Qendra e arteve dhe sporteve luftarake “Albulena” angazhon menaxher veteranin e sportit Rifat Stankoviq

August 31, 2008   | Shtypi / Mediji, Sporti / Sport

Nxitje për suksese edhe më të mëdha
Ulqin – Me qëllim të promovimit sa më të mirë dhe arritjen e rezultateve edhe më të mëdha në të ardhmen, Qendra e Arteve dhe Sporteve Luftarake “Albulena” nga Ulqini ka angazhuar veteranin e sportit, Rifat Stankoviq, si menaxher të kësaj qendre.
Vendimi është marrë njëzëri nga të gjithë kryetarët e klubeve që veprojnë në kuadër të kësaj qendre pas shqyrtimit të rezultateve për sezonin e parë garues të këtij viti.
Menaxheri i sapoemëruar Stankoviq shprehet optimist për menaxhimin e Qendrës së Arteve dhe Sporteve Luftarake “Albulena”.
Ai thotë se këtë klub nuk është vështirë ta menaxhosh sepse edhe deri tani ka arritur mjaft suksese pa shumë mbështetje financiare.
“Unë do të mundohem që këto talentë mos të mbeten të njohur vetëm në nivelin lokal”, thotë Stankoviq.
Menaxheri i “Albulena”-s si hap të parë në këtë drejtim planifikon organizimin e një seminari ku do të ftohet klubi “Lotus” nga Gjermania, një ndër klubet më të njohura në këtë sport.
Nga ana tjetër, “disa anëtarë të “Albulena”-s do të jenë të ftuar në një garë tradicionale në Gjermani, të quajtur “Nikolaus Cup”, thotë ai.
Në plan është po ashtu edhe organizimi i një turneu në karate dhe kik boks.
“Më 9 shtator do të organizohet një garë në karate, kurse më 10 shtator një turne në kik boks, që do të mbahen në hotelin “La rosa negra”, thotë Stankoviq.
Sipas tij, anëtarët e Klubit “Albulena” nuk kanë arsye të largohen më nga Ulqini dhe të shkojnë në klube të tjera me buxhet më të madh.
“Ne do të mundohemi që t`i mbajmë ata në Ulqin sepse me këto rezultate sportive duhet të krenohet qyteti ynë”, shprehet ai.
Burimi / Kohapress
YouTube Preview Image