Dy çështje problemore:Të kompensohet dëmi
Gjatë të gjitha “privatizimeve”, ku mund të përfshihet edhe ullishta, nuk po shihet se u mendua për punësimin e njerëzve, për krijimin e vendeve të punës për të rinj. Ata u lanë të sillen rrugëve, ose më mirë të thuhet, ata u lanë në Rrugë të Madhe. Ky lloj “privatizimi”, po krijon rrethana që zvogëlojnë vendet e punës, po i keqëson shumë kushtet e jetesës të popullatës vendase.
Privatizimi dhe ullishta
`Agroulqini`, `Riviera e Ulqinit`, `Primorje`, `Kriporja` dhe ndërmarrje tjera që u privatizuan, ishin pasuri shoqërore ose shtetërore të komunës së Ulqinit. Populli nuk thotë u privatizuan. Ai e kupton, ai thotë u shiten, u plaçkiten.
Pyesin njerëzit, çka u bë me paratë prej shitjes së pasurisë shoqërore dhe shtetërore, me paratë që janë të popullit vendas? Mjetet që grumbullohen prej privatizimit duhet të shfrytëzohen për zhvillimin e komunës së Ulqinit, për hapjen e vendeve të reja të punës. Do të ishte njerëzore, që plani i zhvillimit të përpilohej në atë mënyrë, që të favorizohet kthimi i mërgimtarëve tonë, të cilët pushteti komunist i detyroi të ikin prej trojeve të veta.
Ka mot që po flitet edhe për “privatizimin”, në të vërtetë për shitjen e ullishtës së Valdanosit. Dihet, atëherë, para 30 vjetëve, shteti bëri shpronësimin e pronarëve të ullishtës me dhunë, deshe – s`deshe. Ullishtën kurrkush nuk ia “shiti” shtetit me vullnet. Pronarët morën një kompensim qesharak, n`daç merre, n`daç lëre. Pra, nëse respektohet drejtësia, një privatizim i tashëm i Valdanosit do të ishte kthimi i ullishtës pronarëve të mëparshëm, pronarëve të vërtetë, e jo shitja. Çka është marrë me dhunë, duhet të kthehet. Duhet të kërkohet falje për padrejtësinë e bërë, si dhe të kompensohet dëmi i shkaktuar. Refuzimi i pushtetit malazez, që të veprohet në këtë mënyrë, do të ishte shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut.
Papunësia
Gjatë të gjitha “privatizimeve”, ku mund të përfshihet edhe ullishta, nuk po shihet se u mendua për punësimin e njerëzve, për krijimin e vendeve të punës për të rinj. Ata u lanë të sillen rrugëve, ose më mirë të thuhet, ata u lanë në Rrugë të Madhe. Ky lloj “privatizimi”, po krijon rrethana që zvogëlojnë vendet e punës, po i keqëson shumë kushtet e jetesës të popullatës vendase. E dihet, shumica e popullatës të komunës së Ulqinit janë shqiptarë, popull autokton në Mal të Zi.
Po na del, së qëllimi është, që shqiptarëve sa më shumë t`u vështirësohet jeta, që ata të detyrohen të ikin prej vendit të vet, të kërkojnë bukën e gojës në dhe të huaj, të emigrojnë, të zhdukën nëpër botë si kripa n`ujë.
Dr Simë Gjon Dobreci
(Autori është kryeredaktor i revistës “Buzuku”)
Burimi / Koha javore






