Radikalizohen shqiptarët e Malit të Zi?

September 9, 2008   | Politika, Shtypi / Mediji

Një pjesë e shqiptarëve të Malit të Zi mund të mos dalin fare në zgjedhjet presidenciale malaziase të cilat janë paraparë të mbahen me 6 prill 2009. Këtë qëndrim radikal e ka dhënë Mehmet Bardhi kryetar i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi (LD në MZ) partia e të cilit kësaj radhe nuk po e përkrah asnjë kandidat presidencial.
Jo rrallë herë vota e shqiptarëve ka qenë determinuese në krijimin e pushtetit pro-evropian në Mal të Zi. Duket se kësaj radhe në një pjesë të votave shqiptare nuk mund të llogaris askush madje as partia e Milo Gjukanoviqit e cila tradicionalisht e ka çimentuar pushtetin mu me votat shqiptare.
Megjithëkëtë Mehmet Bardhi u ka thënë anëtarëve dhe votuesve të LD në MZ që asesi të mos votojnë për “ata që i kanë mbështetur luftërat okupuese të Beogradit, gjenocidet dhe spastrimet etnike të shqiptarëve nga vatrat e tyre autoktone shekullore”.
“Nuk mundemi të mbështesim një kandidat i cili nuk e pranon ekzistimin e shqiptarëve, pavarësinë e Kosovës”, thuhet në komunikatën e LD në MZ.-së e cila njiohet si partia e parë shqiptare në Mal të Zi.
Drejtuesit e LD në MZ shkojnë edhe më tej duke insistuar se nuk do i mbështesin as “ata të cilët e kanë instaluar qeverinë kukull komunale në Ulqin me qëlim të shitjes së pasurisë publike”. Kjo parti po ashtu u deklarua se nuk mund të votojë për një kandidat i cili asnjëherë nuk ka bërë hetim mbi torturën e bërë ndaj të akuzuarve në rastin gjyqësor “Flutrurimi i Shqiponjës”.
“Lidhja Demokratike nuk mund të mbështesë ata të cilët vendet kulturore shqiptare ia japin Kishës ortodokse serbe”, thuhet në komunikatën e LD në MZ.
Burimi / Telegrafi