Kumtesë për opinion e Forcës së Re Demokratike

August 18, 2008   | Politika, Shtypi / Mediji

Proces me prapavijë politike
Me rastin e shpalljes së aktgjykimit ndaj të 18 të akuzuarve shqiptarë nga Mali i Zi të arrestuar në aksionin policor “Fluturimi i shqiponjës” Forca e Re demokratike del me këtë kumtesë për opinion:
Të martën që shkoi në Gjykatën e Lartë në Podgoricë iu shqiptuan dënimet grupit 18 anëtarësh të shqiptarëve nga Mali i Zi të akuzuar për “përgatitjen e kryengritjes së armatosur në Malësi dhe mbajtjen e armëve pa leje dhe mjetëve shpërthyese”, ku të gjithë të akuzuarit janë janë shpallur të fajshëm dhe janë dënuar me kohëzgjatje gjithsej prej 51 vitesh. Grupi është arrestuar me 9.9.2009 në operacionin policor “Fluturimi i shqiponjës”, ndërsa pas shqiptimit të aktvendimit, 17 prej tyre janë liruar të mbrohen nga liria deri sa ky aktvendim të bëhet i plotfuqishëm.
Procesi i operacionit policor i koduar “Fluturimi i shqiponjës” i realizuar me datën 9.9.2006, një ditë para mbajtjes së votimeve parlamentare në Mal të Zi, si dhe zgjatja e procesit gjyqësor ndaj të arrestuarve, na bën të dyshojmë se ka prapavijë politike dhe si i tillë iu ngjan proceseve të montuara politike të cilat janë të njohura për opinionin e gjerë.
Në favor të këti konstatimi janë të dhënat se si prova vendimtare të aktgjykimit janë “ditari i një të akuzuari, raporti i kalimeve legale të kufirit dhe në bazë të përgjimeve të bisedave telefonike”, çka mund të ndikojë që vendimi i gjykatës së shkallës së parë të tjetërsohet nga gjykatat e niveleve më të larta të Malit të Zi, ose, në mungesë të pavarësisë së gjyqësorit dhe të objektivitetit në vend, të gjykatës ndërkombëtare.
Shpallja e këtij aktgjykimi ka ngjashmëri me arrestimin e grupit të boshnjakëve në vitin 1993 dhe si e tillë paraqet vazhdimin e humbjes së besimit të qytetarëve në pushtetin e së drejtës në Mal të Zi, nga del se jemi shumë larg gjyqësisë së pavarur.

Procesi i operacionit policor i koduar Fluturimi i shqiponjës

Procesi i operacionit policor i koduar "Fluturimi i shqiponjës"

Ndërsa mos angazhimi i prokurorisë për hetimin e torturave dhe tejkalimin e kompetencave të policisë ndaj të arrestuarve dhe familjeve të tyre për dy vite, është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut, që nxit dyshimin në prapavinë politike të këtij aksioni policor. Me një veprim të tillë joligjor Mali i Zi vazhdon të shkelë nenin 3 të Konventës evropiane për të drejtat e njeriut i cili kërkon hetim urgjent dhe efektiv për çdo denoncim të torturës.
Vazhdimi i kësaj procedure qjyqësore, siç është paralajmëruar, do ta komplikojë gjithnjë situatën ndërsa, në mungesë të provave, vendimi i vetëm i drejtë, do të ishte shpallja e të akuzuarve të pafajshëm.
Autor / Forca e Re Demokratike
Burimi / Koha Javore