Pasaportat e Kosovës njihen edhe nga Italia
Italia që nga sot njeh pasaportat e Republikës së Kosovës. Kështu u shpreh pas një takimi me presidentin e Kosovës ambasadori i Italisë në Prishtinë Michael Luis Giffoni.
Diplomati italian theksoi se njohja e pasaportave të Kosovës, vjen për shkak të ndjenjave vëllazërore ndërmjet popullit italian dhe atij të Kosovës.
“Dua të nënvizoi ndjenjën vëllazërore të gjithë popullit italian, për kosovarët dhe këto ndjenja vëllazërore duhen forcuar nëpërmjet kontakteve midis dy popujve. Pikërisht për këtë arsye, iu them se duke filluar nga dita e sotme Italia zyrtarisht i njeh pasaportat e Republikës së Kosovës dhe që ekspertët e e ambasadës italiane në Prishtinë kërkojnë që sa më shpejtë të përfundojnë procedurat e lëshimit të vizave”, tha ambasadori i Italisë në Kosovës Michael Luis Giffoni.
Duke falënderuar për këtë hap që ka marrë shteti italian, Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, kërkoi edhe zhvillimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve edhe në shumë fusha tjera.
“Paralelisht mund të them se gjithë ai objektiv që është i yni në zhvillimin marrëdhënieve në mes dy vendeve do të thellohet dhe më tepër, sidomos në bashkëpunimin edhe në fushat e tjera. Unë shtrova edhe ndjenjën tonë se krahas asaj që lidhet me bashkëpunimet ekonomike, me pjesën e sigurisë që është kontigjentin italian i shkëlqyeshëm në Kosovë, po ashtu të zhvillohen raporte në mes universiteteve, në fushën e kulturës, shkencës dhe në fushat e tjera”, deklaroi Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu.
Italia është një ndër shtetet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës, ndërkohë me kontigjentin e vet ushtarak dhe policor vepron në pjesën perëndimore të Kosovës.
Shaip Mustafa
Burimi / ALSAT-M.TV