Mali i Zi sot pritet të njohë Kosovën
Podgoricë, 9 tetor – Qeveria e Malit të Zi sipas të gjitha gjasave në mbeldhjen e sotme do të marrë vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës, kanë konfirmuar për gazetën “Vijesti” disa burime të afërta me kreun e shtetit malazez. Sipas gazetës ekziston mundësia që eventualisht për shkaqe procedurale vendimi për një kohë të shkurtër të shtyhet, por bashkëbiseduesit e gazetës kanë theksuar se çdo gjë është e gatshme që kabineti i kryeministrit Gjukanoviq sot edhe zyrtarisht të bëjë të ditur qëllimin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Prishtinën.
Lajmi nuk është konfirmuar nga burimet zyrtare.
Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi Ranko Krivokapiq ka deklaruar se pret që Podgorica të njohë pavarësinë e Kosovës megjithë vendimin e Asamblesë së Përgjithshme të KB. Krivokapiq ka thënë se njohja e Kosovës është pjesë e pandashme të detyrimeve të Malit të Zi dhe kontribut stablitetit rajonal. “Nuk shoh mënyrë tjetër që t’i kontribuohet stabilitetit sesa nëpërmjet përcaktimit të qartë ndaj pavarësisë së Kosovës”, konsideron Krivokapiq.
Burimi / QIK