Sejdiu paralajmëroi hapjen e ambasadave në Maqedoni dhe Mal të Zi

October 22, 2008   | Rajoni / Region, Shtypi / Mediji

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka paralajmëruar hapjen e ambasadave të Kosovës në dy shtetet fqinje, Maqedoni dhe Mal të Zi, por pa dhënë ndonjë datë të përafërt se kur do të mund të ndodh kjo.
Dy shtetet fqinje të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dy javë më parë janë në listën e dytë të qendrave në të cilat Kosova do ta shpërndajë rrjetin diplomatik pasi deri më tani këtë e ka bërë me 10 qendrat më të rëndësishme politike dhe ekonomike të botës. Këto paralajmërime kreu i shtetit të Kosovës i ka dhënë pas një takimi me Ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Lars Freden, i cili i dorëzoi Presidentit letrat kredenciale.
“Ne do të shtrihemi në rrjetin diplomatik aq sa kemi mundësi. Kemi ambicie normale, jo ambicie të mëdha përtej mundësive. Për ne është me rëndësi që edhe në pjesën skandinave të kemi një mbulim (diplomatik) normal dhe të shohim cila do të jetë mënyra më e mirë edhe e aspekteve logjistike”, deklaroi president p Kosovës Fatmir Sejdiu.
Ai nuk ka dashur të komentojë emërimin e Endru Lledllit si ndërmjetësues I OKB-së për dialogun me Beogradin por ka porositur atë që të mos bëjë as më të voglën përpjekje për t’i ringjallur temat politike në diskutimet me qeverinë e Serbisë.
“Jemi shumë të interesuar që UNMIK-u ta përfundojë punën e vet sa më shpejt. Gjithmonë e kemi thënë se jemi të interesuat të kemi raporte të mira me Serbinë. Nga ana e Kosovës nuk do të mbajmë as retorikë as qasje çfarë ka Serbia në relacion me Kosovën. Por secila çështje që mund të lidhet me statusin apo ndërhyrje të brendshme të strukturës shtetërore e kushtetuese të Kosovës janë të papranueshme”, u shpreh Sejdiu.
Sipas Sejdiut, Kosova është e gatshme të ulet dhe të bisedojë me Serbinë për çështje të bashkëpunimit ndërkufitar, për ekonominë si dhe për të drejtat e pakicave në të dy shtetet.
Përparim Isufi
Burimi /ALSAT KOSOVA