SHBA-të presin njohje të reja të Kosovës

August 23, 2008   | Lajmet / Vijesti, Shtypi / Mediji

Ambasadori i SHBA-ve në Mal të Zi, Roderick Moore ka deklaruar se pret që shtetet e rajonit të njohin pavarësinë e Kosovës dhe të vendosin kontakte normale me fqinjin e tyre të ri.
Në një intervistë për televizionin shtetëror të Malit të Zi, ai ka thënë se, “SHBA-të dhe partnerët e tyre presin që shtetet e rajonit të njohin pavarësinë e Kosovës dhe të vendosin marrëdhënie të rregullta me fqinjin e ri”.
“Është fakt se ka shtete në rajon që nuk i kanë vënë marrëdhëniet normale me Kosovën, gjë që dëmton stabilitetin rajonal dhe synimet euroatlantike të shteteve të rajonit”, ka thënë Moore.
Ndërkaq, lidhur me arrestimin e serishëm të 10 shqiptarëve, të cilët ishin dënuar për organizimin e sulmeve terroriste në Malësi e që pas shqyrtimit të dënimit ishin liruar të mbrohen në liri, Moore ka thënë se SHBA-të angazhohen për zgjidhjen e shpejt të këtij procesi – përfshirë këtu edhe ankesat që janë parashtruar.
Ai ka thënë se SHBA-të janë shumë të interesuara për këtë rast dhe kanë kërkuar më shumë informata nga Mali i Zi. Moore ka thënë se për këtë çështje ka biseduar ditë më parë nëpërmjet telefonit edhe me një senator me ndikim.
Burimi / Telegrafi