Dinosha: Mali i Zi deri në fund të vitit do ta njohë pavarësinë e Kosovës

August 26, 2008   | Politika, Rajoni / Region, Shtypi / Mediji

Podgoricë, 26 gusht – Kryetari i Unionit Demokrarik Shqiptar Ferhat Dinosha ka vlerësuar se Mali i Zi deri në fund të këtij viti mund të njohë pavarësinë e Kosovës. Dinosha ka thënë për shtypin malazez se vitin e ardhshëm janë paralajmëruar zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi, andaj sipas tij, më së miri do të ishte që Mali i Zi të japë përgjigje ndaj pavarësisë së Kosovës. Por ai më herët në disa raste ka thënë se Kosova do të njihet në maj apo gjatë verës. “Unë kam thënë se vera do të ishte koha më optimale, madje edhe majin e kam përmendur, por vera nuk ka kaluar. Verë është edhe në shtator”, ka theksuar Dinosha për gazetën “Vijesti” Ai ka thënë se nuk ka burime që do t’i thonë datën e saktë të njohjes së Kosovës, por konsideron se autoritetet mnalazeze do të mund të vlerësojnë kohën më të mirë të njohjes së Kosovës. Dinosha konsideron se njohja e Kosovës është në interesin e Malit të Zi, por edhe të stabilitetit të rajonit. “Kjo nuk është çështje e disponimit, por e interesit kombëtar të Malit të Zi dhe besoj që sivjet do të jemi dëshmitarë të kësaj… Duhet të vihet deri aty që Mali i Zi në bazë të bindjes së vet, pa sugjerime apo presione nga jashtë të bëjë këtë vetë sepse herët a vonë kjo është e pashmangshme”.
Burimi / QIK


1