Mali i Zi dhe njohja e Kosovës

October 11, 2008   | Lajmet / Vijesti, Shtypi / Mediji

Në këto vite të demokracisë Mali i Zi përjetoi ndryshime politike, sociale e ekonomike thelbi i të cilave ishte kalimi nga regjimi totalitar në shoqërinë demokatike.
Krahas këtyre ndryshimeve që mund të jenë pozitive apo negative, kjo nuk është temë për diskutim në këto momente, ajo që bën të diskutojmë është se në këto ndryshime kanë marrë pjesë edhe shqiptarët në Mal të Zi, si dhe paralajmërimi i Malit të Zi për njohje të Kosovës. Lidhur me çështjen e Kosovës, përfaqësuesit shqiptarë disa herë kanë bërë përpjekje të sensibilizojnë opinionin e bredshëm dhe atë të jashtëm për pasojat që mund t`i vijnë Malit të Zi me njohjen apo mosnjohjen e shtetit të Kosovës. Edhe pse përfaqësuesit e shqiptarëve në Mal të Zi nuk kanë hartuar një platformë të përbashkët lidhur me këtë çka do të kishte qenë më mirë, duket sikur ata me iniciativa individuale apo sporadike, po edhe me sugjerimet e ndërkombëtarëve ia arritën që të zgjojnë ndjenjat e komunitetit malazias për të pranuar realitetin e krijuar që Kosova të jetë shtet demokratik me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e saj.
Aktorët e politikëbërjes malazeze të involvuar në çështjen e njohjes së Kosovës siç duket po përfillin tashmë kriterin historik dhe atë demokratik duke i dhënë Kosovës atë që vërtet i takon ligjërisht e që është një realitet, gjë që e theksoi edhe kryeministri i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq në ekspozenë e tij para deputetëve të parlamentit të Malit të Zi. Miratimi i Rezolutës i hap rrugë Malit të Zi për integrime në strukturat evroatlantike dhe njëkohësisht i jepet drita jeshile qeverisë malazeze për njohjen e pavarësisë së Kosovës gjë që edhe vetë Gjukanoviqi e paralajmëroi një mundësi të tillë. Njohja e Kosovës nga Mali i Zi do të ishte kompromisi i vetëm i arsyeshëm historik e politik që do të mund të kënaqte të dyja palët për të vazhduar rrugën së bashku në familjen evropiane.
Elementet ekstremiste serbe që vazhdojnë të jetojnë me mitin serb se gjoja Kosova është “djep i Sërbisë” , e këtu është fjala për disa liderë të partive proserbe në Mal të Zi, duhet ta kenë më se të qartë se vetëm njohja e Kosovës shtet u bën mirë atyre, po edhe vetë Serbisë për të hyrë në Bashkimin Evropian. Pavarësisht kërcënimeve të disa liderëve të partive proserbe që bënë në parlamentin malazias se gjoja do të ndodhë një revolucion tjetër duke paralajmëruar atë të viteve të 90-ta, të njëjtëve nuk ka për t`u rritur rejtingu politik, atyre nuk ka asnjë gjasë që kjo t`u realizohet pa marrë parasysh dëshirat dhe kërcënimet drejtuar politikës zyrtare malazeze. Një fjalë e urtë thotë se njerëzit e mençur mësojnë nga gabimet e të tjerëve, nga ku pikërisht kjo fjalë më është kujtuar duke përcjellur seancën e Parlamentit malazez ku njëri nga liderët proserb, siç është Andrija Mandiq, i cili duke thirrur vitet 90-ta e për t`i futur ata në 2008-tën, jo vetëm që ky person nuk më hyn tek të mençurit por kjo rezulton edhe më keq se kaq.
Njohja e pavarësisë së Kosovës nuk paraqet kurrfarë problemi as për ndërkombëtarët, as për paqen në rajon siç spekulon opozita malazeze antcivilizuese, përkundrazi të njëjtit të bëjnë të kuptosh se nuk janë serioz në frymën e realizmit politik dhe të së drejtës së vetëvendosjes. Konfliktualiteti mes pozitës dhe opozitës lidhur me çështjen e Kosovës është shoqëruar gjithë këto vite të demokracisë, andaj ka vetëm një mënyrë për të pranuar të vërtetën sado e hidhur qoftë për opozitën malazeze, e ajo është vendosja dhe mbrojtja e standardeve të BE-së nga të gjithë politikanët, pavarësisht nga përkatësia partiake që kanë. Tashmë duhet të ndërgjegjësohemi e të kuptojmë se konfliktet e ashpra të grupimeve politike nuk janë thjesht çështje të tyre, por problem për të gjithë qytetarët dhe kjo duhet t`u shpjegohet atyre se cështja e Kosovës nuk është më problem i Serbisë, ajo ka hyrë në rrjedhat e veta dhe për këtë nuk ka kthim prapa. Nëse analizohet mirë çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës mund të konstatohet se ky hap i politikanëve malazezë është i matur duke pasur parasysh rrethanat e krijuara në Ballkanin e trazuar si dhe interesimin e Malit të Zi për t`u bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Andaj, që tani epilogu është i njohur dhe Qeverisë malazeze përmes Rezolutës së miratuar në parlamentin malazez iu dha drita jeshile për të bërë njohjen e pavarësisë së Kosovës në momentin më të duhur. Këtë në mënyrë të tërthorët e ka paralajmëruar edhe Ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Malit të Zi, Millan Roqen duke bërë me dije se nuk është reale të pritet që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë të marrë ndonjë vendim në favor të cilësdo palë, ndonëse vendimet e kësaj gjykate nuk janë detyruese. “Eshtë e drejtë sovrane e çdo shteti që të vendosë nëse do ta njohë pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Roqen.
Shaban Peraj
Koha Javore