Qendra Nansen Dialog organizoi në Ulqin seminarin për mësimdhënësit nga Tuzi

Njohje me komunikimin e padhunshëm
Ulqin – “Komunikimi dhe zgjidhja kreative e konflikteve në shkollë” ishte tema e seminarit që Qendra Nansen Dialog organizoi këtë fundjavë në Ulqin për mësimdhënësit nga Tuzi.
Sipas koordinatorit të Qendrës Nansen Dialog, Leon Gjokaj, meqë Mali i Zi është shoqëri multietnike e cila përballet me sfidat e procesit të tranzicionit, përfshirë edhe reformat në sistemin shkollor, programi i seminarit kishte synim afirmimin e dallimeve, komunikimin jo të dhunshëm dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve përmes edukimit alternativ të stafit mësimor.
Ai thotë se njëri ndër qëllimet kryesore të seminarit ishte motivimi i pjesëmarrësve që në punën e tyre profesionale dhe pedagogjike të integrojnë dhe implementojnë vlerat e dialogut, tolerancës, dallimeve dhe komunikimit të padhunshëm.
Ligjëruese në seminar ishte psikologia Lilana Krkeliq, ndërsa pjesëmarrësit e seminarit gjatë punës interaktive dhe punëtorive u njohën me llojet e komunikimit të padhunshëm dhe metodat për zgjidhjen paqësore të konflikteve.
Kohapress