Haziri: Maqedonia dhe Mali i Zi jo me të njëjtat kushte
Maqedonia ka kushte më të favorshme për ta njohur pavarësinë e Kosovës për shkak të stabilitetit të saj politik. Kështu ka deklaruar për Agjensinë e Lajmeve INA, Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Lutfi Haziri. Sipas tij, “Maqedonia nuk është në pozitë të njëjtë sikur vendi tjetër i rajonit Mali i Zi për ta njohur pavarësinë e Kosovës. Maqedonia si shtet ka kushte më të favorshme për ta njohur Kosovën për shkak të stabilitetit të saj politik”. Ai shtoi se pa ndonjë presion të veçantë shumë shpejtë këto dy shtete do ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Lidhur me mosmarrëveshjet midis Athinës dhe Shkupit për çështjen e emrit të Maqedonisë, Haziri tha se “Negociatat midis dyja palëve duhet të nxjerrin zgjidhjen e duhur dhe mendoj se po punohet në këtë drejtim. Shpresojmë që shumë shpejt me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe me bisedime dypalëshe do të zgjidhet ky problem në rajon”.
Burimi / Gazetastart