Intervistë me kryebashkiakun e qytetit Rochester Hills, Bryan Barnett

Kombi im i vlerëson dhe përjeton të gjitha vlerat dhe kualitetet e lirive
Koha javore: Z. Barnett, si po ndiheni në Malësi dhe çfarë përshtypjesh po u lënë malësorët këtu?
B.Barnett: Siç po shihet, qëllimi i vizitës sonë është realizuar. Ekipi ynë këtu po kalon çaste të mira dhe të kënaqshme. Kjo që po bëni ju është diçka e jashtëzakonshme dhe e ngrohtë. Në të gjitha takimet që kam zhvilluar deri më tani, mikpritja ka qenë shumë e përzemërt dhe për këtë ju jam shumë mirënjohës, kështu që e kemi ndier veten si në shtëpinë tonë. Sa u përket impresioneve të mia për popullin tuaj, me ata që kam pasur kontakte edhe më parë, mund të thuhet se kanë një pasion për jetë dhe krenari për trashëgimi kulturore.
Koha javore: A mund tzna tregoni se si u realizua projekti i binjakëzimit midis Tuzit dhe Rochester Hillsit?
B.Barnett: Absolutisht, kjo është një pyetje mjaft interesante. Sikur e dini, qyteti Rochester Hills, ka fat që ka një nga famullitë katolike më të mëdha në SHBA. Duke punuar dhe duke u njoftuar me udhëheqësinë e kishës së Shën Palit, ne filluam të kuptojmë se ky popull ka nostalgji të madhe për Malësinë dhe Tuzin. Në diskutim e sipër me udhëheqësinë e kësaj famullie, si me dr. Prekë Ivezaj etj., u krijua oportuniteti i shansit që rezultoi me binjakëzim. Qëllimisht isha i interesuar dhe gjithmonë kam qenë kurioz që të njihem me shumë vende tjera të botës. Tuzi ishte një vend, për të cilin nuk kam ditur shumë, por gjatë takimeve me ekipin e udhëheqësisë së kishës ata më shpjeguan situatën në Malësi. Kështu erdhi deri te lidhja natyrore midis Rochester Hillsit dhe Tuzit. Meqë shumë qytetarë nga treva juaj jetojnë në Rochester, propozimi për binjakëzim ishte i logjikshëm dhe kështu ne përgatitëm dokumentacionin e binjakëzimit. Me rastin e vizitës së kryetarit të KU të Tuzit, Smajl Çunmulaj dhe kryetarit të Kuvendit, Nikollë Camaj, në mars të vitit të kaluar, anëtarët e këshillit të dy qyteteve ranë dakord unanimisht për të krijuar këtë lidhje miqësore.
Koha javore: Kur filluan kantaktet tuaja të para me shqiptarët e këtyre viseve?
B.Barnett: Kontakti im i parë me shqiptarët ka qenë atëherë kur isha i ftuar zyrtarisht në kishën katolike shqiptare të “Shën Palit”, ku prezent ishte edhe presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, në inaugurimin e bustit të heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Kjo për mua dhe bashkëshorten time ka qenë një nder dhe respekt i veçantë, që të rri pranë presidentit të Shqipërisë. Këtu pata rastin që për herë të parë të shoh dhe të dëgjoj muzikën shqipe. Kjo ka qenë hera e parë kur edhe filloi lidhja jonë. Kjo është edhe arsyeja që ne jemi sot këtu.
Koha javore: Para nisjes nga Michigani keni deklaruar për media se do të bëni diçka për Tuzin. Ju lutem për çka është fjala?
B.Barnett: Po. Jam shumë i kënaqur që me delegacionin tim solla një dhuratë gjeneroze nga populli i komunitetit tonë, pikërisht nga fakulteti i Rochester Hillsit. Kjo dhuratë i është dedikuar arsimit, edukatës. Kjo është formalisht një bursë e plotë për katër vite, me mbulimin total të shpenzimeve, për shkollim, libra dhe banim. Fjala është për një bursë me vlerën prej 100 mijë dollarë amerikanë, që do tzi jepet një studentit, apo studenteje nga Tuzi. Pas përfundimit të studimeve në fakultetin Rochester Hills, ai student, apo ajo studente, duhet që të kthehet në Malësi për ta ndihmuar atë, me qëllim që nga Rochesteri të sjell diturinë dhe eksperiencën e nevojshme për trevën tuaj. Jam shumë i gëzuar që jam pjesëmarrës në diçka që mendoj se do të jetë historike.
Koha javore: Cila është eksperienca Juaj me shqiptarët e këtyre viseve që jetojnë në Amerikë ?
B.Barnett: Siç thashë edhe më lart, në Rochester Hills jetojnë një numër i madh i shqiptarëve dhe kam pasur fatin që të njihem me një numër të konsiderueshëm të tyre. Shqiptarët janë popull shumë krenar. Në qytetin Rochester Hills janë qytetarë të mirë. Kemi fat që janë pjesë e popullit tonë.
Koha javore: Sa jeni i njoftuar me statusin e KU-së së Tuzit dhe me lidershipin e saj ?

City of Rochester Hills

City of Rochester Hills

B.Barnett: Jam mjaft i njoftuar me këtë çështje, sa përmes asaj që unë e kam studiuar, sa përmes kontakteve që kam pasur këtu dhe atje, e sidomos informatave që jam munduar tzi mbledhi para udhëtimit tim. Jam i impresionuar me mënyrës se si kryetari Çunmulaj dhe ai i Kuvendit Camaj e menaxhojnë situatën dhe njëkohësisht jam i impresionuar edhe nga vizioni i tyre për të ardhmen. Integriteti i tyre dëshmohet dhe shihet edhe nga kontaktet që kanë me popullatën vendore. Sa i përket statusit të kësaj komune nuk pretrendoj tzi kuptoj të gjitha detajet, por atë që mund të them është se kombi im i ka vlerësuar dhe përjetuar të gjitha vlerat dhe kualitetet e lirive sociale, ekonomike, religjioze, kështu që do të doja që edhe populli i Tuzit dhe të gjithë të tjerët në Mal të Zi tzi shijojë ato, me shpresë se kjo do të arrihet nën udhëheqjen e këtyre dy zotërinjëve.
Koha Javore