Kumtesë për opinion e Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Malin e Zi

August 19, 2008   | Politika, Shtypi / Mediji

Tahir Tahiri kryetar i Kshillit Nacional Shqiptar

Akuza për terrorizëm nuk ka të bëjë me shqiptarët
Këshilli Nacional i Shqiptarëve vlerëson se procesi gjyqësor ndaj 17 të akuzuarve shqiptarë nga Malësia, të arrestuar më 9 shtator 2006 në aksionin policor të ashtuquajtur “Fluturimi i shqiponjës” është një proces i montuar e politik i pabazuar në prova reale.
U pa qartë se gjykata nuk posedon prova reale-bindëse për akuzat e bëra, kurse në bazë të deklarimit të të akuzuarve, deklaratat e tyre të dhëna në hetuesi janë bërë nën torturë dhe dhunë policore.
Vendimi i shqiptuar javën e kaluar, nga Gjykata e Lartë e Podgoricës dëshmon se i tërë ky proces gjyqësor dhe aktvendimi për dënimin e të akuzuarve është bërë sa për të arsyetuar dhunën dhe veprimet e tjera jo të ligjshme të organeve kompetente dhe për të bindur sa më shumë që të jetë e mundur opinionin vendas dhe të huaj se gjoja shqiptarët në Malin e Zi na qenkan element destabilizues dhe të rrezikshëm. Këtë më së miri e vërteton fakti se gati gjysma e të akuzuarve për terrorizëm më në fund u shpallën fajtor vetëm për armëmbajtje pa leje.
Nga ana tjetër, për çudi tortura policore e ushtruar ndaj të akuzuarve dhe pjesëtarëve të familjeve të tyre gjatë natës së arrestimit po neglizhohet nga organet kompetente përkatëse.
Aktet dhe veprimet e tilla Këshilli Nacional i Shqiptarëve i vlerëson si të papranueshme dhe veprime diskriminuese e antishqiptare.

Tahir Tahiri kryetar i Kshillit Nacional Shqiptar

Tahir Tahiri kryetar i Kshillit Nacional Shqiptar

Çudit fakti, si Mali i Zi si shtet që pretendon integrimet Euroatlantike dhe që propagandon me të madhe barazinë nacionale, politike, fetare etj… ndërmerr aksione të tilla ndaj shqiptarëve, aksione të cilat gjasojnë me proceset e montuara politike të viteve 80-ta ndaj shqiptarëve.
Akuza për terrorizëm nuk ka të bëjë me shqiptarët, sepse ata asnjëherë gjatë historisë së tyre të vështirë nuk ishin të tillë, por përkundrazi ishin dhe do të jenë faktor stabilizues, tolerant dhe liridashës si në Malin e Zi dhe në rajon.
Këshilli Nacional i Shqiptarëve edhe një herë lidhur me procesin në fjalë shpreh brengosjen e thellë dhe bën me dije se do të reagojë fuqishëm në bazë të kompetencave të veta, për të denoncuar të gjitha rastet e shkeljeve dhe cenimit të të drejtave të Shqiptarëve në Malin e Zi që kanë për synim diskriminimin e tyre.
Kryetari, Tahir Tahiri
Burimi / Koha Javore