Njohja e Kosovës nga Mali i Zi

September 24, 2008   | Politika, Shtypi / Mediji

Një vendim i vështirë, por i rëndësishëm
Gjithsesi jemi të vetëdijshëm për faktin se Mali i Zi e merr me vështirësi këtë vendim, duke iu druajtur reagimeve të brendshme dhe atyre të Serbisë, e ndoshta edhe të Rusisë.
Por gjithsesi shtetet duhet të dinë të udhëhiqen nga racionaliteti dhe qëllimi për krijim të mirëqenies për qytetarët, sepse ky është udhëkryqi dhe varet nga Mali i Zi se a dëshiron ta kapërcejë apo ta zvarrisë.
Kosova, shteti më i ri i botës, është në pritje të njohjeve të mëtutejshme. E “super- njohjet” tani më duhet të vijnë nga dy fqinjët e saj, Mali i Zi dhe Maqedonia. Kurse drejt kësaj njohjeje dhe përshpejtimit të saj do të ishte dashur të punojmë ne pakicat shqiptare që jetojmë në këto dy republika. Kjo për shumë arsye racionale dhe emocionale.
Në përbërjen e qeverive të këtyre dy vendeve ka edhe shqiptarë të dalë nga subjekte politike të këtij entiteti, prandaj është e pritshme dhe e logjikshme që njohja e pavarësisë të ndodhë sa më parë.
Nuk është e kuptueshme që disa nga politikanët tanë të lëshojë deklarata të herëpashershme sa për dekor dhe protokoll dhe kjo kryesisht kur pyeten nga gazetarët, e të mos ekzistojë një qëndrim i koordinuar për çështjen madhore, shtetin e Kosovës.
Kosova shtet është kontribut për paqen, kurse njohja e saj nga Mali i Zi dhe Maqedonia është veprim normal i cili i kontribuon institucionalizimit të marrëdhënieve mes këtyre shteteve të cilat ndër të tjera janë të populluara edhe me shqiptarë.
Të gjithë e kemi kuptuar edhe mesazhin e të jashtëmve, që ishte mjaft i qartë dhe shumë pak diplomatik, se Mali i Zi, po deshi integrim, duhet ta njohë Kosovën. Mos Malit të Zi nuk i duhet integrimi dhe ky vende nuk dëshiron të hyjë sa më parë në rrjedha demokratike europiane? Nëse punët qëndrojnë kësisoji, atëherë s`kemi çka të shpresojmë, apo më mirë të them se lajmin e mirë se Mali i Zi dëshiron integrim të shpejtë do të jetë fakti i njohjes së realitetit të ri për ata që kanë sy e veshë, e ajo është se Kosova është shtet.
Kush nuk beson në këtë le të bëjë një vizitë në këtë vend dhe do të bindet se atje shteti është funksional dhe madje duke hedhur hapa të mëdhenj drejt zhvillimit.
Ndërkohë Mali i Zi nuk ndodhet para kurrfarë testit, por thjeshtë të vendosë marrëdhënie të shëndosha me shtetin e ri fqinj, të cilin e kanë njohur të gjitha vendet e fuqishme dhe më përparimtare botërore, ku shkollohen edhe një pjesë e qytetarëve të saj.
Gjithsesi jemi të vetëdijshëm për faktin se Mali i Zi e merr me vështirësi këtë vendim, duke iu druajtur reagimeve të brendshme dhe atyre të Serbisë, e ndoshta edhe të Rusisë.
Por gjithsesi shtetet duhet të dinë të udhëhiqen nga racionaliteti dhe qëllimi për krijim të mirëqenies për qytetarët, sepse ky është udhëkryqi dhe varet nga Mali i Zi se a dëshiron ta kapërcejë apo ta zvarrisë.
Shqiptarët në Mal të Zi do të ndihen më të çliruar, por meqenëse ne si pakicë nuk jemi mësuar të na bëhen favore, thjesht Mali i Zi këtë le ta bëjë për veten e vet dhe të gjithë sa më parë të takohemi në Bashkimin Europian.
Si do që të jetë shpresojmë se njohja e Kosovës nga Mali i Zi, Maqedonia dhe Greqia do vijë së shpejti, e kjo gjithsesi do të ishte shuplaka më e rëndë për Rusinë dhe satelitet e saj.
Robert Camaj
Koha Javore