Platforma e opozitës malazeze dhe LD në MZ e ASH

September 25, 2008   | Politika, Shtypi / Mediji

Ejani në vallen e Sheshelit
Çuditen edhe përfaqësues të huaj si është e mundur që disa shqiptarë të mos kenë marrë mësim nga e kaluara e afërt dhe të shkojnë kundër asaj që është ecuri e favorshme politike e kombëtare për shqiptarët. Thënë të drejtën, mua më shumë më çudit heshtja dhe amullia e votuesve dhe udhëheqjeve të LD në MZ e të ASH sesa hapat politikë të dyshes Bardhi-Sinishtaj. Këta të dy siellje të ngjashme kanë patur edhe gjatë fushatës së Referendumit për pavarësinë e Malit të Zi, në momentin vendimtar të dhënies së grushtit projektit serbomadh.
Fillimin e sezonit të ri politik, pas pushimeve verore të këtij viti, e ka shënuar Platforma e Lëvizjes për Ndryshime, e ofruar edhe partive të tjera opozitare në Mal të Zi. Platforma i thërret partitë e tjera opozitare në veprim të përbashkët, në radhë të parë për të rrëzuar regjimin e Millo Gjukanoviqit. Thirrjes për t`u ulur në tryezën e përbashkët iu përgjegjën shumica e partive opozitare, ndër të cilat edhe dy parti shqiptare, në fakt liderët e LD në MZ dhe ASH, z. Mehmet Bardhi e z. Vasel Sinishtaj.
Është e qartë se opozita, kudo në botë, lufton për të rrëzuar pozitën dhe për të marrë pushtetin. Por, nëse dihet fakti se pozita në Mal të Zi është kryesisht proserbe dhe se grupacioni më i fortë brenda saj është Lista Serbe e Andrija Mandiqit, atëherë thirrja për të rrëzuar Gjukanoviqin, në esencë do të thot: Ejani në vallen e Sheshelit!
Ejani në vallen e atyre të cilët kanë përkrahur gjenocidin e Millosheviqit në Kosovë, të atyre të cilët Thaçin, Ramushin e UÇK-në i quajnë kriminelë, kurse heronj i kanë Karaxhiqat, Mlladiqat, Sheshelat … Ejani të rrëzojmë Gjukanoviqin do të thotë ejani në vallen e atyre të cilët kanë qenë e janë kundër pavarësisë së Malit të Zi, të atyre të cilët kanë qenë e janë kundër pavarësisë së Kosovës, të atyre të cilët kanë qenë e janë për Serbi të Madhe. Hajt se partitë serbe e proserbe kanë punët e veta dhe angazhimet e veta politike, po ç`punë kanë me ta e me liderët e tyre dhe cili është angazhimi politik i zotërinjve Bardhi e Sinishtaj?
Të dhemb shpirti kur sot në ekran, në protestat e Beogradit kundër kapjes dhe dërgimit të Radovan Karaxhiqit në Hagë, sheh edhe liderë serbë të opozitës malazeze, e të nesermen të njëjtit liderë i sheh në tavolinë të përbashkët me Bardhin e Sinishtajn duke bërë farë projekti për lumturimin e shqiptarëve!
Çuditen edhe përfaqësues të huaj si është e mundur që disa shqiptarë të mos kenë marrë mësim nga e kaluara e afërt dhe të shkojnë kundër asaj që është ecuri e favorshme politike e kombëtare për shqiptarët. Thënë të drejtën, mua më shumë më çudit heshtja dhe amullia e votuesve dhe udhëheqjeve të LD në MZ e të ASH sesa hapat politikë të dyshes Bardhi-Sinishtaj. Këta të dy sjellje kanë patur të ngjashme edhe gjatë fushatës së Referendumit për pavarësinë e Malit të Zi, në momentin vendimtar të dhënies së grushtit projektit serbomadh. Po, po. Serbisë së Madhe i janë thyer hundët në Podgoricë. vetëm UDSH ka qenë aktive dhe i ka ftuar publikisht shqiptarët për të përkrahur pavarësinë e Malit të Zi, e bindur se kjo është edhe në interesin e shqiptarëve, e bindur se pavarësia e Malit të Zi do të jetë paradhomë e pavarësisë së Kosovës. Kontributi i z. Bardhit në këtë ka qenë aq sa i çakallit në gjahun e luanit, kurse grupacioni i z. Sinishtaj asokohe i ftonte shqiptarët për bojkot.
Nuk di unë si kishte vajtur puna po të mos ishte pavarësuar Mali i Zi. Por, e di se i vetmi personalitet i aftë për t`i prirë valles së pavarësisë ka qenë Millo Gjukanoviq. E di se i vetmi sllav për t`i quajtur publikisht, në Parlamentin e Malit të Zi, bëmat e regjimit të Millosheviqit në Kosovë – gjenocid ishte po ky. E di se i vetmi malazez, supet e të cilit do të durojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës është prapë z. Gjukanoviq.
Nga del atëherë oreksi për ta rrëzuar atë nga pushteti dhe pse atë oreks e kanë edhe disa shqiptarë?!
Natyrisht, pushteti i tij nuk është i përkryer por, pushteti tjetër në Mal të Zi sot nuk do të ishte më i mirë për shqiptarët. Sepse, ai do të ishte i çetnikëve.
Pra, është e qartë se në vend që të sjellin ujin në mullirin e opozitës serbe, partitë shqiptare duhet të angazhohen për partneritet me qeverinë e Gjukanoviqit, duke bërë trysni të argumentuar ndaj saj për të përmirësuar pozitën e shqiptarëve në pajtim me normat demokratike të shteteve multietnike evropiane dhe duke u dëshmuar qartë kontributorë në procesin e integrimeve europiane dhe euro-atlantike.
Ferhat Dinosha
Koha Javore