Në Tiranë u mbajt konferenca shkencore ndërkombëtare me temë “Monarkia Shqiptare 1928-1939”
Marrin pjesë përfaqësuesit e Komunës së Ulqinit
Ulqin – Kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, dhe nënkryetari i kësaj komune, Met Zenka, morën pjesë të hënën me ftesë të familjes mbretërore Zogu në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare me temë “Monarkia shqiptare 1928-1939”, e cila u mbajt në Tiranë me rastin e 80-vjetorit të monarkisë shqiptare.
Konferenca kishte për qëllim të hedhë dritë mbi këtë periudhë ende të panjohur të shtetit dhe historisë shqiptare.
Në Konferencë referuan një numër i madh i studiuesve dhe historianëve, vendas dhe të huaj, si dhe u zhvilluan aktivitete të ndryshme kushtuar kësaj periudhe shumë të rëndësishme të historisë së shtetit shqiptar.
Konferenca u organizua nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë dhe Muzeu Historik Kombëtar.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, dhe nënkryetari Met Zenka patën një sërë takimesh me personalitete të larta të politikës, shkencës dhe kulturës.
Burimi / Kohapress