Homazh për Fiqri Hasanagën

October 12, 2008   | Kulturë / Kultura

Violina e parë e kllapës së Ulqinit
Fiqoja rrjedh nga një familje qytetare me traditë ulqinake. Kjo familje për vite me radhë është marrë me krijimtari, qoftë humor apo muzikë. Edhe Fiqoja këtë e trashëgoi nga të parët e tij, posaçërisht nga gjyshi i tij – Cafi i Hasanagës, i cili në Ulqin edhe sot përmendet me respekt të posaçëm si bejtexhi me namë. Shumë herë edhe Fiqoja është përgjigjur me humor. Ishte ky një humor i lehtë joofendues. Për Fiqon mund të thuhet, padyshim, se ka qenë njeri i rrallë, modest, i sinqertë, “i butë”, siç thotë populli ynë. Eshtë vështirë ta përshkruash figurën e tij markante, e mos të gabosh. Nga udhëtimet e tija në festivale të ndryshme kanë mbetur shumë anegdota, të cilat iu kujtohen shokëve të tij më të ngushtë.
Para disa ditësh ndërroi jetë Fiqri Hasanaga. Si të fillosh të shkruash për një njeri për të cilin mendon se po e takon përsëri në rrugë, pranë Qendrës së kulturës, apo në ,,Avanti,, ku ai për çdo ditë qëndronte duke pirë kafe. Si të shkruash dhe të kujtohesh për një personalitet, siç duhet tash të thuhet, siç ka qenë, Fiqoja. A mund të mohojë kush se Fiqoja ka qenë një fizionomi e rrallë, markante, gjithmonë e qeshur, kurrë me ,,turinjë,, siç thotë populli. Jo. Me të vërtetë, një njeri i rrallë dhe i jashtëzakonshëm. Mendoj se nuk ka pasur njeri i cili nuk ka folur me Fiqon. Shpesh e kam takuar në rrugë, pranë Qendrës së kulturës, në kalim dhe gjithmonë kemi shkëmbyer nga një mendim dhe nga një fjalë, për ngjarje të kulturës, posaçërisht për Skenën verore në Kala. Sado se unë kam qenë kritik, edhe kur i kam kritikuar pse këndojnë në Kala ,,playback,, ndërmjet tjerave, Fiqoja , gjithmonë me buzëqeshje, duke mos kritikuar askënd, më thonte se mirë, dhe shumë bukur ka qenë. A mund të jetë keq në Kala.,,A e di mar ti,, më thonte , se edhe guri tingëllon dhe e reflekton ndryshe muzikën. Më kujtohen këto fjalë, por nuk e kam besuar se do t`i shkruaj në letër për ta kujtuar këtë doaje të muzikës sonë, i cili ka lënë gjurmë të mëdha jo vetëm në muzikën popullore. Ndoshta edhe kam gabuar duke përmendur termin muzikën popullore, sepse më duket se Fiqoja është marrë me muzikë në tërësi. Si të shkruash e mos të gabosh, sepse një njeri i gjithanshëm, siç ka qenë Fiqoja, është marrë me art në përgjithësi. Një kompozitor i muzikës, një autor i shumë këngëve për fëmijë, një pedagog – edukator, një poet i cili ka shkruar poezi, autor i librit… dhe i cili mbi 30 vite me radhë ishte prezent, në skenën muzikore tek ne.
A mund të zavendësohet Fiqoja. Fiqoja vetë kishte me thanë me buzëqeshje dhe me një humor të cilin e kanë si trashëgimi të gjithë Hasanagët, ,, pa mar, si nuk mundet, pa gjithëkend,, mundet. E vërtetë është se mundet, por pa Fiqon ka me qenë shumë vështirë të organizohet çdo gjë, duke filluar nga Festivali i këngës së fëmijëve e deri te komponimi i muzikës për Ilahi. Unë nuk shoh se ka ndonjë personalitet i cili mund ta zëvendësojë në horizontin e muzikës tonë, tu te ne në Ulqin. Pa dyshim se Fiqoja ka lënë një zbrazëti të madhe në muzikën dhe në kulturën tonë. A mund të paramendohet Festivali i fëmijëve, i cili tashmë është bërë tradicional, pa Fiqon. Më duket se, më se gjysmën e këngëve i ka shkruar dhe i ka komponuar Fiqoja. Si t`i thuash Sarës, apo fëmijëve të tjerë, se nuk është më Fiqoja, a mundet truni i tyre ta kuptojë se ai nuk kthehet më. Me siguri se organizatorët e Festivalit do ta ndiejnë mungesë të madhe pa Fiqon, aty nuk ka dyshim.
Çka të them për kllapën e Ulqinit,në të cilën Fiqoja ka qenë ,, violina ,, e parë. A mund ta zë kush vendin e ti me mandolinë në dorë. Shumë nga këngët të cilat i ka pas Kllapa në repertoarin e vetë, janë të komponuara dhe të shkruara nga Fiqoja. Në shumë festivale ndërkombëtare në vend dhe jashtë vendit Kllapa e Ulqinit ka marrë pjesë, dhe pa dyshim meritat më të mëdha për sukseset e saj i ka Fiqoja, i cili me muzikën edhe sharmin e tij, ka dhënë kontribut të madh për ngritjen e zërit dhe emancipimin e muzikës tonë të vjetër burimore popollore.
Vite me radhë Fiqoja ka punuar si pedagog në shkollën 8 vjeçare si edhe në shkollën e muzikës. Ai ka lënë gjurmë të pashlyera mbi 3 dekada, duke edukuar gjenerata të reja. Edhe me kalimin e tij në Radio Ulqin, ku punoi redaktor, nuk e ka braktisur anën krijuse dhe edukative. Gjithnjë ka punuar me brezin e ri dhe fëmijët nuk e kanë thirrë ndryshe, përveç, Fiqoja i jonë. Zërin kurrë nuk e ka ngritur, sepse ka qenë “i gjanë si deti”, siç thotë populli. Kjo flet se sa i afërt dhe sa i dashur ka qenë Fiqoja tek fëmijët.
Jam i mendimit se figura e tij me mandolinë në dorë, buzëqeshja karakteristike në skenë dhe jashtë saj, me siguri kanë lënë zbrazëti të madhe te të gjithë ne. Me Fiqon jam shoqëruar një kohë të gjatë. Por, ai ka patur shumë shokë, sepse vetë muzika e ka ofruar me njerëz. Me duket se ky njeri nuk ka pasur asnjë armik. Tashmë na ka mbetur që Fiqon dhe muzikën e tij ta shohim dhe ta dëgjojmë në ekranin e vogël, apo në disketa, të cilat shumëkujt ai ia dhuroi. Edhe unë pata nder, Fiqoja në Kala m`i ka dhuruar disa disketa, të cilat në arkivin tim do të kenë vend të posaçëm.
Fiqoja rrjedh nga një familje qytetare me traditë ulqinake. Kjo familje për vite me radhë është marrë me krijimtari, qoftë humor apo muzikë. Edhe Fiqoja këtë e trashëgoi nga të parët e tij, posaçërisht nga gjyshi i tij – Cafi i Hasanagës, i cili në Ulqin edhe sot përmendet me respekt të posaçëm si bejtexhi me namë. Shumë herë edhe Fiqoja është përgjigjur me humor. Ishte ky një humor i lehtë joofendues. Për Fiqon mund të thuhet, padyshim, se ka qenë njeri i rrallë, modest, i sinqertë, “i butë”, siç thotë populli ynë. Eshtë vështirë ta përshkruash figurën e tij markante, e mos të gabosh. Nga udhëtimet e tija në festivale të ndryshme kanë mbetur shumë anegdota, të cilat iu kujtohen shokëve të tij më të ngushtë.
Mungesë të madhe për Fiqon do të ndjejë edhe Bashkësia Islame e Ulqinit dhe kori i saj, ku Fiqoja vite me radhë ishte i angazhuar. Ka komponuar dhe shkruar shumë ilahi. Të gjithë ne do ta ndiejmë mungesën e Fiqri Hasanagës, sidomos familja e tij.

Dhe në fund në promovimin e librit të tij në Kala, në Skenën Verore ku morra pjesë edhe unë , në një mbremje të paharruar dëgjova një bejte nga një miku im, dedikuar Fiqos, dhe me duket se do të ishte mirë ta përfundoj këtë kujtim për Fiqon me këtë bejte:

Kalemin në dorë e morre
Librin tand ti për me shkru,
Qillami rixhat e tuja
Me këtë bejt du me t`uru.

Njikja mramje tan shyhret
Na ka gëzu të gjithë pa masë,
Kangët tuja kanë kimet
I ke gja gjyshit past rahmet.

Për këtë libër nuk bana hyqmet
As nga ana e miqësisë,
Kanaku juj xhet´bexhet
Për me kriju ka çalltis.

Kështu sonte edhe ti
Na nderove të gjithë pa masë,
Me këngë, Fiqri, ti je i parë,
Edhe ata da t çmohen si arë.

Mendoj se do të ishte e tepërt të them më ndonjë fjalë për këtë personalitet, i cili ndërroi jetë, por i cili do të mbetet gjithmonë në kujtesën tonë.
Ismet Karamanaga
Koha Javore