Intervistë me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, Tonin Beci

September 25, 2008   | Lajmet / Vijesti, Shtypi / Mediji

Shqipëria dhe Mali i Zi të angazhuar për të ardhmen evropiane të rajonit
Koha javore: Z. Ambasador, cili është niveli i bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi?
T. Beci: Politika rajonale përbën një ndër orientimet parësore të politikës sonë të jashtme dhe vëmendjes së diplomacisë sonë. Shqipëria është e vetëdijshme për nevojën e forcimit të bashkëpunimit me vendet fqinjë, e bazuar në parimet e fqinjësisë së mirë. Kjo përbën edhe idetë bazë të marrëdhënieve me të gjitha vendet e rajonit.
Shqipëria në vijimësi ka shprehur qartë dëshirën për zhvillimin pa pengesa dhe intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe me Malin e Zi. Qeveria shqiptare ishte ndër të parat që njohu pavarësinë e Malit të Zi, e bindur se pavarësia e fqinjëve tanë e bën rajonin më të stabilizuar, më dinamik e më të sigurt në rrugën e përbashkët të integrimit europian.
Konstatojmë me kënaqësi se edhe pala malazeze ka dëshmuar të njëjtin vullnet politik për marrëdhënie të ngushta dypalëshe me vendin tonë në interes të përbashkët.
Shqipëria dhe Mali i Zi kanë sot të gjitha motivet dhe angazhimin për të bashkëpunuar për një të ardhme evropiane të popujve tanë dhe të rajonit në tërësi. Tashmë janë vendosur kontakte të rregullta mes drejtuesve me të lartë shtetërorë si dëshmi konkrete e domethënëse e intensifikimit të dialogut politik dhe e rritjes së shkëmbimeve në të gjitha fushat, çka demonstron një vullnet të përbashkët për tzi shndërruar ato në shembull pozitiv në rajon. Historia e suksesshme e marrëdhënieve tona brenda një kohe relativisht të shkurtër është domethënëse dhe bazë e mirë për zhvillimin e konsolidimin e mëtejshëm të tyre.
Tashmë mund të flasim për bashkëpunim të institucionalizuar ndërmjet mjaft institucioneve qeveritare që trajtojnë në forma konkrete çështje të bashkëpunimit të shumëllojshëm në fusha të ndryshme me interes të ndërsjelltë.
Niveli shumë i mirë i marrëdhënieve dypalëshe është shprehje e qartë e vijimësisë së politikës së të jashtme që ndjek Qeveria shqiptare, sidomos në raportet e saj me vendet fqinjë, politikë e cila ka gjetur edhe vlerësimin dhe mbështetjen edhe të faktorit ndërkombëtar.
Nisur nga ky nivel bashkëpunimi, besoj se kemi arsye për të qenë të kënaqur me ecurinë e deritanishme të marrëdhënieve dypalëshe dhe motivin për tzi çuar ato më përpara.

Koha javore: Cilat janë fushat dhe projektet në të cilat mund të bashkëpunohet apo thellohet bashkëpunimi?
T. Beci: Shfrytëzimi i mundësive ekzistuese për bashkëpunim në fushën ekonomike e tregtare merr rëndësi të madhe në ecurinë e marrëdhënieve tona. Fusha me interes shihen sistemi energjitik, fuqizimi i sistemit të komunikacionit dhe telekomunikacionit, lehtësimi i qarkullimit të mallrave, lehtësimi i qarkullimit të njerëzve.
Në funksion të këtij bashkëpunimi dhe përparësish janë nënshkruar një numër marrëveshjesh, sidomos ato që kanë të bëjnë me lehtësinë e qarkullimit të njerëzve (hapja e disa pikave të kalimit kufitar), për mbrojtjen e përbashkët të mjedisit (projekti ndërkombëtar për mbrojtjen e Liqenit të Shkodrës) dhe aspekte të tjera të shumta të bashkëpunimit.
Jemi të bindur se sa më të gjera, sa më intensive e sa më konkrete të jenë këto nisma, aq më shumë do tzi hapim rrugë zhvillimit të shpejtë, investimeve të ndërsjella, projekteve të përbashkëta të infrastrukturës, turizmit, shkëmbimeve kulturore, artistike, sportive, tregtisë kufitare, etj.
Të dy vendet bashkëpunojmë ngusht në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme, që është tregues jo vetëm i bashkëpunimit dypalësh, por edhe i angazhimeve në kuadrin e përpjekjeve ndërkombëtare për tzi luftuar këto fenomene.

Koha javore: Shqipëria dhe Mali i Zi ndodhen në procesin e integrimeve euro-atlantike. Sa jeni të kënaqur me ritmin e këtyre proceseve dhe sa kanë bërë dy vendet për tzi plotësuar kushtet dhe zbatimin e reformave të domosdoshme?
T. Beci:
Të dy vendet janë tashmë të orientuara dhe thellësisht të përfshira në proceset integruese.
Shqipëria ka përshëndetur nënshkrimin e MSA-së ndërmjet Malit të Zi dhe BE-së, si një arritje domethënëse që hap perspektivë të qartë për integrimin europian. Nga ana tjetër mendojmë se si dy vende me disa tipare të ngjashme në zhvillimin ekonomik dhe si pozicion gjeografik e natyror, ekzistojnë mundësi të mëdha që të shkëmbejmë përvojat tona dhe të koordinojmë veprimet për të përshpejtuar proceset integruese.
Ndërkohë Shqipëria ka bërë hapin madhor drejt anëtarësimit në NATO. Për Shqipërinë dhe shqiptarët kjo ka domethënie të madhe. Anëtarësimi në NATO, instrumentet e saj të sigurisë u japin zgjidhje përfundimtare përpjekjeve historike të shqiptarëve për mbijetesë si komb.
Në një aspekt më të gjërë, ky anëtarësim është edhe në interes të vendeve të rajonit. Prania e NATO-s në rajon me vende anëtare të rajonit si pjesë të saj do të ishte garancia më e madhe për stabilitetin dhe paqen e përhershme për këtë pjesë të botës që historikisht dhe jo shumë kohë më parë ka përjetuar tronditje të thella si rezultat i luftrave dhe gjakderdhjes, të frymëzuara nga politika të verbëra me pasoja shkatërrimtare. Mendoj se prania e NATO-s në rajon ka edhe efekte psikologjike ndaj popujve të tij duke u ofruar atyre sigurinë se katastrofat e së kaluarës jo të largët nuk do të përsëriten dhe duke u mundësuar më shumë atyre që të shohin me optimizëm drejt një të ardhmeje më të mirë.
Natyrisht ecuria e deritanishme e proceseve integruese ka qenë rezultat i reformave të kryera që kanë krijuar bindjen te bashkësia ndërkombëtare për angazhimin serioz të strukturave shtetërore dhe klasës politike në objektivat e tyre drejt integrimit të plotë.

Koha javore: A e ndihmojnë dhe nëse po, sa janë duke e ndihmuar Shqipëria dhe Mali i Zi njëri tjetrin në rrugën e përbashkët të integrimeve euro-atlantike?
T. Beci: Ajo që përmenda më sipër nënkupton pashmangshmërisht bashkëpunimin e ndërsjellë dhe ndihmesën që të dy vendet mund tzi ofrojnë njëri tjetrit. Objektivat, interesat dhe projektet e përbashkëta domosdoshmërisht nënkuptojnë shkëmbimin e ndihmës dhe përvojave përkatëse, jo thjesht si shprehje e vullnetit të mirë, por në radhë të parë si nevojë e natyrshme e zhvillimit pozitiv të bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve fqinje, kusht ky për suksesin e proceseve integruese të të dy vendeve.
Për shembull, Shqipëria tashmë ka përvojën e saj në integrimin në NATO. Qeveria e Malit të Zi e ka vlerësuar lart këtë arritje të Shqipërisë dhe është e interesuar të përfitojë nga kjo përvojë. Nga ana e saj Shqipëria është e gatshme të ofrojë këtë eksperiencë, përsëris, jo thjesht si shprehje e vullnetit të mirë, por sepse është edhe në interesin e saj që edhe Mali i Zi të përfshihet në të njëjtin proces.

Koha javore: Mali i Zi nuk e ka njohur akoma pavarësinë e Kosovës. Çfarë është duke bërë Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë dhe Ambasada e Shqipërisë në Podgoricë në këtë aspekt? Pse Shqipëria nuk ka kërkuar deri tani nga Mali i Zi njohjen e pavarësisë së Kosovës?
T. Beci: Shqipëria e konsideron krijimin e shtetit të pavarur e sovran të Kosovës një ngjarje historike dhe zhvillimin më të rëndësishëm në rajon. Me pavarësimin e Kosovës krijohen kushtet e nevojshme për zhvillimin e qëndrueshëm e të gjithanshëm të të gjithë shoqërisë kosovare, përfshirë perspektivën konkrete për integrimin sa më të shpejtë të saj në institucionet europiane dhe euro-atlantike.
Shqipëria i përmbahet qëndrimit se Kosova e pavarur dhe demokratike, që bazohet në Paketën Ahtisari, brenda kufijve të tanishëm, e orientuar drejt integrimit euroatlantik, është zgjidhja më e drejtë dhe më e qëndrueshme, faktor stabiliteti, paqeje e begatie për rajonin e Ballkanit e më gjerë.
Me këto argumente, çështja e njohjes së mëtejshme ndërkombëtare të Kosovës ka qenë dhe mbetet përparësi e politikës së jashtme të shtetit shqiptar dhe veprimtarisë së diplomacisë shqiptare. Veprimtaria intensive dhe lobimi i diplomacisë shqiptare pranë shteteve të ndryshme për të siguruar mbështetje për njohjen e Kosovës kanë pasur në bazë pikërisht argumentet e mësipërme dhe të tjerë të cilat nuk po i radhis këtu. Dhe kur vjen fjala për vendet e rajonit dhe fqinje të Kosovës, ky aktivitet dhe këto përpjekje të diplomacisë shqiptare kanë pasur intensitet edhe më të madh. Ju siguroj se këto përpjekje nuk kanë munguar edhe në raport me Malin e Zi dhe argumentet tona njihen mirë nga strukturat përkatëse shtetërore të Malit të Zi.
Shteti i pavarur dhe Sovran i Kosovës është tashmë një fakt dhe ajo tashmë është njohur nga 47 shtete, nga të cilët 21 vende të BE-së dhe NATO-s. Përpjekjet e diplomacisë shqiptare do të vijojnë edhe më tej, madje edhe me më shumë intensitet, tashme që në mënyrë cinike dhe vulgare dhe po bëhen përpjekje për të hequr paralele mes rastit të Kosovës dhe Abkhazisë e Osetisë.

Koha javore: Sa i përkrah Shqipëria kërkesat e shqiptarëve në Mal të Zi që kanë të bëjnë me përmirësimin e pozitës së tyre?
T. Beci: Besoj se përgjigjja gjendet në pyetjen e mësipërme. Shqipëria mbështet përpjekjet për përmirësimin e situatës së gjithanshme të shqiptarëve në përputhje me legjislacionin dhe institucionet demokratike të vendit dhe unë i shoh këto përmirësime në kuadrin e progresit të gjithanshëm të jetës shoqërore, politike dhe ekonomike të shoqërisë demokratike në Malin e Zi. Përmenda më sipër se vendet tona janë vende me demokraci te reja dhe jemi në proces dinamik të përmirësimit të të gjitha aspekteve të jetës së shtetasve të vendeve tona, me pakicat si pjesë e tyre.

Koha javore: Politika shqiptare në Mal të Zi vazhdon të jetë e ndarë madje edhe për çështjet më të rëndësishme. Cili është sugjerimi Juaj për politikën shqiptare dhe liderët politikë të shqiptarëve në Mal të Zi?
T. Beci: Me fillimin e detyrës kam vendosur shpejt kontakte me përfaqësuesit kryesorë të faktorit politik shqiptar. Kam dëgjuar me vëmendje çështjet e ngritura prej tyre, pikëpamjet dhe mendimet e tyre për çështje të caktuara. Kam konstatuar se në tërësi ata kanë shqetësime të përbashkëta dhe nuk më duket se ka probleme të thella që i ndajnë nga njërit tjetri. Në fund të fundit nuk mund të presim që forcat politike të bien dakord për çdo gjë. Ato kanë programet e tyre dhe pikëpamjet e tyre. Por natyrisht kjo nuk mund të jetë arsye për mungesën e dialogut. Kam përshtypjen se në një masë të caktuar pengesa për dialog është më shumë e natyrës psikologjike dhe marrjes së iniciativës.
Unë kam konstatuar vullnet tek të gjithë për nevojën për dialog dhe mirëkuptim, kështu që sugjerimi mbetet që të ndjekin thënien se nëse ekziston vullneti, zgjidhja gjendet.
Bisedoi: I. Kallaba
Koha Javore