Kriza financiare,Gjukanoviç garanton depozitat

October 17, 2008   | Intervista / Intervju, Shtypi / Mediji

Qeveria e Malit të Zi, ka vendosur që të garantoje depozitat bankare me një shumë prej 800 milion eurosh. Ishte kryeministri Gjukanoviç, i cili u shpreh se një lëvizje e tillë ndërmerret për të qetësuar investitorët që të mos tërheqin depozitat, gjë që do të destabilizonte tregun financiar vendas.
PODGORICE- Pas krizës financiare që ka përfshirë një sërë vendesh, dhe masave të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Europian për të shpëtuar ekonominë edhe qeveria e Malit të Zi deklaron se është e gatshme të garantojë të gjithë depozitat bankare dhe personelin me një shumë totale prej 800 milion eurosh. Një lëvizje e tillë ndërmerret për të qetësuar investitorët, bëri të ditur kryeministri i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç. Kjo masë pritet të prezantohet si një paketë që ka si qëllim të mos lejojë krizën financiare botërore të prekë edhe këtë shtet të vogël të Ish Jugosllavisë. Mediat e Malit të Zi bëjnë të ditur se paketa do të miratohet deri të martën e javës që vjen.
“Mendojmë se ky është një model i mirë për të garantuar depozitat sepse nëse deklaron se si shtet je i gatshëm për të mbrojtur këto depozita me 30 mijë apo 50 mijë euro, atëhere do të ishte e rrezikshme për ata që kanë depozita më të mëdha në banka. Kjo do të bënte që ata t’i tërhiqnin paratë, duke destabilizuar sistemin bankar në vend, tha kreu i ekzekutivit të Malit të Zi.
Sipas një pakete e tillë do të kishte një efekt qetësues në psikologjinë e njerëzve duke bërë që të mos ndërmarrin masa për tërheqjen e depozitave bankare. Pra ne i sigurojmë të gjithë se shtetit i Malit të Zi, i mbron paratë e tyre. Deklarata e Gjukanoviç erdhi menjëherë pasi statistikat treguan se që nga java e kaluar, banorët nisën të tërheqin paratë nga banka si pasoje e frikës së ndonjë kolapsi të ngjashëm me atë të disa bankave amerikane të kreditimit.
Erion Kaçorri
Burimi / (a.r/balkanweb)