Me rastin e vizitës së majorit të Rochester Hillsit, Braym Barnett

August 18, 2008   | Lajmet / Vijesti, Shtypi / Mediji

Përveç përshëndetjeve, edhe dhurata
Tuz- Me rastin e vizitës së majorit të Rochester Hillsit, Braym Barnett me bashkëshorten Corrin dhe këshilltarin për shtyp, James Smith, Kuvendi i KU të Tuzit organizoi javën e kaluar një takim solemn, ku përveç këshilltarëve të Kuvendit të Komunës, morën pjesë klerikë, aktivistë të jetës politike dhe të fushave të tjera që veprojnë në Malësi.
Në këtë soleminitet, kryetari i Kuvendit të KU të Tuzit, Nikollë Camaj, duke u uruar mysafirëve mirëseardhje dhe qëndrim të këndshëm në Malësi tha: “Nuk është e lehtë që tzua rikthejnë mikpritjen që treguat gjatë vizitës sonë në qytetin tuaj, por së paku do të përpiqemi që Ju të mos lodheni gjatës vizitës suaj këtu.”
Camaj vizitën e Barnettit e konsideron si një shenjë respekti ndaj bashkëvendasve tanë që jetojnë në Rochester, e që njihen si qytetarë të vlefshëm dhe të ndershëm. Kryetari Camaj shpreson se kujtimet e përjetësuara në mesin tonë, Barnett me të kthyer në vendlindje do tzi përcjellë tek bashkëpunëtorët e vet.
Edhe kryetari i Komunës Urbane të Tuzit, Smajl-Maliq Çunmulaj i dëshiroi mirëseardhje delegacionit nga shteti i Michiganit dhe shprehi kënaqësi që Tuzi dhe Rochester Hills janë të binjakëzuar.
“Qytete edhe më të mëdha se Tuzi na e kanë lakmi që kemi lidhje vëllazërore me një qytet amerikan”, tha Çunmulaj, i bindur se kjo lidhje do të jetë e përjetshme dhe në të ardhmen takimet të jenë edhe më të shpeshta. “Qytetarët e Malësisë, – vazhdoi më tej Çunmulaj, – e kanë të njohur se ju jeni i gatshëm të na ndihmoni dhe të të na përkrahni profesionalisht në veprimtarinë e pushtetit lokal.” Kryetari Çunmulaj në fund mysafirët e lartë të Rochestr Hillsit i njoftoi edhe për nevojën jetike të qytetarëve për një vetëqeverisje të plotë lokale në këtë territor.
Këtë takim e përshëndeti edhe kryetari i Shoqatës, “Malësia e Madhe” nga Detroiti, mr. Lukë Junçaj, që njëheri kjo shoqatë është edhe ndërmjetës i këtij binjakëzimi bëri të ditur se një ndër projektet kryesore të kësaj shoqate është edhe vizita e Kryebashkiakut të Rochester Hillsit, Barnett, KU të Tuzit, me shpresë se kjo vizitë do të jetë frytdhënëse dhe kontaktet me amerikanët do të stimulojnë zhvillimin më të mirëfilltë ekonomik.
“Me këtë projekt jemi munduar të ndërtojmë një urë të gjatë dhe të fortë bashkëpunimi”, u shpreh mes tjerash Junçaj.

Kuvendi komunal në Tuzë

Kuvendi komunal në Tuzë

Ndërkaq, mysafiri i lartë nga Michigani, z. Braym Barnett, duke përcjellë urimet e qytetarëve të Rochester Hillsit qytetarëve të Tuzit, shprehi bindjen se këto dy qytete do të punojnë së bashku në kontributin e zhvillimit të kësaj lidhjeje. “Kurrë nuk e kam paramenduar se do ta vizitoj shtetin tuaj të bukur dhe njerëzit tuaj dhe jam mjaft i emocionuar që gjendemi midis jush”, u shpreh Barnett. Nga pikëpamja e tij, binjakëzimi midis Tuzit dhe Rochesterit, vërtet ka një kuptim të madh, sepse siç u shpreh ai “kemi shumë emigrantë shqiptarë që jetojnë në qytetin tonë Rochester dhe kështu ne formuam një lidhje midis dy qyteteve tona”. Përveç përshëndetjeve, z. Brayn Barnett kishte sjellë edhe dhurata, një për shkollën e mesme në Tuz, me vlerë prej 100 mijë dollarë amerikanë, ku nxënësi më i mirë i vitit shkollor 2008/09 do të keni mundësi të studiojë falas në njërin nga fakultetet e Michiganit. Këtë dhuratë ia dorëzoi drejtorit të kësaj shkolle, Mark Berishajt, kurse dhuratën tjetër me flamurin amerikan dhe të Michiganit ia dhuroi kryetarit të Komunës, z. Çunmulaj. Shërbimi Informativ i kabinetit të Kryebashkiakut Barnett për të pranishmit kishte përgatitur edhe një spot dhe videoklip. Në fund Barnett, nga bashkëatdhetarët tanë që jetojnë atje kishte marrë përsipër të vizitojë edhe disa fshatra të vendlindjes së tyre.
Z. Barnett me bashkëshorten Corrin dhe këshilltarin për shtyp, James Smith, gjatë qëndrimit në Malësi kanë vizituar shumë vende, institucione shkollore dhe kulturore dhe janë takuar me shumë njerëz të kësaj treve.
Autor / rr.d.
Burimi / Koha Javore