Ankohen shqiptarët, por edhe malazezët

August 23, 2008   | Politika, Shtypi / Mediji

Komisioni për të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e pakicave kombëtare në tuz pas katër muajsh veprimtari konfirmon
Tuz- Zyra e Lëvizjes “Atdheu na Bashkon” -Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në Tuz që nga hapja ka kontaktuar me të gjitha zyrat në Mal të Zi që merren me të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e tyre.
“Së bashku me Zyrën e hulumtuesit për të drejtat e njeriut në Podgoricë, Aleksander Sasha Zekoviq jemi dakorduar për një bashkëpunim të ngushtë dhe të sinqertë në realizimin dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve tanë, si dhe kemi realizuar edhe disa projekte”, thotë Muhamed Gjokaj, duke njoftuar se kemi insistuar dhe insistojmë që të kemi bashkëpunim edhe me OJQ-të e tjera.
Sipas tij, nga NAAC-u (Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, zyra e të cilit gjendet në Podgoricë) është pritur një përkrahje më konkrete, me qëllim që t`u bashkëngjitet atyre në kërkesat e panumërta për lirimin e të arrestuarve në aksionin policor “Fluturimi i Shqiponjës”, pastaj edhe në kërkesën e ruajtjes së gjuhës, kulturës, identitetit etj.
Gjokaj deklaron se ankesat e popullatës shqiptare drejtuar kësaj Zyre janë të shumta.
Në radhë të parë ai përmend ankesat e familjarëve të të burgosurve në aksionin policor, “Fluturimi i Shqiponjës”, pastaj ankesat për mosfitimin e patentit të shoferit me emër dhe mbiemër origjinal në gjuhën shqipe, si në dokumentet tjera personale etj.

Përfaqësuesi i Komisionit për të drejtat e njeriut i Lëvizjes “Atdheu na Bashkon” Muhamed Gjokaj

Përfaqësuesi i Komisionit për të drejtat e njeriut i Lëvizjes “Atdheu na Bashkon” Muhamed Gjokaj

Përveç këtyre, Gjokaj shton se kësaj Zyrë në Tuz i janë ankuar edhe malazezë, të cilët ankohen për prolongimin e proceseve gjyqësore në Mal të Zi, që po zgjasin me vite. “Ankesat e njerëzve që i janë drejtuar kësaj Zyrë do të jenë pjesë e raportit vjetor që do t`i paraqiten organizmave ndërkombëtarë dhe administratës amerikane”, njofton Gjokaj, i cili thotë se që nga hapja e Zyrës kemi përkrahur kërkesa legjitime të qytetarëve të Ulqinit në lidhje me pronat në Valdanos, pastaj kemi organizuar edhe konferenca për mediat, monitoruar proceset gjyqësore, të cilat mendojmë se janë të montuara.
Zyra e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në Tuz është e hapur për të gjithë njerëzit që ndiejnë se të drejtat e tyre janë cunguar dhe i fton ata që të paraqiten.
Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në Tuz është hapur më 4 prill të këtij viti.
autor / rr.d.
Burimi / Koha Javore