Mali i Zi përgatitet ta njohë Kosovën
Deputetët e koalicionit qeverisës i kanë dërguar kryetarit të parlamentit Ranko Krivokapiq një rezolutë për domosdoshmërinë e përshpejtimit të procesit të integrimit të Malit të Zi në strukturat evropiane dhe euroatlantike.
Por, sipas radios së Podgoricës, Radio Antena M, thelbi i kësaj rezolute paraqet hyrje në diskutimin parlamentar për njohjen e Kosovës, çështje kjo që në mënyrë implicite përcaktohet se pjesë e pandashme e procesit të integrimit.
Në pikën e tretë të rezolutës, theksohet gatishmëria e Mali të Zi që të respektojë realitetin politik të cilin BE dhe NAT0 e vlerësojnë si të rëndësishëm për stabilitetin rajonal.
“Kjo do të jetë bazë edhe për përcaktimin e Malit të Zi ndaj çështjes së Kosovës”, theksohet në fund të pikës së tretë të dokumentit dhe që promovon përkushtimin për zgjidhjen paqësore të konflikteve, me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare.
Deputetët që e kanë nënshkruar rezolutën kanë kërkuar që ajo të vihet në rend dite në seancën e parë të sesionit vjeshtor të parlamentit.
Diskutimi për njohjen e Kosovës ka qenë në rend dite edhe më 16 qershor, por për shkak të bojkotit të opozitës nuk është zhvilluar.
Burimi / QIK