Në Ulqin u mbajt edicioni i 16-të i manifestimit letrar “Kalimera Poetike”

August 11, 2008   | Kulturë / Kultura, Shtypi / Mediji

Veprimtari me vlera universale

Në qendër të vëmendjes së edicionit të sivjetshëm kanë qenë poeti Xhuzepe Skiro di Maxho, përfaqësuesi më i shquar bashkëkohor i letërsisë arbëreshe, dhe shkrimtari Ridvan Dibra nga Shkodra, njëri prej emrave më të shquar të letërsisë bashkëkohore shqiptare, të cilëve u janë kushtuar mbrëmje të veçanta autoriale.

Po ashtu është përuruar libri “Autobiografia”, kushtuar gjashtëmbëdhjetë edicioneve të deritashme të kësaj veprimtarie letrare dhe është mbajtur Ora e poezisë ku kanë marrë pjesë një numër i poetëve dhe shkrimtarëve të njohur të letërsisë shqiptare.

Pas Panairit të Librit, të mbajtur ditë më parë në Ulqin, një manifestim tjetër letrar, “Kalimera Poetike, i organizuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” në kuadër të Festivalit “Skena Verore 2008”, tuboi në Ulqin për dy ditë radhazi, gjatë fundjavës, një pjesë të mirë të përfaqësuesve më të shquar të letrave shqipe.

Në qendër të vëmendjes së edicionit të sivjetshëm, të 16-it me radhë, kanë qenë poeti Xhuzepe Skiro di Maxho, përfaqësuesi më i shquar bashkëkohor i letërsisë arbëreshe, dhe shkrimtari Ridvan Dibra nga Shkodra, njëri prej emrave më të shquar të letërsisë bashkëkohore shqiptare, të cilëve u janë kushtuar mbrëmje të veçanta autoriale.

Veprimtari që përuron vlerat universale njerëzore përmes letërsisë

Kryetari i SHAI Art Club, mr. Haxhi Shabani

Kryetari i SHAI "Art Club", mr. Haxhi Shabani

Sipas kryetarit të SHAI “Art Club”, mr. Haxhi Shabani, qëllimi themelor i organizimit të këtij manifestimi letrar, është që për publikun vendas dhe turistët e shumtë të promovohet veprimtaria dhe autorët më të mirë të letërsisë shqiptare, pa marrë parasysh se nga janë. “Po ashtu një nga qëllimet është edhe njohja e letërsisë e cila krijohet në Malin e Zi dhe në rajon për lexuesit shqiptarë. Ky manifestim ka për qëllim që përmes komunikimit midis letërsive e autorëve të ndryshëm, në gjuhë e vende të llojllojshme, të përurojë vlerat universale njerëzore përmes letërsisë”, ka thënë ai në ceremoninë e hapjes së kësaj veprimtarie kulturore.

Shabani ka bërë një retrospektivë të veprimtarisë së “Art Club”-it, në veçanti të “Kalimerës Poetike”, duke e cilësuar atë si veprimtarinë më të denjë të organizuar nga kjo shoqatë “jo vetëm në nivel të shqiptarëve në Malin e Zi, por edhe më gjerë, në nivel të shqiptarëve”.

Për ta arsyetuar mendimin e tij, ai ka përkujtuar se gjatë edicioneve të deritashme të “Kalimerës Poetike” “janë zhvilluar takime me shkrimtarët shqiptarë të të gjitha trevave, si Fatos Arapi, Ali Podrimja, Dritëro Agolli, Visar Zhiti, Enver Gjerqeku, Basri Çapriqi, Zuvdija Hoxhiqi, Asllan Bisha, Ibrahim Berjashi, etj., si dhe me shkrimtarët malazezë Jevrem Brkoviq, Mlladen Llompar, etj.”

Ndërkaq, duke folur për të ardhmen e kësaj veprimtarie letrare, Shabani ka thënë se e ardhmja do të jetë këmbëngulja “për të evidentuar vlerat e padiskutueshme që po sjell brezi i mesëm i letërsisë shqiptare, gjegjësisht ritmet e dinamikën e brezit më të ri dhe synimin që ky manifestim të përmbushë edhe më shumë karakterin e të qenit ndërkombëtar.”

Poeti Arbreshe :GIUSEPPE SCHIRO (DI MAGGIO)

Poeti Arbreshe :GIUSEPPE SCHIRO' (DI MAGGIO)

Biri i Horës së Arbëreshëve

Në ciklin “Fjala e shkrimtarit”, të ideuar me qëllim që shkrimtarët pjesëmarrës të shfaqin mendimet e tyre për artin e të shkruarit, vizionin për jetën dhe shqetësimin e tyre krijues, poeti Xhuzepe Skiro di Maxho (Giuseppe Schiro di Maggio), gjatë mbrëmjes së parë ka folur për veten dhe letërsinë arbëreshe të sotme dhe atë të krijuar ndër vite.

“Unë jam bir i Horës së Arbëreshëve dhe vij këtu me kredenciale të larta sepse Hora e Arbëreshëve është nënë e disa e disa bijëve të shkëlqyer në botën shqiptare, si Matranga, Guxeta, Brankati, Kamarda, Guidera, Petrotta, pastaj Zef, Pal e Gjergj Skiroi, etj.”, ka thënë Skiro di Maxho.

Sipas tij, arbëreshët posedojnë një traditë letrare të shkëlqyer, e cila edhe sot e kësaj dite vazhdon e rritet.

“Aty bëhet poezi, teatër, muzikë, art”, ka thënë Skiro di Maxho.

Motivet kryesore që e frymëzojnë punën e shkrimtarit arbëresh janë, sipas tij, në vend të parë, ruajtja e gjuhës dhe e identitetit, që “sot është më problematike se dje për shkak të globalizmit”, kujtimi i shpërnguljes së vjetër dhe nostalgjia letrare për vendin e të parëve, situata e shqiptarëve kudo që ndodhen, në Shqipëri, Kosovë, por edhe si pakica në disa shtete të afërme, jeta e përditshme arbëreshe, etj.

“Ashtu edhe unë kam kënduar dhe këndoj në përgjithësi për temat, le të them universale, si ardhja e çuditshme midis të gjallëve, dhimbja e shkëputjes nga të gjallët, liria, të drejtat njeriut, sidomos ato të pakicave, por në veçanti për vendlindjen time, agimet dhe perëndimet e saj, bukurinë e saj, ndjenjën e nostalgjisë së kohëve që kalojnë, përjetësinë e vlerave tona, mbrojtjen e gjuhës si pasuri të gjallë e jo vetëm monumentale, për gjithë katundet arbëreshe, për Italinë dhe Sicilinë, për të bukurën More, dje ndoshta si tokë e caktuar gjeografikisht, kurse sot si tokë mendore përrallore”, ka thënë Skiro di Maxho.

Por si motiv për poezitë e tij kanë shërbyer edhe Shqipëria dhe Kosova.

“Kam kënduar për Shqipërinë si vend kryesor i të gjithë shqiptarëve, për shpërnguljet antike apo moderne, ikjet tona nëpër dete, për Kosovën e viteve z81 dhe z98, për Kosovën e sotme, për Tetovën e Strugën”, ka thënë Skiro di Maxho.

Ai ka premtuar se në të ardhmen do të shkruaj poezi edhe për Ulqinin, në të cilin ka shkelur për herë të parë.

“Do të bëj poezi edhe për Ulqinin me të cilin takohem për të parën herë e ku më duket se ndodhem në shtëpinë time”, ka përfunduar Skiro di Maxho.

Poeti i Itakës arbëreshe

Krijimtaria e shkrimtarit Xhuzepe Skiro di Maxho është vlerësuar lart nga studiuesi, prof. Dr. Nasho Jorgaqi.

“Të lëvrosh letërsi në një të folme arkaike, që vjen nga ishuj gjuhësorë mesjetarë, me një leksikë të kufizuar dhe frymëmarrje të lektisur linguistike, për të komunikuar në radhë të parë me një lexues brenda komunitetit etnik, është një akt krijues jo i zakonshëm, një akt që dëshmon nga një anë se talenti i vërtetë është si ajo fara e shëndetshme dhe e fortë që mbinë edhe në tokë të huaj dhe nga atje të tregon se çzështë në gjendje të bëjë një shpirt fisnik kur frymëzohet nga ideale liridashëse dhe humane”, ka thënë ai.

Studiuesi Jorgaqi ka theksuar se emri dhe vepra e poetit Xhuzepe Skiro di Maxho janë pjellë e drejtpërdrejtë e Sicilisë arbëreshe, e katundeve të saj të përhapur nëpër ishull e në radhë të parë të Horës aq të njohur Piana degli Albanesi.

“Në këtë katund me histori dhe vlera të shquara atdhetare dhe kulturore lindi, u brumos dhe u formua poeti ynë. Është kjo vatra nga na vijnë vargjet e para të poezisë shqipe, ato të Lekë Matrangës, është vendlindja e një çete të lavdëruar personalitetesh në zë si e iluministit Gj. Guxeta, e dijetarëve Dh. Kamarda, P. Skiro, N. Borxhia, G. Petrotta, e gjuhëtarit M. La Piana, e poetëve N. Brankati e Z. Skiroi,” ka thënë ai.

Jorgaqi ka vënë në dukje se tradita poetike e krijuar nga Matranga do të shtegtonte nëpër shekuj, për të arritur kulmin e saj me poezinë e Zef Skiroit në dekadat e para të shekullit XX. Por, sipas tij, për arsye social-politike do të ndodhte një pauzë afro gjysmë shekullore, që poezia e kësaj vatre arbëreshe ashtu si gjithë letërsia arbëreshe të binte në fashë, për tzu marrë stafeta poetike nga një brez i ri krijuesish të talentuar aty nga vitet z60.

“Pikërisht këtij brezi i takon dhe Xhuzepe Skiro di Maxho. Duke u renditur në krye të zërave poetikë të Pianës, ai iu bashkua asaj gjenerate, që vërshoi në letërsinë e re arbëreshe dhe realizoi kthesën dhe ringjalljen e saj. Dhe tani që ka kaluar afro gjysmë shekulli prej asaj kohe, ne mund të flasim me plot gojën për Xhuzepe Skiro di Maxhon si një nga përfaqësuesit më eminentë të botës letrare arbëreshe”, ka vlerësuar Jorgaqi.

Studiuesi shqiptar ka vlerësuar jo vetëm krijimtarinë e Skiro di Maxhos si poet lirik, epik e satirik, dramaturg, përkthyes, publicist, por edhe si “veprimtar të dalluar të lëvizjes gjithëarbëreshe, një emër simbol i bashkësisë së tij etnike.”

Shqetësim për kritikën pozitiviste

Ridvan Dibra

Ridvan Dibra

Ndërkaq mysafiri tjetër i “Kalimerës Poetike, shkrimtari shkodran Ridvan Dibra, në fjalën e tij gjatë mbrëmjes së dytë të “Kalimerës Poetike”, ka shprehur shqetësimin për problemin e biografizmit apo konceptit pozitivist në letrat shqipe, ku kritika letrare në vend që të merret me analizën e veprës letrare, trajton biografinë dhe jetën e autorit.

Shkrimtari Dibra e ka cilësuar këtë dukuri si “një trashëgimi kryesisht të kulturës së kaluar të realizmit socialist, kur duhej të kishe disa parametra për tzu pranuar shkrimtar.”

Por sipas tij, problemi bëhet edhe më i mprehtë kur sheh që edhe më vonë vazhdon të trashëgohet “kjo sëmundje e këndvështrimit pozitivist”.

Ai ka përmendur në këtë kontekst edhe polemikën e kohëve të fundit të zhvilluar ndërmjet, siç i ka quajtur ai, “dy të moshuarve të letrave shqipe, Rexhep Qosjes dhe Ismail Kadaresë”, polemikë të cilën e ka cilësuar “të turpshme dhe që nuk nderon asnjërën prej figurave, por përkundrazi i cënon të dy figurat e nderuara me kontribute të shquara”.

“Përsëri në krye del ai theksi apo koncepti pozitivist, biografist, ndërkohë që të gjitha harrohen dhe pas disa vitesh mbesin vetëm veprat, korpusi letrar”, ka vërejtur shkrimtari.

Ai ka thënë se kemi të bëjmë me një fenomen mjaft të mprehtë, mjaft delikat dhe me pasoja.

“E vë re te studentët e mi. Më të informuar janë për biografitë e shkrimtarëve sesa për produktin e tyre, për veprën, çfarë është mjaft e dëmshme”, ka shprehur shqetësimin e tij Dibra.

Ai ka vlerësuar kritikën e së kaluarës, ndërkohë që ka cilësuar si shqetësues faktin e mungesës së kritikëve të rinj.

“Kishte një kritikë që e bëri punën e vet në një periudhë, sidomos në rrafshin e studimit, por ndoshta metodologjia e saj tashmë është e vjetëruar dhe kritikët e rinj nuk po duken.

Ajo kritikë kishte një kulturë dhe një bagazh, njohje të mirë të problemeve. Ndërkohë kritikët e rinj duke marrë përvojën e vjetër dhe duke e ngritur në një stad më të ri mungojnë”, është shprehur Dibra.

Por sipas tij, ky nuk është vetëm një problem shqiptar.

“Problemet nuk janë thjesht vetëm në Shqipëri. Edhe bota ka problem në gjykim dhe vlerësim. Janë probleme të përbotshme”, ka thënë shkrimtari shkodran.

Duke folur për krijimtarinë e tij dhe vlerësimet që i janë bërë asaj, Dibra është shprehur kundër epiteteve të tilla që e kanë cilësuar atë si prijës apo prijëtar të rrymës postmoderne në letrat shqipe.

“Nuk më pëlqejnë epitetet prijës apo prijëtar. Nuk mund të jetë një autor themelues i një rryme. Janë disa autorë të rinj ose po i quaj të moshës së mesme që synojnë të sjellin diçka të re në letrat shqipe. Unë jam njëri prej tyre”, ka thënë ai.

Gjovalin Çuni

Gjovalin Çuni

Letërsia e integrimit

Studiuesi Gjovalin Çuni, drejtor i Bibliotekës “Marin Barleti” në Shkodër, duke folur për krijimtarinë e shkrimtarit Ridvan Dibra, ka thënë se ai zë një vend qendror në letërsinë e sotme shqiptare dhe është njëra nga penat origjinale të kësaj letërsie.

Ai e ka cilësuar letërsinë e krijuar nga Dibra si letërsi të integrimit.

“Nëse sot flasim për integrim të shqiptarëve në Europë, pa dyshim llojin e letërsisë postmoderne, që lëvron Ridvani, mund ta quajmë letërsi të integrimit”, ka thënë Çuni.

Ai ka theksuar se Dibra është vazhdues i krijimtarisë së krijuar më parë nga “një brez i humbur shkrimtarësh, si Mitrush Kuteli, Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, Kasem Trebeshina, Martin Camaj, Anton Pashku, etj.”

“Ndonëse i lindur në një kohë kur mbisunduese ishte letërsia real-socialiste, ai, me penën e frymëzimin e veçantë, ka dhënë tanimë sinjalin se, krahas shkrimtarëve të traditës, po lind një brez i ri shkrimtarësh, që po çajnë rrugët e vështira të letërsisë me aftësitë e tyre.

Këta shkrimtarë, në ndryshim nga ata të traditës, që ishin në një farë mënyre të mbrojtur nga ideja kombëtare në letërsi, apo edhe nga rrymat zyrtare, që e sundonin letërsinë shqipe, përpiqen të thyjnë mite, tabu, e klishe, por jo vetëm kaq”, ka vijuar studiuesi Gjovalin Çuni.

Ai ka çmuar letërsinë e Dibrës edhe sa i përket ruajtjes së vlerave të vërteta të letërsisë shqipe.

“Në kohët e sotme moderne dhe postmoderne, kur në qarkullim janë një sërë veprash autorësh anonimë, ai ka një meritë tjetër të madhe, atë të ruajtjes së vlerave të vërteta të letërsisë shqipe”, ka thënë Çuni.

Shkrimtari Dibra, sipas tij, edhe pse jeton në provincë, nuk është as provincial, as provincialist.

“Ai hedh poshtë paradoksin gjeopolitik të provincialit shqiptar dhe është gjithnjë në kërkim, ndryshim dhe lëvizje për të mos ngelur i “pangjashëm në llojin e vet””, ka thënë Çuni.

Por përkundër të gjitha vlerave krijuese, Çuni ka vërejtur se kritika nuk e ka vlerësuar sa duhet deri tani shkrimtarin Dibra dhe nuk i ka dhënë atij vendin që meriton në letrat shqipe.

“Kritika letrare nuk ka dhënë as përafërsisht fjalën e saj për krijimtarinë e këtij autori. Me vlerat që realisht i ka, ajo meriton shumë më shumë, aq më shumë kur të kihet parasysh fakti se për autorë me talent shumë më modest bëhet zhurmë e madhe mediale”, ka thënë Çuni.

Sipas tij, dy janë arsyet kryesore për këtë.

“E para, sepse nuk jeton në Tiranë, pra në qendër, aty ku promovohen letrat dhe, e dyta, ngaqë autori, ky Gjergj Elez i letrave shqipe, bën jetë pak a shumë të veçuar, jashtë orbitës së klaneve dhe kritikës klanore, e cila krijon opinion”, ka thënë studiuesi Gjovalin Çuni.

Përveç shumë njerëzve të shquar të letrave shqipe, artit, kulturës, politikës, gjatë dy mbrëmjeve të “Kalimerës Poetike” në të kanë marrë pjesë edhe ish Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Rexhep Mejdani, kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Fatmir Toçi, kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, etj.

Mbajtja e edicionit të sivjetshëm të “Kalimerës Poetike” është ndihmuar nga Ministria e Kulturës, Medias dhe Sportit dhe Komuna e Ulqinit.

Autor / Ismet Kallaba

Burimi / Koha Javore