Takim Barroso – Tadiq: Diskutuan për Kosovën
Presidenti i Komisionit Evropian Hose Manuel Barroso dhe ai i Serbisë Boris Tadiq diskutuan për Kosovën gjatë takimit që zhvilluan në Bruksel.
Në lidhje me këtë serbëve iu përsërit qëndrimi i BE-së se rëndësi të madhe ka bashkëpunimi rajonal dhe pjesëmarrja e plotë në të e të gjithë aktorëve.
“Unë e kuptoj se ka çështje të vështira dhe delikate në lidhje me Kosovën por ne besojmë se janë të mundura disa qasje pragmatike dhe konstruktive për të arritur atë që është në interes të të gjitha palëve: stabilitetin në Kosovë dhe stabilitetin në të gjithë Ballkanin. Kjo është me siguri në interesin e Serbisë dhe në interesin e Evropës në tërësi”, tha President i Komisionit Evropian Hose Manuel Barroso.
Pa surpriza qëndrimi serb mbetet i pandryshuar. Boris Tadiq deklaroi sërish në Bruksel se Serbia nuk heq dorë nga Kosova dhe as e njeh pavarësinë e saj, lëvizje ndaj të cilës presidenti serb përsëriti se vendi i tij do të nisë procesin e konsultimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë.
“Kur flas për Kosovën unë them gjithnjë se Serbia nuk bën agresione, megjithëse për ne shpallja e pavarësisë nuk është e ligjshme. Ne nuk po bllokojmë ekonominë e Kosovës. Ne po përdorim vetëm instrumente diplomatike dhe ligjore. Kjo është mënyra se si ne po kontribuojmë në stabilitetin e Evropës Jug-lindore por edhe se si ne po tregojmë vlera evropiane”, deklaroi Presidenti i Serbisë Boris Tadiq.
Deri më sot çështja e Kosovës dhe ajo e integrimit evropian të Serbisë janë trajtuar si çështje të ndara, por këto të dyja lidhen ngushtë kur bëhet fjalë për të ardhmen evropiane të secilit shtet të rajonit, duke patur parasysh se 21 nga 27 vende anëtare të BE-së kanë njohur pavarësinë e Kosovës nga Serbia.
Ernest Bunguri
Burimi / ALSAT-M.TV