Në vend të plazhit përfundon në burg

Ideja e tij ka qenë që bashkë me familjen e tij të kalojë një pushim të këndshëm në rivierën malaziase. Përkundër kësaj dëshire – pushimet në Mal të Zi i kanë dalë dardhë me bisht ngase në vend që të shtrihet në rërën e nxehtë të Ulqinit turisti kosovar është “rehatuar” në çimenton e ftohtë të burgut të Spuzhit në dalje të Podgoricës.
Florent Turkaj kosovar me nënshtetësi suedeze pushimet verore i ka kaluar nëpër burgjet e Malit të Zi pa asnjë pikë faji, raporton gazeta e përditshme prishtinase “Express”. Turkaj sipas gazetës është arrestuar për shkak të dyshimit të falsifikimit të dokumenteve – të patentë shoferit. Ai është arrestuar në vendkalimin kufitar Debeli Brijeg mes Mali të Zi dhe Kroacisë ku edhe është ndarë nga familja e tij.
Vetëm pas një muaji të kaluar në burgun e Spuzhit Florent Turkaj është liruar si i pafajshëm. “Mua më kanë torturuar pa asnjë faj të bërë. Për të gjitha këto do të ngre padi kundër shtetit të Malit të Zi”, i deklaroi Florent Turkaj përmes telefonit gazetës prishtinase.
Burimi / Telegrafi