin 1994, pothuaj njëlloj sikur në rastin e Nikë Camat, Gjon Gjolajt, shqiptaro-amerikanit Pjetër Ivezajt, Prekë Gjon Nik Markut me dy djemtë, Mehmet Bardhit e sa e sa raste të tjera të kosovarëve, kur viktimat vërtet e paguan shtrenjtë, por as pushtetarët nuk kaluan lehtë, ose së paku, nuk u lavdëruan me to, është më se e qartë se dëshmitë dhe provat e administruara nuk mund t`i qëndrojnë asnjë verifikimi neutral. Andaj, përsa i përket akuzës morbide për terrorizëm unë pres liri për të gjithë, çka do të zbuste sadopak këtë “gabim të madh të pushtetit malazias”, siç e quajti M. Bardhi aksionin “Fluturimi i shqiponjës”, e çka e dëshmoi koha. Po ashtu pres dëmshpërblim dhe kërkim ndjese për shkelje të lirive dhe të të drejtave të njeriut, por edhe përgjegjësi për ata që me shpifje e kurdisje e implikuan shtetin, pushtetin e Malësinë, në këtë punë të ndytë. I pres këto, në emër të drejtësisë, lirisë, demokracisë, dhe në emër të ardhmërisë! Po nuk ndodhi kjo, Mali i Zi definitivisht dëshmon tendencën për t`u shndërruar në skëterrë për të gjithë ata që mendojnë e flasin ndryshe. Sidomos kur ata që mendojnë ndryshe janë shqiptarë! Mos vallë Mali i Zi ka nevojë për këtë?!

Dihet fare mirë se shqiptarët e këtij rajoni, në 30 vitet e fundit, e kanë dëshmuar përkushtimin e vet që realizimin e interesave kombëtare ta arrijnë përmes mjeteve demokratike, e që ka rezultuar me lindjen e realitetit të ri, me pavarësinë e Kosovës. Me njohjen e këtij realiteti, që duhet të ndodhë edhe nga pala malazeze, bie në ujë shpifja se gjoja shqiptarët, kudo qofshin, tentojnë përmbysjen e rendit kushtetues të ndonjë vendi, aq më pak të Malit të Zi, fati i të cilit, pothuajse, u vulos me kontributin e shqiptarëve të këtushëm. Prandaj, aspiratat europiane të Malit të Zi, nëse janë të sinqerta, nuk mund të arrihen duke dëmtuar, qoftë edhe 18 shqiptarë nga Malësia. Serioziteti dhe pjekuria e gjyqësorit dhe prokurorisë shtetërore do të duhej dëshmuar në shumë lëmenj të tjerë, që i kërkon edhe Europa, e jo përmes proceseve të këtilla, të montuara. Drejtësia malazeze do të duhej ta djë se proceset nuk kanë të ndalur, andaj as proceset e integrimeve europiane. Në një Europë të bashkuar e të madhe, të gjithë do jemi të bashkuar e do t`i kemi shtetet tona nacionale, të mëdha apo të vogla, apo më mirë të them, aq sa janë kufijtë e tyre etnië. Mos vallë Mali i Zi mendon që me këso kurdisjesh të bëhet pjesë e Europës, apo vetëm vazhdon të improvizojë integrimet, pasi që ato nuk do t`i lejonin të luajë vetëm sipas rregullave të veta! Europa ka edhe rregulla të tjera, zbatimin e të cilave e pret edhe nga Mali i ZI!
Të kthehemi tashti te titulli i këtij shkrimi. Këtu nuk bëhet fjalë për fluturim shqiponje. Do të ishte më mirë sikur ta quanin me emër të një zogu që nuk ka fole të vetën, sepse aksioni vërtet i ngjau një tentative që dikujt, në mëngjesin e 9 shtatorit 2006, t`i lihen vezët në folenë e tij, që ndryshe quhet “foleja e qyqes”. Dihet se shqiponjat fluturojnë vetëm të lira dhe kur marrin krahë, nuk ka kush që i ndalë!
Tekstin e parë, kushtuar kësaj kurdisjeje, e shkrova të njëjtën ditë kur ndodhi aksioni. Sot, pothuaj në fund të tij, as nga qëndrimi i shprehur atëherë, apo edhe në rastet e tjera gjatë 20 muajve sa zgjati procesi, nuk do të ndërroja asgjë.
Nikollë Camaj
Burimi / Koha Javore
Autori është kryetar i Kuvendit të KU-së së Tuzit