Konferencë shtypi e forcës së re demokratike
Dy vite dështimi të pushtetit lokal
Kryetari i Forcës së Re Demokratike, Nazif Cungu paraqiti para gazetarëve aktivitetet e kësaj partie duke theksuar se: “gjatë kësaj periudhe ato ishin të shumta, e sidomos në atë kohë kur kishim shumicën në Parlamentin lokal dhe për herë të parë, pas shumë vitesh, filloi puna e cila premtonte se për një kohë të shkurtër, me transparencën më të madhe, Ulqini do t’iu përveshte punës që premtonte zhvillim ekonomik, rregull, siguri, hapjen e vendeve të reja pune dhe luftë kundër korrupsionit”.
Mirëpo ndërkohë, siç tha z.Cungu: “Vazhdoi periudha kur shumica parlamentare u formua me presione, mashtrime, interesa private… Vazhdoi keqpërdorimi i pronës komunale, plaçkitja e qytetarëve me taksa dhe tatime, rritja e çmimeve të shërbimeve komunale, vazhdoi kënga dhe hareja, udhëtime të shumta të panevojshme, dyfishimi i të punësuarve në organe komunale, vazhdoi zvogëlimi i kompetencave të pushtetit lokal, etj. etj”.
Në këtë kuadër shtoi ai: “U premtua aprovimi i Planit gjeneral urbanistik, aprovimi i Planeve detaje urbanistike, Marina në Lima, ura e re mbi Portë Milenë, Palestra sportive, kthimi i pronave sipas Ligjit për restituim, kthimi i Valdanosit, rruga në Lima, zgjerimi dhe modernizimi i rrugës Ulqin – Sukobinë dhe asaj për Ostros, rruga e Shasit, rruga për Gjonzë, modernizimi dhe renovimi i shkollave në Anë të Malit, rregullimi i sistemit të kanalizimit, zgjerimi dhe përmirësimi i furnizimit me ujë të pishëm jo vetëm në pjesën e ngusht të Ulqinit por edhe në Shtojë, Krythë dhe Brajshë, rregullimi i Kalasë, themelimi i organizatës turistike, transformimi i radio Ulqinit dhe hapja e televizionit lokal etj”.
Në fund z.Cungu evidencoi “se këto dy vite pushteti dështoi në ushtrimin e pushtetit efikas dhe në realizimin e premtimeve, por gjithashtu është më se e sigurte se pushteti edhe mund të ndërrohet me dëshirën e votuesve”.
Burimi / Kohapress