SHBA pret që Mali i Zi ta njohë Kosovën
Ambasadori amerikan në Podgoricë, Roderik Moore, ka thënë të mërkurën se SHBA pret që Mali i Zi, sikur edhe vendet tjera të rajonit, do ta njohin pavarësinë e Kosovës. “Nëse ekziston pavarësia dhe nëse nuk ka marrëdhënie normale diplomatike, mendoj se kjo dëmton stabilitetin rajonal”, ka thënë Moore. “Shpresojmë dhe presim që Mali i Zi do t’i bashkohet të gjithë partnerëve, duke na përfshirë edhe ne,sa i përket Kosovës”. Ambasadori amerikan ka shtuar se shteti që synon anëtarësi në institucionet euroatlantike dhe marrëdhënie më të mirë me partnerët euroatlantikë, shpresohet të marrë parasysh qëndrimet e shumicës së këtyre vendeve. “Deri më sot mbi 75 për qind të anëtarëve të Bashkimit Evropian dhe më shumë se 80 për qind të NATO-s, e kanë njohur Kosovën”, ka nënvizuar ai. “E dimë se që vendimi për njohjen e Kosovës është çështje e vështirë për Malin e Zi dhe duam që Podgorica të ketë marrëdhënie të shkëlqyera me Serbinë. Por, konsideroj se njohja e pavarësisë së Kosovës do t’i kontribuojë qëndrueshmërisë rajonale”.
Burimi / Gazeta Express