Tuz:Iniciativat- në favor të qytetarëve

October 27, 2008   | Politika, Shtypi / Mediji

Këshilltarët e koalicionit të pushtetit lokal të komunës urbane të tuzit të përkrahur edhe nga këshilltari i PSP i aprovuan katër iniciativat
Tuz- Edhe përkundër kundërshtimeve nga ana e këshilltarëve të PDS, se inciativat e propozuara për rend dite janë në kundërshtim dhe nuk kanë bazë ligjore, më në fund këshilltarët e LD në MZ, të ASH, të përkrahur edhe nga këshilltari i PSP arritën që të hënën të aprovojnë katër iniciativat që kanë të bëjnë me besimin e punëve nga kompetenca e Kryeqytetit, që Kuvendi i KU të Tuzit të emërojë dhe të shkarkojë një anëtar në organet drejtuese të shërbimeve publike, themelues i të cilave është Kryeqyteti, pastaj me besimin e punëve nga kompetenca e Kryeqytetit që KU e Tuzit të mbajë evidencën e banorëve, regjistrat e zgjedhësve dhe evidenca të tjera në përputhje me ligjin, me besimin e punëve nga kompetenca e Kryeqytetit që KU e Tuzit të kryejë punët lidhur me përcaktimin, arkëtimin dhe kontrollin e të ardhurave publike lokale, me besimin e punëve nga kompetenca e Kryeqytetit që KU e Tuzit të caktojë këshilltarin e Kuvendit të KU të Tuzit për të marrë pjesë gjatë lidhjes së martesave, të cilat më vonë do t`i dërgohen administratës së Kryeqytetit në shqyrtim.
Për këshilltarin e PDS-së, dr. Halil Dukoviq, iniciativat e propozuara nga ana e këshilltarëve të LD dhe ASH nuk kanë bazë ligjore që t`i vënë në rend të ditës. Ai para këshilltarëve bëri të ditur se “këtë qëndrim e keni fituar nga administratori kryesor i Kryeqytetit që nga muaji shkurt i këtij viti”.
“Me Projektligjin mbi regjistrat e amzës, të lindurve, të vdekurve dhe të martesave, këto punë i kryen Ministria e Punëve të Brendshme dhe administrata publike dhe jo Kryeqyteti”, thotë Dukoviq.
Rreth mendimit të Dukoviqit reaguan Vasel Sinishtaj dhe Smajl Çunmulaj, kur ky i fundit i tha se “për ligjin flasin ata të cilët nuk e respektojnë”.
Sekretari i KU të Tuzit, Robert Camaj, në ekspozenë e tij drejtuar këshilltarëve tha se secila iniciativë e propozuar do të mundësonte që më mirë të kryhen punët administrative dhe secila iniciativë do të ishte në favor të qytetarëve të kësaj treve.
Kryetari i Kuvendit të KU të Tuzit, Nikollë Camaj, por edhe sekretari i kësaj komune, Robert Camaj e përsëritën disa herë, se secila iniciativë e propozuar e ka pikëmbështetjen në Ligjin mbi Kryeqytetin.
Edhe Lindon Gjelaj (ASH) nuk sheh ndonjë arsye që iniciativat e propozuara të mos mbështeten edhe nga këshilltarët e opozitës, sepse siç pohoi ai nëse iniciativat nuk do të përkrahen edhe nga Kryeqyteti “unë do të isha i nënvlerësuar ndaj kolegëve të mi nga Podgorica”.
Në fund, kryetari i KU të Tuzit, Smajl-Maliq Çunmulaj në raportin e tij rreth Komisionit për përcjelljen e aktiviteteve për grumbullimin dhe plasmanin e organizuar të produkteve bujqësore nga territori i KU të Tuzit për vitin 2008 tha mes tjerash se në krahasim me vitet e kaluara, sezoni i sivjetshëm ishte pak më i mirë duke shtuar se çmimi i domates dhe patates edhe sivjet ka qenë i vogël. Çunmulaj tha se KU e Tuzit brenda mundësive do ta mbështesë këtë veprimtari dhe kërkoi që edhe vitin e ardhshëm përsëri të formohet një komision i këtillë, i cili do të fillonte me punë më heret.
rr.d.
Koha Javore

YouTube Preview Image