Dënohen me mbi 50 vjet burgim të akuzuarit nga Malësia
Podgoricë – Gjykata e Lartë e Podgoricës dënoi me mbi 50 vjet burg grupin prej 17 personash të komunitetit shqiptar nga Malësia të akuzuar për terrorizëm dhe krim të organizuar. Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Ivica Stankoviq i shpalli fajtorë të pandehurit për cënimin e rendit kushtetues të Malit të Zi me akte terroriste.
Shumica e të pandehurve u dënuan me 3 deri 6 vjet burg, kurse 5 prej tyre me gjashtë muaj, me akuzën për armëmbajtje pa leje.Trupi gjykues hoqi masat e paraburgimit dhe të gjithë u liruan deri në hyrjen në fuqi të vendimit përveç të pandehurit shqiptaro-amerikan Dodë Lucaj, i cili vazhdon të mbahet në arrest për shkaqe sigurie, siç tha gjykata.
Përfaqësuesi i “Komisionit për të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e pakicave”, Muhamed Gjokaj, i cili bëri monitorimin e procesit gjyqësor i tha “Zërit të Amerikës” se vendimi është i njëanshëm dhe politikisht i motivuar: “Jemi të mendimit se që nga fillimi procesi ishte politikisht i motivuar, ashtu edhe vendimi i gjykatës, i cili ishte i përbërë nga tre anëtarë që do të thotë se e shkelë vet rendin dhe rregulloren e gjyqit që duhet të ishin pesë, e ka marrë një vendim pothuajse tërësisht të motivuar politikisht duke i shpallë të gjithë të akuzuarit fajtorë”.
Edhe deputeti nga radhët e partive politike shqiptare në parlamentin e Malit të Zi,Vasel Sinishtaj, shpreh të njëjtin vlerësim duke theksuar se aktgjykimi nuk kishte mbështetje në prova. “Aktgjykimi është mbështetur në ditarin e Anton Sinishtaj ,në bazë të raportit të kalimeve legale të pikës kufitare dhe në bazë të përgjimeve telefonike.Të gjitha këto janë jashtë ligjit dhe kushtetutës së Malit të Zi”, – tha z.Sinishtaj.
Grupi i personave në fjalë, mes tyre edhe tre shtetas amerikanë me prejardhje shqiptare, u arrestuan më 9 shtator 2006, një ditë para zgjedhjeve lokale dhe parlamentare në Mal të Zi. Ata u akuzuan për bashkëpunim me struktura të UÇK-së për nxitje të luftës në Malësi dhe në Mal të Zi.Të gjithë të arrestuarit e mohuan akuzën ndërsa procesin gjyqësor e cilësuan si të montuar dhe politikisht të motivuar.
a.s.
Burimi / Koha Javore





