Intervistë me fotografin Gazmend Çitaku

September 18, 2008   | Intervista / Intervju, Shtypi / Mediji

Ulqini e ka traditë fotografinë
Koha javore: Z. Çitaku, opinioni Ju njeh në radhë të parë si fotograf, por Ju merreni njëkohësisht edhe me shumë fusha të tjera të artit dhe kulturës. Pse ky interesim i juaji për tzu marrë me të gjitha këto veprimtari?
G. Çitaku: Ne shqiptarët në Mal të Zi, e veçanërisht në Ulqin, kemi zbrazëtira shumë të mëdha në fushën e arsimit, kulturës, shkencës, etj. Prandaj ekziston një hapësirë shumë e madhe manovruese në çdo fushë dhe kemi mjaft raste ku punët të cilat do të duhej tzi kryenin për shembull institucionet dhe grupet e formuara prej njerëzve kompetentë, i kryejnë individët të cilët me vetë sakrificën e tyre, ndoshta duke lënë keq edhe familjet e veta, arrijnë një lloj rezultati, një satisfaksion më tepër shpirtëror sesa ndonjë satisfaksion tjetër.
Koha javore: Ju keni botuar librin me fotografi “Fotoalbumi i Ulqinit”, i cili e prezanton Ulqinin përmes fotografive të vjetra. Si lindi ideja për realizimin e këtij libri?

Çmimi i Foto Albumit 10€

Çmimi i Foto Albumit 10€

G. Çitaku: Unë merrem me fotografi që një kohë të gjatë dhe duke bërë eksplorimin e fushës apo artit të fotografisë kam arritur në një stad ku kam filluar të merrem dhe të bëhem edhe koleksionist i fotografisë.
Me koleksionimin e fotografive të vjetra kam filluar të merrem sidomos pas fillimit të punës në revistën “Kronika”, e cila për fat të keq tani nuk del më. Në këtë revistë ne hapëm një rubrikë për fotografinë e vjetër ku kërkonim nga bashkëqytetarët që të na ofronin fotografi apo dokumente që kishin të bënin me Ulqinin, historinë e këtij vendi, etj.
Mirëpo si çdo punë edhe kjo ka vështirësi sepse njerëzit janë të ngurrtë dhe duhet tzi lusësh për bashkëpunim. Me shkrimtarin Hajro Ulqinaku vendosëm të hapim një rubrikë ku do të bënim prezantimin e kapedanëve ulqinakë e pastaj të vazhdonim me peshkatarët, me njerëz të thjeshtë të cilët falë moshës së tyre ishin si të them arkiva të ngjarjeve historike të cilat kishin ndodhur në të kaluarën e Ulqinit. Dhe gjatë vizitës së këtyre njerëzve filluan të shpalosen dokumentacione të ndryshme, fotografi të ndryshme, të cilat i merrnim, i skenoja dhe të padëmtuara ua ktheja pronarëve të tyre. Në këtë mënyrë fondi i fotografive të mia filloi të pasurohet me këto fotografi të vjetra. Arkivi apo fondi i fotografive filloi të rritej dhe unë nuk do të bëja asgjë sikur tzi mbaja ato të mbyllura përsëri në kompjuterin apo në arkivin tim, prandaj vendosa që të bëj publikimin e këtyre fotografive. Si rezultat u realizua ekspozita e parë e fotografive me titullin “Ulqini dje dhe sot” në vitin 2002, ku për herë të parë opinionit të Ulqinit iu prezantuan një numër i konsiderueshëm i fotografive.
Vetëm gjashtë muaj më pas realizova një ekspozitë të dytë të fotografive dokumentare e cila kishte si temë detin dhe për herë të parë mund të them me plot gojë që ulqinakët mbeten të befasuar me fotografitë e kapedanëve, matrikullat e tyre, diplomat, dokumentet e ndryshme të cilat tregonin për traditën e lavdishme detare.
Si rezultat i këtyre dy ekspozitave lindi edhe libri “Fotoalbumi i Ulqinit”, i cili i përmblodhi fotografitë nga këto dy ekspozita. Libri është mirëpritur në Ulqin, por po ashtu e kanë vlerësuar lart edhe në Kosovë dhe Shqipëri kritikët e artit dhe fotografët e njohur. Si rezultat i të gjitha këtyre kritikave por edhe interesimit është realizuar edhe një emision rreth 45 minutash nga Televizioni “Top Channel” me mua lidhur me librin “Fotoalbumi i Ulqinit”.
Koha javore: Sa i kanë ruajtur ulqinakët dhe sa kujdes u kanë kushtuar fotografive të vjetra? A e keni vazhduar rrugën e grumbullimit të fotografive të vjetra dhe a mund të presim në të ardhmen ndonjë fotoalbum të ri me fotografi të tjera?
G. Çitaku: Ulqini e ka traditë fotografinë. Arkivat private janë jashtëzakonisht të pasura, mirëpo pronarët e tyre janë pak të ngurtë dhe duhet të luten që ti hapin ato.
Unë kam arritur që përveç pjesës së parë të “Fotoalbumi”-t të grumbulloj edhe një pjesë të konsiderueshme të fotografive të cilat do tzi botoj shumë shpejt si një vazhdim i “Fotoalbumi”-t të parë. Edhe ky libër do të jetë i tipit dhe formatit të njëjtë, me numër të njëjtë faqesh, vetëm që fotografitë do të jenë të papara deri tani. Këto fotografi i kam grumbulluar me shumë mund duke vizituar arkivat e ndryshëm, si atë shtetëror në Tiranë, pastaj Shkodër, Dubrovnik, Cetinë, arkivat private në Ulqin dhe kam një numër të konsiderueshëm të fotografive të cilat i kam siguruar nga vendet e ndryshme si Kroacia, Anglia, Franca, etj. Këto fotografi nga jashtë nuk mzi kanë dhuruar, por është dashur që të ndajë një pjesë të konsiderueshme të mjeteve materiale që ti kem në dorë. Mirëpo besoj që ia kam arritur qëllimit dhe shumë shpejt do të dalë në dritë fotoalbumi i dytë. Puna rreth tij pothuajse tashmë ka kryer, vetëm sa duhet faqosur dhe të çohet në shtyp.
Koha javore: Ju keni realizuar edhe një film dokumentar mbi Servantesin. Cili ka qenë motivi që iu ka shtyer për tzu marrë me këtë figurë të njohur?
G. Çitaku: Filmi për Servantesin ka lindur spontanisht. Ai u realizuan në vitin që UNESCO-ja e kishte shpallur si viti i Servantesit dhe falë një legjende e cila thonte se Servantesi kishte qenë në Ulqin. Duke u nisur nga kjo, unë iu përvesha punës dhe fillova të bëj disa hulumtime për realizimin e një filmi dokumentar për të dëshmuar nëse Servantesi ka qenë apo jo i zënë rob dhe e ka vuajtur apo jo dënimin në burgun e Ulqinit.
Filmi dokumentar është një film amator, mirëpo edhe ai është vlerësuar shumë mirë. Ai aktualisht është pronë e RTK-së e cila e ka blerë materialin dhe kohë pas kohe e transmeton atë.
Pra ideja ka qenë që përmes një figure shumë të njohur botërore të bëhet edhe prezantimi i Ulqinit, që një figurë e tillë të shfrytëzohet si nga aspekti historik, po ashtu edhe turistik sepse jemi dëshmitarë që vendet e tjera madje edhe i imagjinojnë ngjarjet historike, ndërsa ne i kemi disa dhe nuk i shfrytëzojmë ato. Kështu që filmi është më tepër i karakterit propagandistik – turistik.
Koha javore: Para do kohe nën autorisënë Tuaj ka dalë në dritë “Abetarja për fëmijët e kopshteve”. Çfarë iu shërbeu si nxitje për botimin e saj?
G. Çitaku: Jemi dëshmitarë se ne shqiptarët në Mal të Zi kemi mangësi shumë të mëdha sa i përket teksteve mësimore.
Djali im i cili sivjet shkon në klasën e parë, vitin e kaluar ishte në parashkollore. Kur i sollën librat që i kishim porositur, për befasinë e të gjithë prindërve ato ishin në gjuhën serbe të ardhura nga Novi Sadi dhe me shkrimin qirilik. Pra fëmija im po vendoste kontaktin e parë në shkollë në gjuhën serbe dhe shkrimin qirilik. Kjo më shërbeu si nxitje, pra pak inati e pak ideja ime, për tzu nisur rrugës së botimit të një abetareje për fëmijët parashkollorë në gjuhën shqipe. Kontaktova mikun tim në Tiranë, Arjan Lekën, i cili është drejtor i Shtëpisë Botuese “Ideart”, shkrimtarin Hajro Ulqinaku dhe mësuesen nga Ulqini, Florinda Basha. Pas një pune tetë muajshe doli “Abetarja për fëmijët e kopshteve”, shtypjen e së cilës e ka financuar Komuna e Ulqinit në kuadër të konkursit për financimin e organizatave joqeveritare. Kjo ishte edhe arsyeja që vendosa që abetaren tzua fali fëmijëve dhe besoj se ajo tashmë ka arritur në dorën e çdo vogëliushi shqiptar në territorin e Malit të Zi.
Abetarja është një ilustrim aplikativ ku fëmija përmes lojës, duke luajtur dhe duke ngjyrosur, mund tzi mësojë shkronjat.
E njëjta abetare duhet të dalë në tregun e Shqipërisë, me disa ndryshime shumë të vogla, ku autorësia do të jetë e imja.
Koha javore: Me çfarë jeni duke u marrë aktualisht dhe cilat janë planet Tuaja për të ardhmen?
G. Çitaku: Në të ardhmen kam shumëçka për të punuar, mirëpo momentalisht jam duke punuar pjesën e dytë të “Fotoalbumi”-t dhe jam duke punuar për fëmijët e kopshteve ilustrimin aplikativ “Të mësojmë numrat”. Edhe këtë libër vogëlushët tanë do ta kenë shumë shpejt në dorë. Këto janë dy projekte në të cilat jam duke punuar momentalisht.
Bisedoi: I. Kallaba
Koha Javore

YouTube Preview Image